Jo të gjitha përrallat kanë fund të lumtur

Kryerilindësi i përbuzi me të parën edhe kërkesën e SPAK edhe vendimin e GjKKO për pezullimin e ushtrimit nga Belinda Balluku të funksionit të ministrit dhe zv/Kryeministrit dhe, ndonëse emocionet i shprehu lirisht, në përmbajtje gjith këtë e cilësoi, menjëherë e në vijimësi, si gabim foshnjor të drejtësisë së re.
Kur Gjykata Kushtetuese shpalli qëndrimin e dyzuar Kryerilindësi nuk e fali rastin ta shpotiste atë institucion e të shpallte menjëherë qëllimin për shndërrimin e bindjes së vet – atë se anëtari i Këshillit të Ministrave është i pa pezullueshëm me vendim gjykate – në nismë ligjore të supermazhorancës së vet të pamerituar. Atë që Gjykata Kushtetuese ia mohoi me unanimitet synon ta marrë me ligj përmes Kuvendit që e zotëron me mbi 3/5-tat e votave por jo me mbi 2/3tat e tij.
Sot u botua i plotë arsyetimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese i datës 6 shkurt 2026 lidhur me çështjen e pezullimit apo jo të ushtrimit të funksionit të ministrit si masë sigurie në një proces penal ndaj një personi në këtë funksion e, nga ky moment, rihyn në fuqi automatikisht pezullimi nga ushtrimi i të dy detyrave ekzekutive nga Belinda Balluku e cila është, në ndërkohë, në proces e sipër shkarkimi dhe zëvendësimi ndërsa do vijojë funksionin e deputetit.
Nga leximi i arsyetimit të vendimit del qartë se, që të tetë gjyqtarët njëzëri: i) përcaktimin e nenit 242/2 të Kodit të Procedurës Penale (KPP) për të zgjedhurit sipas ligjit elektoral (deputet, anëtar këshilli bashkiak, kryetar bashkie), të vetmit të cilëve nuk iu pezullohet e drejta e ushtrimit të funksionit përkatës, e shohin si garanci shtesë ligjore të lidhur me respektimin e sovranitetit popullor dhe jo me imunitetit parlamentar e kushtetues; ii) nuk e konsiderojnë pezullimin e ushtrimit të funksionit të ministrit nga një person nën hetim, me kërkesë prokurorie e me vendim gjykate, si masë sigurie në një proces penal, si të pa-aplikueshëm me vendim gjykate, përkundrazi, e shohin pezullimin plotësisht të aplikueshëm por ndahen veçse në mënyrën se si aplikohet.
Katër prej gjyqtarëve e konsiderojnë drejtpërdrejt të aplikueshëm pezullimin me kërkesë të prokurorisë e vendim gjykate ndërsa katër të tjerët, me një kërcim prej akrobati nga nenet 73 dhe 103 të Kushtetutës tek parimet e përgjithshme kushtetuese të pushteteve të ndara e të balancuara, thonë që pezullimi aplikohet por me leje dhënë paraprakisht nga Kuvendi, njësoj si për masën e arrestit. Të parët thonë se Kushtetuta e ka të qartë e të shteruar drejtpërdrejt sferën e imunitetit material dhe procedurial e cdo pretendim tjetër, shtim apo paksim, kërkon me doemos ndryshime të Kushtetutës, të dytët në një farë mënyre kanë improvizuar, kanë nxjerrë nga kapelja, një zgjidhje aplikative praktike, me kalim përmes Kuvendit, pa qenë nevoja të ndryshohet asfare Kushtetuta.
Për rrjedhojë, shtesa ligjore që po aplikon Kryerilindësi, me parlamentarët e tij të bindur, në nenin 242/2 të KPP për ndalimin e masës së pezullimit të ushtrimit të funksionit edhe për rastin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave ose është antikushtetuese sepse shton diçka që Kushtetuta nuk ka dashur ta bëjë, siç thotë grupi i parë i gjykatësve, ose është antikushtetues sepse heq diçka që Kushtetuta e paskërka (nën)kumtuar, siç thotë grupi i dytë i gjykatësve. Në të dy rastet, ndryshimi ligjor (i vetëm) është antikushtetues. Shtimi i disa kategorive të tjera të zyrtareve krahas ministrave e bën ndryshimin ligjor edhe karagjoz.
Që çështja të trajtohet siç duhet, nevojitet një shikim tërësor dhe jo populist i konceptit të imuniteteve të të gjitha kategorive të zyrtarëve, ndryshe nga fryma populiste dhe nxitimi protagonist i 2012 dhe 2016, me orientim kah standardet europiane por edhe duke konsideruar realisht brishtësinë ende prezente të ekuilibrave politikë e kushtetues dhe vulnerabilitetin e gjithë sistemit kundrejt ndërhyrjeve destabilizuese të lloj-lloj faktorëve të brendshëm e të jashtëm, por kjo gjithsesi është temë që meriton shtjellim më vete.
Rrjedhojë më e parë e arësyetimit të të tetë gjyqtarëve kushtetues është se nuk kemi të bëjmë asfare me lajthitje fëminore as të SPAK as të GJKKO, asfare gabim trashanik e të paparë në shkallë planetare. Në rastin më të mirë, idealisht mund të kemi të bëjmë me kapriçon e fëmijës së llastuar – Kryerilindësi ynë e kush tjetër – mësuar të thotë e bëjë: “topi i imi, penalltinë e gjuaj vetë, porta pa portier, arbitri me mua”. Që nuk është fëmijë, për këtë jemi të sigurtë ndërsa koncepti “kapriço” nuk arrin të shpjegojë shumë e shumë gjëra, që gjithsesi do shpjegohen ditë pas ditë.
Së fundmi, si në një numërim mbrapsht, Kryerilindësit i duhet të përballet edhe me kërkesën për lejen për masën “arrest me burg apo në shtëpi” bërë nga SPAK në Kuvend për Belinda Ballukun. Kryerilindësi e ka të gjithë të drejtën të thotë se nuk e bind as akuza e SPAK për Ballukun as pretendimet e SPAK se ajo ka tentuar të pengojë procesin hetimor e të mos e japë lejen e kërkuar edhe se tashmë e pezulluar nuk përbën kërcënim, siç po duket deri tani se nuk do e japë, por nuk mund të mjaftohet me teorinë e gabimeve foshnjore as me dehjen nga liria të drejtësisë së reformuar – kryevepra e tij – por është i detyruar të na thotë se nga çfarë interesi (gjeo)politik a nga çfarë aktori (gjeo)politik (vetë)nxitet SPAK, eventualisht GJKKO, kundra Ballukut, eventualisht kundër tij, me këto akuza e pretendime tërësisht pa baza.
Në rastin Berisha apo Meta, ata i kishin të qarta pretendimet se proceset penale ndaj tyre, me fakte, ngjarje e prova, ishin në bazë e për llogari qoftë të qeverisë rilindese të Shqipërisë qoftë të qeverisë neo-liberalo-soroiste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i shpalosën e iu dolën për zot pretendimeve të veta pavarësisht se, me shumicë votash e padrejtësisht, nuk iu morën parasysh as nga Kuvendi as edhe nga të gjitha gjykatat e vendit nw bazë e për të njejtat interesa.
Ndaj, nëse Kryerilindësi nuk e bën këtë argumentim, formalisht e si për ironi do jetë Kuvendi në këtë rast që do shkelë kompetencat e drejtësisë në emër të mbrojtjes së kompetencave të veta e të qeverisë, ndërsa ai vetë, Kryerilindësi, edhe do shkatërrojë me duar e veta fabulën e mezingritur të reformatorit të paparë që nga Pavarësia edhe do hyjë në spiralen e konfliktit gjithnjë e më të ashpër edhe me të gjitha ata që sinqerisht e deri dje besuan se ai është, në mos reformatori i paparë, të paktën drejtuesi mjaftueshmërisht i duhur për Shqipërinë europiane.
Jo të gjitha përrallat përfundojnë me fund të lumtur.



