Kronika

Kandidatët në zgjedhje, në filtrin e Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka kërkuar që në kuadër të reformës zgjedhore kandidatët të kalojnë në filtrin institucional në lidhje me të kaluarën në Sigurimin e Shtetit, si dhe skanimi për zyrtarët të jetë automatik. Kërkesa është artikuluar nga kryetarja e Autoritetit, Genta Sula në Parlament.

Kuvendi nisi punimet me prezantimin e raportit vjetor të veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2017, nga kryetarja e Autoritetit, Genta Sula.

Kurimi i të shkuarës, konferencë ndërkombëtare “të mohuar nga regjimi”

Në raportin vjetor, Sula tha se është bërë shumë me kurimin e së shkuarës së regjimit komunist.

“Kemi bërë një punë voluminoze përsa i përket kurimit të së shkuarës duke bashkëpunuar me Institutin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike, është bërë thirrje për një konferencë ndërkombëtare që të titullohet:  “Të mohuar nga regjimi” , ku do trajtohen burgjet dhe sistemi i internimi, dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri dhe do të mbahet me 30 tetor. Kjo konferenë synon një qasje historike-juridike të punës së detyruar gjatë regjimit komunist. “Pjesë e këtij projekti është dhe hulumtimi mbi historitë jetësore të Kampit të Tepelenës”, tha Sula.

Me tej, Sula shtoi se partnerët ndërkombëtarë, ndonse kanë qenë bujarë për sa i përket bashkëpunimit nuk kanë dashur të përfshihen në skemën e financimeve, dhe mbetet në dorën e qeverisë dhe të parlamentit për financim në realizimin e projekteve të Autoritetit.

Kujtimi i ngjarjeve të përndjekjes

Sula tha se “kemi qenë aktiv në kujtimin e ngjarjeve të përndjekjes si kujtimi i ngjarjes së ekzekutimit të deputetëve të opozitës apo kujtimi i ngjarjes së bombës në ambasadën sovjetike”.

“Kemi qenë aktiv në kujtimin e ngjarjeve të rëndësishme të përndjekjes komuniste duke bashkëpunuar me shoqatat e të përndjekurve, familjarët e të prekurve dhe institucioneve partnere. Përkujtimi në përgjithësi ka synuar ekspozimin e materialeve arkivore në formë dixhitale të deklasifikuar, me pjesëmarrje aktive të historianëve të fushës dhe të kohës duke bërë bashkë sa më shumë grupe të shoqërisë, sigurisht duke përfshirë rininë”, tha Sula.

Më tej Sula listoi punën e kryer: “Aktivitetet përkujtimore si 100-vjetori i Musine Kokalarit, përvjetori i hedhjes së ashtëquajturës bombë në ambasadën sovjetike, tragjedia e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, përkujtimi i ekzekutimit të grupit të deputetëve apo përkujtimi i 23 gushtit, si dita europiane e kujtimit të viktimave të sistemeve totalitare”.

“Në këtë kuadër, gjatë viti 2018 po zhvillojmë ekspozita me materiale arkivore të klasifikuara të zbardhura të cilat hapin dosjet e sigurimit në përputhje me ligjin. Ju kujtoj, kemi bërë hapjen e dosjeve të Spaçit prej mijëra faqesh për Revoltën e Spaçit. Dhjetëra mijëra faqe të përndjekjes në Konispol, ku ishin tragjedia  e grupit çam në ushtri”, shtoi Sula.

Ekspozimi i dosjeve sekrete dhe periudha e Zogut dhe dosjet e Kosovës

Po ashtu, Sula tha se ne “parashikojmë  të ekspozojmë koleksione me vlerë historike të padiskutueshme për kampet dhe burgjet me punë të detyruar në përgjithësi”.

“Në plan është dhe aktiviteti i Ahmet Zogut dhe përplasjeve të kohës. Fondi mbi Kosovën ku ka histori të kosovarëve dhe fati i tyre në Shqipëri”, tha Sula.

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Sula ka cilësuar si sfida të këtij institucioni krijimin e kushteve për ruajtjen e dosjeve dhe financimin e këtij institucioni.

12 mijë persona, personel i Policisë të kalojnë në filtra

Sula e konsideron si domosdoshmëri mbështetjen e këtij institucioni sepse fluksi është në rritje, madje theksoi se 12 mijë punonjës të policisë do të kalojnë në siten e këtij institucioni.

“Problem janë kushtet fizike të ruajtjes së fondeve dhe radhët e gjata të qytetarëve. Materialet janë të një trashëgimie të madhe kulturore. Materialet kërkojnë të ruhen dhe kërkoj vëmendjen e Parlamentit dhe të Qeverisë sepse dokumentet duhen ruajtur. Numri i kërkesave është rritur. Kemi dyfishim të kërkesave për individ dhe katërfishim të kërkesave për studiuesit dhe mediat. Presim një fluks përsa i përket figurave me aprovim nga parlamenti për Vetingun e Policisë dhe po na presin 12 mijë të personelit të policisë të kalojnë në filtrat tanë”, tha Sula.

Zyrtarët dhe politikanët të kalojnë në mënyrë automatike skanerin e Autoritetit

Sula theksoi se një kërkesë tjetër e institucionit që e ka diskutuar edhe në Komisionin e Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut është të mbështetet iniciativa për përmirësime ligjore dhe proceduriale.

“Kemi katër kerkesa për ndryshimet ligjore: Së pari, kërkesës për verifikim të figurave të larta të mos jetë 2020, por të shtyhet. Së dyti, verifikimi të mos varet nga kërkesa e kandidatëve për institucionet por të jetë automatik, këtë e kemi parë në Bullgari dhe funksionon. Së treti, meqenëse po bëhet reforma zgjedhore mendoje  se duhet të ketë disa parashikime të caktuara që të lejohet kandidatët të kalojnë në filtrin e institucionit tonë. Dhe e katërta kërkojmë që institucioni të kthehet në një institucion të plotë përkujtimi e të trajtojë çështjet pa kufizime të ngurta kohore”, theksoi Sula.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button