Kanë, “Palma e artë” i jepet “Unë, Daniel Blake”
Filmi i regjisorit britanik, “Unë, Daniel Blake”, fitoi “Palmën e artë” në Festivalin e Kanës, i dyti çmim i madh ky për 79-vjeçarin Ken Loach pas atij të 2006-s.
Ndërsa pranonte nderimin e bërë, Loach sulmoi “projektin e rrezikshëm të masave antikrizë”, ndërsa tema që shtjellon filmi i tij është jeta e një burri të moshës së mesme të mbetur të ve dhe sistemi britanik i ndihmës sociale.
“Shpresoj shumë që ta kenë ndierë atje jashtë atë çfarë përcjell ky film. Shpresoj ta kenë ndierë ashtu si ne, se burokracitë shtetërore tani janë pak të thuhet mizore, se i poshtërojnë njerëzit dhe këto vijnë nga programet e masave antikrizë. Kjo po na vret ngadalë, po vret miliona vetë, po vendos përballë vështirësish të skajshme, ndërsa elita e pasanikëve është shumë e vogël”, tha regjisori Ken Loach.
Për Loach, që ka realizuar mbi 50 filma e përgjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij ka qenë edhe aktivist social, kjo ishte hera e 13 që konkurronte në ngjarjen e rëndësishme të filmave premierë. Regjisori i lindur në Kent, Andrea Arnold, fitoi çmimin e jurisë për filmin e tij “American Honey”, ndërsa filmi iranian “Forushande” – apo “Shitësi” – i Asghar Farhadit mori dy çmime, atë të skenarit dhe të aktorit më të mirë të fituar nga Shahab Hosseini.