Kamikazët e mbijetuar japonezë: Historia jonë e sakrificave!
Historitë e pathëna të djemve që u bënë kamikazë për të mos lënë në baltë atdheun e tyre në nevojë, Japoninë e viteve 1945. Dëshira për të vdekur apo pamundësia për të jetuar? Zbuloni se çfarë kishte në mendjen e japonezëve që u vetësakrifikuan dhe atyre që shpëtuan për pak
Në vitin 1945, pilotëve japonezë u jepej për të plotësuar një formular i cili bënte një pyetje sa të thjeshtë aq edhe të ndërlikuar. Përgjigjet e mundshme ishin tre: “Dëshiroj shumë që të bashkohem”, “Do të bashkohem” dhe “nuk dua të bëhem pjesë”. Bëhej fjalë për rekrutim të kamikazëve në një periudhë kur Japonisë po i mbaronin trupat.
Hisashi Tezuka kujton se disa nga kolegët e tij shkruan shpejt përgjigjet dhe u larguan. Por ai dhe shumica e të tjerëve qëndruan në pamundësi për të vendosur. Në fund shkroi “Do të bashkohem”. Ata do të ishin kamikazët që do fluturonin avionët në misione të sigurta vdekjeje. Sipas statistikave amerikane, gjatë luftës në Tokio humbën jetën sipas kësaj mënyre, 2500 persona. Një nga pesë avionë kamikazë ia dilnin të godisnin shënjestrën e armikut.
Por përtej stereotipave se ata bërtisnin “Banzai” dhe i jepnin fund jetës, të mbijetuarit dhe dokumentet historike tregojnë për jetën e burrave të nxitur nga patriotizmi, vetësakrifica dhe nevoja. Ata dukej se kishin mundësi të shumta, por e vërteta është se formulari nuk përmbante asnjë mundësi të vërtetë.
Djemtë e parë të familjeve nuk ishin të përzgjedhurit, sepse kjo binte ndesh me Japoninë me mentalitet feudal. Tezuka ishte një student në Universitetin e Tokios, ai kishte gjashtë vëllezër dhe një motër dhe nuk ishte më i madhi. Ndaj ai ishte një përzgjedhje e mirë, thotë ai vetë duke qeshur.
Atij iu dha pesë ditë leje për të vizituar prindërit. Ai nuk kishte zemër t’u thoshte prindërve se do të bëhej një kamikaz. Ka diçka absolute për të qenët një kamikaz thotë ai: “Shkon në mision dhe gjithçka merr fund”.
Ai mbijetoi vetëm sepse perandori Hirohito lajmëroi kapitullimin e Japonisë në një transmetim në radio, sapo ai ishte ngjitur në një tren për të shkuar te shënjestra ku do bënte sulmin kamikaz.
“Isha i vendosur të vdisja”, thotë ai. “Mendja më ishte zbrazur plotësisht”. Ai ishte 23 vjeç. Tani është 93, teksa thekson se ka jetuar katër herë më shumë se shumë kamikazë.
Atij i pëlqente aq shumë të fluturonte me një avion të tipit Zero, saqë nuk kishte stomak të fluturonte me një avion transportues pas luftës. Atij i kishte ardhur aq shumë në majë të hundës lufta, saqë nuk donte të hynte në ushtri, ndaj filloi një biznes këshillimi importesh.
Shpesh vizitonte fermerët amerikanë. Nuk u tha kurrë atyre se do të kishte qenë një kamikaz. Një burrë trupmadh me një mendje të zgjuar, Tezuka tregon për një foto të vetën si luftëtar i kohës së luftës.
Një shall mëndafshi i bardhë del më shumë në pah. “Shërbente për të na mbajtur ngrohtë. Mund të bëhej shumë ftohtë atje lart”, thotë ai.
Merr në duar një avion lodër si ato që fluturonte dhe buzëqesh ndërsa i lëviz motorin. Sjell në mendje stërvitjen, fluturimet në formacione mbi pyje dhe liqene. Sipas tij, ishte aq mahnitëse saqë të bënte ta harroje luftën.
“E di si duket një ylber kur po fluturon?”, pyet ai teksa sytë i shkëlqejnë nga një entuziazëm prej fëmije. “Është një rreth perfekt”.
Pilotët e njohur si “Zero” ishin meshkujt më të dëshiruar të kohës. Në fotografi që po i zbeh koha, ata pozojnë për portrete me buzëqeshje të mëdha dhe syze që i qëndronin mbi helmeta dhe me shallet që i fusnin nën xhaketa.
Zero fitoi çmime edhe nga armiku. Disa japonezë përfshiheshin në listat e ushtarëve vetëm për të fluturuar një Zero. Masao Kanai vdiq në një mision kamikaz pranë Okinauas në 1945. Ai ishte 23 vjeç. Nën një program që nxiste studentët të mbështesnin ushtrinë imperialiste, ai i shkruante vazhdimisht një shoqeje shkolle 17-vjeçare, Toshi Negishi. Gjithsej shkëmbyen 200 letra.
Ata u përpoqën të dilnin për t’u njohur vetëm një herë, kur ai kishte një mundësi të rrallë për të ikur nga stërvitja dhe vizituar Tokion. Por ishte 10 marsi 1945, menjëherë pas sulmeve ajrore të njohura si “bombardimi i Tokios nga ajri”. Ndaj ata nuk u takuan kurrë.
Përpara se ai të fluturonte në misionin e tij të fundit, i dërgoi asaj dy varëse të vogla që i kishte bërë me dorë, një zemër dhe një avion luftarak Zero. Zemra mbante inicialet e të dyve.
Negishi i vuri varëset vetëm një herë, pastaj i mbajti në një kuti për 70 vjet. Së fundmi i dhuroi bizhutë në një muze përkujtimor për kamikazët në Kasam, në veri të Tokios. Vullnetarë nga komuniteti vendosën të ruanin kujtimin e kamikazëve që u përpoqën të bllokonin planet për të shkatërruar pikërisht atë ndërtesë që sot shërben për përkujtimin e tyre.
Vullnetarët kanë ekspozuar foto, letra, helmeta, copëza të avionit Zero dhe mbetje të tjera të asaj kohe. Mes tyre ishte dhe letra e fundit e Kanait për familjen.
“Nuk di nga t’ia nis. Shiu po bie lehtë. Një këngë po luhet në radio. Është një mbrëmje e paqtë. Do presim sa të rregullohet moti për të fluturuar në mision. Po të mos ishte për këtë shi, nuk do ekzistoja tanimë”…
*Burimi: Associated Press.