Kalaja, një prej rebelëve të Spaçit: Një jetë me pranga
I përket formulës së njohur të dënimeve komuniste: një familje e pasur, me të arratisur dhe kundër regjimit. Si shumë të burgosur të tjerë politikë shqiptarë, por të vërtetë ama. I tillë mes të shumtëve edhe 68-vjeçari Agron Kalaja, që me 20 vite burg politik në historinë e jetës së tij, pret që këto ditë të dekorohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i propozuar me nderim nga bashkëvuajtës të tjerë.
Zanafilla
I ati ishte dyqanxhiu i ushqimores së fshatit Zëmblak në Devoll, i cili “jo pasuri të mëdha, por kishte pesë lekë më shumë se të tjerët”, siç thotë Agroni. Në fakt kishte 13 ha tokë dhe 110 copë napolona floriri, të dokumentuara dhe sot, në çastin kur ia behu pushteti popullor dhe gjithçka iu sekuestrua prej komunistëve të rinj. Kishte qenë legalist, ballist, por kishte ndihmuar gjatë luftës me ushqime pa dallim edhe komunistët. Në vitin 1951, kur i kërkuan të bashkohej me kooperativën, ai dhe disa të tjerë nuk e pëlqyen këtë ide, ose më saktë, nuk e deshën. Por vetëm sepse nuk deshën ‘të martoheshin’ me hir apo me pahir me kooperativën, nisi dhe u rrokullis duke marrë ç’gjente përpara orteku i të gjitha vuajtjeve deri aty ku nuk mbante më. Me shumë gjasë u sajua një zjarr në fshat, për të akuzuar babain e Agronit, Avdyl Kalanë, se ai dhe disa kundërshtarë të tjerë të kooperativës ishin ata që e dogjën. “Në fakt as që mund të imagjinohej ta kishte bërë babai. Ishte vetëm një sajesë e Sigurimit të Shtetit. Nëna na tregonte që babanë e arrestuan, duke fjetur gjumë madje. Dhe në atë periudhë dënuan dhjetë veta; babain dhe një tjetër i varën në litar, të tjerët me shumë vite burg”, kujton duke dëshmuar Agroni. Dhe jo vetëm i ati, por edhe halla, xhaxhai, edhe pse vetëm nga 18 vjeç, u arrestuan edhe ata si ‘armiq të popullit’ për të vuajtur nga 15-20 vjet burg. Ndërsa kush mbeti dhe mundi nga familja, u arratis. Por bashkëshortja dhe fëmijët e babait të varur, domethënë bashkë me Agronin, asokohe 7 vjeç, u internuan në Grabian të Lushnjës. “E nga mund ta doja unë atë regjim, që më masakroi babain dhe gjithë familjen, që më mori gjithë pasurinë?!”, thotë Agroni. E këtë mungesë dashurie sa nga mosha prej adoleshenti, sa nga karakteri dhe ngacmimet reale, e shprehte me fjalë. Edhe në trakte, në këtë rast antikomuniste. “Kam hedhur trakte nga të mundja. Kam shkruar në to që Shqipëria është një kopësht zoologjik i thurur me tela me gjemba, nga ku nuk dalin dot as zogjtë”, se “kooperativistët marrin 20 lekë për ditë pune, por nëse ka prodhim i marrin dhe aq lekë”. Por ajo që e rëndoi më shumë në dënimin e mëpasshëm do të ishte përgojimi i numrit një, vetë Enver Hoxhës. “Pata thënë se kur studionte në Francë e përjashtuan nga universiteti, sepse ishte homoseksual dhe me pseudonimin ‘Marjana’. Këtë e dija nga të internuar që kishin qenë në një shkollë me të dhe ngaqë më donin e kishin besim tek unë, hapeshin. Dhe unë i mbrojta, duke mos i treguar në gjyq”, kujton Agroni. Provoi edhe të arratisej drejt Greqisë me një shok tjetër korçar, ashtu si xhaxhallarët që u arratisën në Gjermani, SHBA, Kanada. Por nuk pati fat si ata, u kap nga rojet e kufirit. Dhe me gjithë ato akuza mbi shpinë, edhe pse vetëm 18 vjeç, Agron Kalaja u dënua me pushkatim si “Armik i Popullit”. “Atë periudhë jetoja në një birucë i lidhur këmbë e duar, që më zgjidheshin vetëm kur shkoja në banjo. Me kokore në kokë, që mos përplasja kokën në mur për të vrarë veten. Haja në ditë vetëm 600 gr bukë dhe një garuzhde supë të gatuar keq. Nga 80 kg përpara se të arrestohesha, u katandisa ndoshta 40 kg njeri. Në pritje të ditës kur do të më merrnin dhe ekzekutonin, siç bënin me shumë të tjerë që sot nuk iu dihen eshtrat ku i kanë. Kur krejt papritur në Lushnjë kalon Kadri Hazbiu dhe pasi e kishte dëgjuar emrin tim që ishte bërë tërkuzë, bëhet kurioz që të shohë se kush ishte ky Agron Kalaja”, rendit në kujtesë Agroni. Dhe Kadriu Hazbiu pa ashtu të lidhur këmbë e duar e pa fuqi një adoleshent të parritur e menjëherë iu hakërrye rojeve: “Ama ky qenka Agron Kalaja! Këtë kalama e paskeni bërë problem kaq të madh ju! Zgjidheni!”,- i urdhëroi ashpër ata. Dhe pas kësaj Agronit jo krejt pa fat, iu fal jeta. E nga njëzet e pesë vjet, dënimi iu ul në njëzet vjet. Njëzet vjet, më shumë se katërmbëdhjetë vitet e Kontit të Monte Kristos, e poshtë dritareve të Burgut të Spaçit apo Burrelit nuk kishte as ndonjë det nga ku mund të sajohej një arratisje e mundshme…
‘Qiell përtej mureve me hekura’
Mori fund ankthi i vdekjes, iu shpëtua jeta, por ama ajo nisi t’i nxihej. Nisën ta sulmojnë vuajtjet që buronin nga vendi të cilit i përkiste: burgu ose më saktë ‘ferri i tokës’, siç e ndjen se ishte. E lipsej një shpirt dhe trup i fortë për të duruar goditjet e tij pambarimisht; kequshqyerje, injeksione për t’i çmendur, dikujt i prisnin edhe gjuhën me thikë, vetmi dhe izolim i vetëkuptueshëm, ku ëndrra më e madhe ishte vetëm të dilej një orë e më parë nga aty. Por iu duhej ta harronin matjen e orëve në vitet e gjata të një pakti të detyruar që kishin bërë tronditshëm me qelinë.
“Por sa më shumë na keqtrajtonin, aq më shumë shtohej urrejtja dhe aq më fisnikë bëheshim në shpirt”, thotë Agroni. Si pa veshë e pa sy, nuk shihnin dhe dëgjonin as gazeta, radio apo televizor. Lajmet i merrnin vesh ashtu nga lëvizjet e policëve, si të ishin minj eksperimentalë, të cilëve iu vërehet me padurim reagimi. “Hajt, lëviz!”, “Shpejt! Përjashta!”. Kur kulmonin të bërtitura të tilla, domethënë diçka me rëndësi kishte ndodhur. Por më shumë ata jetonin me ëndrrat e së ardhmes dhe të shkuarën, kjo më moderne se e tashmja, sepse përcillej nëpërmjet leximit të gjigandëve botërorë të mendimit dhe ndjenjave. “Librave iu vinim kopertinat e veprave të Enver Hoxhës, por në fakt brenda ishin Dante, Fishta, Bodler, Rembo…Policët nuk merrnin vesh dhe ne kemi lexuar me qindra mijëra libra në burg, që na i patën lënë figurat e mëdha të kombit që patën fatin tonë”, thotë Agroni.
Në Revoltën e Spaçit, ai dha pika gjaku, duke shpuar gishtat me gjilpërë, për të lyer bezen e bardhë, që u pikturua nga të burgosurit si flamur kombëtar, por pa yllin komunist. Shqiponjën, Agroni kujton që e vizatoi Mersin Vlashi, piktori që bëri 33 vjet burg dhe ka vdekur vetëm para pak mujash në varfëri, i pakujtuar nga askush dhe me tre fëmijë me të meta mendore, tanimë të mbetur jetimë.
E ndërsa vitet pasonin njëri-tjetrin dhe jeta jashtë burgut ishte një ‘mollë e ndalueme’ të cilën nuk e besonte dot se mund ta prekte edhe ai, në fakt edhe pse e largët, erdhi dita për të trokitur, hyrë dhe për t’u bërë edhe Agron Kalaja banor i saj. “E dija që nuk do të më priste liria që doja, por më mirë se sa burgu do të ishte, sigurisht”, krahason Agroni.
Ditën e fundit të burgut, përpara se të dilte brenda jorganit me të cilin flinte, fshehu prangat, ‘miket’ e tij të vjetra torturuese. E kërkoi jorganin me pretekstin se nuk kishte me çfarë të flinte dhe i ruan edhe sot. Ashtu sikurse ruhen reliket e gëzimit, ai ka ruajtur dhe ato të vuajtjes së tij. Sa të urryeshme, aq edhe bashkëshoqëruese, të pafajshme. Dhe i vetëm dhe me prangat në torbë u nis i çoroditur në kërkim të një jete ndryshe. Jeta e re do të ishte sigurisht në internim, aty ku e priste dhe çfarë kishte mbetur nga familja e sakatuar dhe të tjera andralla. Ishte viti 1988 dhe ende nuk kishte rënë komunizmi, por gjithsesi tani po i afrohej një botë pak më bujare.
Grua, dashuri dhe familje pas njëzet vjetësh
“Kur dola nga burgu isha i pamësuar dhe gratë më dukeshin si alienë, si të ardhura nga tjetër planet apo dhe si pula të vogla”, thotë kur kujton momentin e parë të kontaktit me nuk pati parë asnjë grua me sy. Nuk ishte as Konti i Monte Kristos, që të kishte lënë një dashuri përtej hekurave dhe të jetonte me kujtimet dhe ëndrrat se po e priste besnike. Ishte burgosur 18 vjeç ndaj Agroni thjesht ëndërronte dhe helmin e ëmbëlsonte pikërisht me ëndrrat, por nga ana tjetër trupi dhe shpirti numëronin çastet e cunguara dhimbshëm. “Ne jetonim vetëm me ëndrra, me histori librash, me sikur, se ishallah kur të dal…” Agroni sot nga rinia e tij ruan vetëm një foto të vetme. E shkëputën nga jeta ‘si gjithë të tjerët’ pa pasur mundësi të koleksiononte foto dhe në burg as që konfigurohej ndonjë vështrim, buzëqeshje apo qullufe e bukur mbi sy përpara aparatit. Gjurmët e kohës rrjedhëse fiksoheshin vetëm në kujtesë. Në foton e vetme dëshmi që ka të rinisë së tij, zbulon një djalosh tek i cili shpërthen energjia dhe bukuria jo e zakontë e një djali me trup dhe profesion sportist, një fytyrë e bukur mashkullore dhe veshje trandy për kohën.
Por dhe kur doli nga burgu ishte një burrë i pashëm, pavarësisht rudhave të vuajtjes. E prezantuan me një vajzë me të cilën ngjante edhe në vuajtje. Edhe ajo jetonte në internim. E në këtë pikë, që nuk ishte pak, ata do të kuptoheshin deri diku. “Por prapë nuk ishte e lehtë bota e tij me timen. Unë isha shtatëmbëdhjetë vjeçe kur u martova, ai dyzet. Dhe vitet e para ishin të vështira -, thotë Zhaneta, bashkëshortja e Agronit, – Ai ishte i ndrojtur, se si i dukesha, kishte momente që rrinte i vetmuar, i menduar dhe nuk doje t’i flisje, sikur të ishte në vetminë e burgut. Unë qaja dhe më dukej sikur e mërzisja unë. Por ishte kunata ime ajo që më qëndronte afër: “Mos ia vër re se ka vuajtur”, më thoshte, ndërsa Agronin e qortonte me: “Ajo është fëmijë. Përpiqu ta kuptosh”. Ndërsa mbrëmjeve më recitonte përmendësh pjesë-pjesë romanesh, dalëngadalë sikur të jetonte në botën e romanit”. Në këtë mënyrë rodhën 4 vitet e para, në të cilat shtëpia iu dukej edhe bosh, por kur lindi vajza, Agroni lindi dhe një herë. I rrinte te koka dhe qante nga gëzimi. Kur lindi djali ndau llokume nga gëzimi te ish-Shtëpia e Partisë ku qëndruan 5 vjet. “Hyri brenda në burg, nuk dihej a do të jetonte, por erdhi një ditë që u bë baba, e tani edhe gjysh dhe Zoti ia shpërbleu vuajtjet”, – thotë Zhaneta.