Jordani, vriten tre ushtarë amerikanë nga një sulm me dron i mbështetur nga Irani
Tre ushtarë amerikanë u vranë e 25 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi kamikaz me dronë kundër forcave amerikane të vendosura në pjesën verilindore të Jordanisë në kufi me Sirinë, tha Presidenti Biden të dielën përmes një deklarate. Ai tha se sulmet ishin kryer nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani.
“Ndërsa ende jemi duke mbledhur faktet rreth sulmit, ne e dimë se është kryer nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak”, tha zoti Biden në një deklaratë.
Mediat amerikane po raportojnë për një numër më të madh të plagosurish mes trupave amerikane, rreth 35.
Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara “do t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që janë të përfshirë dhe ata do të japin llogari në momentin dhe mënyrën që zgjedhim ne”.
Televizioni shtetëror jordanez citoi një zëdhënës të qeverisë jordaneze, Muhannad Mubaidin, i cili këmbënguli se sulmi ndodhi jashtë mbretërisë, përtej kufirit, në Siri. Zyrtarët amerikanë këmbëngulën se sulmi ndodhi në Jordani.
Rreth 3,000 trupa amerikane janë të stacionuar në Jordani, një vend që kufizohet me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se krahas 3 ushtarëve të vrarë, u plagosën edhe 25 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane.
Sulmi shënon vdekjet e para mes trupave amerikane në rajon që nga fillimi i luftës në Gazë. Presidenti Biden tha se sulmi ndodhi mbrëmjen e së shtunës.
Sulmi përshkallëzon edhe më tej situatës tashmë të tensionuar në Lindjen e Mesme si rezultat i konfliktit në Gazë, që u nxit nga sulmi i militantëve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1200 persona. Ofensiva izraelite që pasoi në Rripin e Gazës ka shkaktuar vrasjen e mbi 26,000 palestinezëve, sipas ministrisë lokale të shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë mbajtur qëndrimin zyrtar se Uashingtoni nuk është në luftë në rajon, ushtria ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave të lëvizjes jemenase Houthi e cila ka sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq.
Që nga fillimi i konfliktit në Rripin e Gazës, trupat amerikane në Irak dhe Siri janë përballur me sulme me dronë dhe raketa. Sulmi në Jordani shënon rastin e parë që trupat amerikane sulmohen në atë vend.
Muajt e fundit ushtria amerikane ka goditur objektiva në Irak, Siri dhe Jemen në përgjigje të sulmeve nga forcave amerikane në rajon dhe për të penguar rebelët Houthi të mbështetur nga Irani që të vazhdojnë të kërcënojnë transportin tregtar në Detin e Kuq.