Kryeartikull

Ka rënë modeli, jo guvernatori

SKËNDER MINXHOZI

Skender MinxhoziKaluan vetëm pak orë dhe për ish-guvernatorin Adrian Fullani ka nisur të flitet në kohën e shkuar. Pardje, Këshilli Mbikëqyrës votoi shkarkimin e tij, kurse krerët e lartë të institucioneve nisën konsultimet për të projektuar atë që mund të quhet “epoka post-Fullani”. Gjykatat u kujdesën që ish-guvernatori të mbetet në burg, ndërsa priten masa të tjera të ashpra, pas 18 arrestimeve të deritanishme.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar katër ditë nga arrestimi i njërit prej njerëzve më të fuqishëm në vend, thashethemet rreth faktorëve që çuan në burg Adrian Fullanin, vijojnë më të gjalla se kurrë. Dy kampet politike duket se kanë tendencë t’ia faturojnë nën zë njëri-tjetrit arrestimin. Këtë gjë duket se e beson edhe opinioni publik, i cili merret gjerësisht me kalkulime nga më të habitshmet, duke nisur nga roli i Berishës, e deri tek influenca e Samitit të Uellsit! Çka nënvizon në themel, një mosbesim thuajse total të shqiptarëve, ndaj mundësisë që burgosja e ish-guvernatorit të ketë qenë një proces i maturuar brenda mureve të Prokurorisë së Përgjithshme.

Një tjetër kapitull po aq me interes duket të jetë ai i përfitimeve politike nga kjo ngjarje. Me arrestimin e Fullanit, të gjithë shpresojnë indirekt, që të marrin një “certifikatë” të vogël ndershmërie, performance dhe profesionalizmi. Kjo është ligjësia e arrestimeve të bujshme, në një vend ku rëndom nuk hyn askush në burg. Megjithëse mbajti një profil të ulët gjatë javëve të fundit, shumica qeverisëse nuk ka pse të ndihet keq për heqjen qafe të një zyrtari që krijoi një problem jo të vogël perceptimi publik, për sinqeritetin e luftës së saj kundër korrupsionit. Së dyti, edhe vetë drejtësia ka rastin të rrahë paksa gjoksin sot, për të na thënë “e shihni ç’bëmë, s’jemi aq të këqij sa na kujtoni”! Kurse Presidenti ka mundësinë të ndërtojë një strategji të tijën për emërimin e guvernatorit të ri, ndërsa opozita, nga ana e saj, mund të shohë në këtë situatë të re, mundësinë e rivendosjes së dialogut me palën tjetër, për emrin e pasardhësit të Fullanit. Shumëçka mund të jetë relative dhe fluide në këto orë në këtë histori, por një gjë u vërtetua: u desh hyrja e Fullanit në burg, që kreu i shtetit dhe Kryeministri t’i japin dorën njëri-tjetrit!

Adrian Fullani e meritonte largimin nga posti i guvernatorit, e kjo jo vetëm për skandalin e 7 milionë dollarëve të vjedhura, por për një epokë të tërë menaxheriale të dështuar në krye të Bankës së Shqipërisë, gjatë së cilës ai ndërtoi një sulltanat të padeklaruar. Por, nga ana tjetër, gjesti i skajshëm i arrestimit të tij, po u jep mundësinë të gjithë atyre që kërkuan kokën e tij, që të ngrenë zërin, për të lëvduar “forcën e shtetit ligjor”. Të gjithë e dimë që kjo është thjesht e pavërtetë. Burgosja e Adrian Fullanit nuk është as fundi i epokës së errët të korrupsionit endemik dhe aq më pak fillimi i erës së re të zbatimit rigoroz të ligjit. Shqipëria nuk u bë Zvicër sepse hyri në burg guvernatori i Bankës Kombëtare.

Për pasojë, çdo abuzim me ngjarjen (e bujshme, padyshim), përbën një përdorim banal të një hapi që duhet të jetë premisë themelore për të ndërtuar një sistem bankar, që të respektojë dhe të ruajë paranë publike, e jo ta hedhë atë nga dritarja.

Fullani ndërtoi një sistem nepotik dhe koniunkturor në institucionin që drejtoi. E bëri këtë në harkun e një dekade, me ndihmën, bekimin, mbështetjen, presionin, heshtjen dhe bashkëfajësinë e të gjithë vitrinës politike së këtij vendi. I zgjedhur nga e majta, ai u bë me kalimin e kohës një fëmijë i mbrojtur i së djathtës. Ikja e Fullanit, më shumë sesa rënien e një personi, shënon fundin e një modeli.

Dënimi i tij, cilido qoftë ai, duhet të jetë edhe dënimi i bashkëjetesës së deformuar dhjetëvjeçare, mes politikës dhe Bankës së Shqipërisë. Dënimi dhe zëvendësimi i guvernatorit, pa dënuar njëherësh edhe mentalitetin që i lejoi atij atë lloj drejtimi të bankës, do të ishte një gjest gjysmak që politika duhet t’ia kursejë shqiptarëve. E ky ndryshim kursi fillon me gjetjen e një pasardhësi të Fullanit, që të mos jetë rezultat i pazareve e kulisave banale numerike, në të mëngjër dhe në të djathtë të sallës së Parlamentit, por një përzgjedhje që të synojë shëndoshjen e imazhit të bankës dhe imunizimin e ardhshëm të saj, ndaj precedentëve si ky i tanishmi. Pa këtë hap, ngjarja e bujshme e burgosjes së kreut të Bankës së Shqipërisë do të ketë shërbyer vetëm për disa faqe të para gazetash, e asgjë më tepër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button