Jo vetëm opozitë refuzimi
ALEKSANDËR ÇIPA
Brendia dhe sjellja e opozitës politike në Shqipërinë e sotme është më shumë se kurrë një nevojë për vendin, por më së shumti për të ardhmen e demokracisë dhe lirive themelore të republikës.
Opozita aktuale ka disa probleme brenda vetes dhe disa të tjera përballë saj. Problemet përballë saj kanë të bëjnë me shumicën politike. Në përballjen me këtë shumicë, opozita e zotit Basha është e pamjaftë në shumë kuptime. Aleatë ndihmues ajo ka vetëm gabimet e pritshme të qeverisë, diversitetin brenda shumicës dhe natyrisht fitimin e besimit elektoral në popull.
Mirëpo në këtë renditje të pamjaftë, kuptohet që aleati i fundit duket i mërguar dhe ende shumë larg për t’u fituar. Aq më tepër që në analizë të thjeshtë disa qëndrime dhe parathënie të sjelljes dhe qëndrimit politik të opozitës, janë thjesht ide të imponuara të ish-liderit zyrtar, (lider ende efektiv) të PD-së, zotit Berisha. Ato nuk përkojnë me mbështetjen masive të elektoratit dhe opinionit të maturuar të shoqërisë sikundër edhe me vullnetin e gjerë të djathtistëve apo konservatorëve shqiptarë.
Opozita e kryesuar prej zotit Lulzim Basha tashmë gjendet në momentin dhe gjendjen më anemike të saj. Përjeton një anemizëm idesh dhe projektesh reformuese. Opozita është në vetmi me veten, pasi i mungojnë aleatët potencialë opozitarë brenda spektrit. Ka një krizë dhe mungesë tronditëse të ansamblit të duhur opozitar. Në strukturën aktuale të saj jo vetëm mungojnë korifenjtë e spektrit, por shquhet korifeu i vjetër jozyrtar i konsumuar dhe autoritarist. Ky korife, jo zyrtar por real i opozitës, pra zoti Berisha, mbetet faktori më i rëndësishëm vendimmarrës dhe pse jo, edhe drejtues për opozitën. Është një lloj kapjeje e opozitës, pra edhe e opozitarizmit, e cila përfshin nevojën apo domosdoshmërinë për një potencial aktiv politik opozitar. Mirëpo kjo nevojë nuk mund të dominojë dhe të mbajë pengueshëm procesin reformues dhe pasjen e një platforme idesh e projektesh. E vetmja alternativë shfaqjeje e deritanishme e opozitës në vend është refuzimi. Një refuzim përmes artikulimit ditor, por edhe përmes heshtjes refuzuese.
Alternativa e refuzimit dhe e mospërfshirjes shkakton pasoja dhe kosto për të ardhmen. E tillë duhet konsideruar sjellja dhe refuzimi i projektit për hartën e re administrative të vendit. Refuzimi i këtij procesi qysh në fillesë të tij, tashmë po e fut opozitën dhe sidomos proceset e pritshme zgjedhore në një qorrsokak të parakohshëm. Koha deri në zgjedhjet vendore të 2015 është e bollshme dhe e shkurtër. Mirëpo opozita me refuzimin e procesit të ndarjes territoriale duket se ka krijuar paraprakisht alibinë për bojkot të procesit. Natyrisht ky është një kërcënim politik lehtësisht i lexueshëm që i adresohet shumicës së majtë. Mirëpo ky bojkot kërcënues, po paraprihet nga bojkoti parlamentar. Vihet në përdorim një mjet politik për të cilin PD ka akuzuar dhe denoncuar një vit e ca muaj më parë, nga pozita e qeverisëses, ish-opozitën që sot është në qeveri. Kjo është logjikë që shemb logjikën e mëparshme të vetvetes! Mjetin politik të refuzuar dhe kritikuar te kundërshtari dje, e përvetëson për ta përdorur sot, pa kurrfarë kompleksi.
Qeverisja e koalicionit të majtë e mbushi një vit. Marrëdhënia e saj me problematikat dhe gjendjen e rënduar sociale e ekonomike është ende e paanalizuar me realizëm dhe objektivitet politik prej kundërshtarëve të djathtë të kësaj shumice. Në subjektin qeverisës shquhen edhe arritjet, por edhe pacilësitë. Kur flasim për arritje mbesim tek perceptimi dominues për një seriozitet të kthyer të shtetit deri diku si dhe për zhbërjen e korrupsionit në rrugë e në zyra haptazi. Mund të flasim pozitivisht për rolin diplomatik dhe pozitën diplomatike që po merr Shqipëria në rajon, sikundër edhe për aftësitë negociuese të diplomacisë aktuale shqiptare, mbi parime e kritere pariteti dhe partneriteti të problemeve të trashëguara.
Ndërkohë që një aspekt pacilësish të cilin opozita e mban të fokusuar në denoncimet e veta politike ditore antiqeverisë lidhet me administratën dhe rekrutimet brenda saj. Në jo pak raste, kësi denoncimesh vlejnë si një presion dhe projektim pozitivist për të mos lejuar rekrutime të pamerituara dhe që shpërfillin vlerat meritokratike dhe sidomos pastërtinë juridike të të rekrutuarve. Në këtë aspekt opozita mund të konsiderohet seriozisht në lartësinë e detyrës dhe misionit të kërkuar.
Mirëpo nuk mund të konsiderohet në këtë rol dhe lartësi detyre kjo opozitë kur shpalos në konferencë shtypi një raport ditor të një komisari policie të Qarkullimit Rrugor, për vlerësimin e shërbimeve dhe punës në qarkullimin e kryeqytetit gjatë një dite apo një jave. Marrëdhënie të tilla politike me dokumentacionin ditor të një komisari, politizojnë padrejtësisht punën dhe rolin profesionist të policisë dhe shtojnë premisat për implikime politike. Nuk ngjet në ndonjë vend fqinj apo të BE-së që opozita politike të merret me strukturat e policisë së qarkullimit rrugor dhe ta përdorë një raport pune të strukturave të qarkullimit si dëshmi të akuzimit apo kundërthënies politike.
Opozita përmes bojkotit parlamentar, po ripërsërit të njëjtin gabim të ish-opozitës së një viti më parë në vend. Nuk po ndjek me rigorozitet recencën e qeverisjes dhe sidomos të legjislacionit që përgatit dhe kalon aktualisht në Parlament kjo shumicë. Kjo detyrë e pakryer sjell pasoja të pariparueshme në të ardhmen ligjore dhe atë administrative të vendit. Në këtë qëndrim, opozita refuzuese padashur shkakton premisa dhe mundëson një terren të pakontrolluar. Ngjet sikundër ndodhi me skandalin e zbuluar me vonesë disavjeçare në Bankën Kombëtare Shqiptare, krijohet terreni i pakontrollit mbi kontrolluesit dhe institucionet e pavarura kushtetuese.
Opozita refuzuese është alternativë e keqe për vendin. Në plan të parë ajo ngjan se lidhet vetëm me shumicën politike apo me strategjinë e lidershipit të saj për të mos lejuar fraksionim apo goditje të brendshme politike. Një vizion i tillë shemb vlerën dhe domosdoshmërinë e opozitarizmit politik në vend. Fjala është për establishmentin opozitar që gjeneron reformimin e strukturave dhe institucioneve partiake të djathta. Ky institucion politik në këtë mënyrë dhe përmes kësaj alternative politikëbërjeje nuk realizon thelbësisht dhe përmbajtësisht rinovimin e lidershipit të kahut tonë politik, nuk nxit rekrutimin meritokratik të elitës opozitare dhe pengon formësimin e një strukture të re të spektrit partiak opozitar.
Kësi projektesh të domosdoshme në periudhën e një viti të shkuar as që nuk janë ideuar e shprehur e as nuk janë pjesë e procesit apo debatit të duhur. Forma e parathënë e veprimit dhe sjelljes bojkotuese të saj në Parlament, si dhe alternativa e aq shumëpërdorur në jetën politike të ish-udhëheqësit Sali Berisha, pra dalja në rrugë dhe protestimi i ashpër deri në kacafytje me policinë dhe shtetin, janë armët dhe mjetet tranzicioniste të cilat urrehen prej elektoratit dhe qytetarisë shqiptare.
Në këtë vend, politika gjendet para domosdoshmërisë së tejkalimit të vetvetes dhe përvojës së ndenjur të sjelljes dhe konfliktualitetit. Sikundër ajo prej lodhjes dhe prapambetjes së trashëguar, gjendet së pari vetë, në rrethanat dhe zhvillimet e refuzimit elektoral. Për këto arsye të mjaftueshme, opozita jonë politike duhet të ikë prej modelit: opozitë që vetëm refuzon.