Kaos në kryeqytet, Tirana sot pa autobusë, sindikata: Grevë 24 orë, Këshilli Bashkiak të vendosë cmimin e biletës
Tirana përjetoi sot një kaos të vërtetë në qarkullim. Shkak u bë greva e punonjësve të transportit urban të kryeqytetit që kërkojnë një çmim të ri për biletën e udhëtimit me autobus brenda qytetit. Kërkesa i drejtohet Këshillit Bashkiak të Tiranës që pritet të mblidhet sot, ndërsa greva është caktuar 24-orëshe.
“Ne kërkojmë çmimin e saktë të biletës që bëhet përmes Shoqatës së Transportit dhe Bashkisë së Tiranës. Por çmimi 30 lek ne na bllokon si sindikatë që të bëjmë kontratat kolektive me shoqatat e autobusëve. Mund të jetë dhe 200 lekë, dhe falas, por të fiksohet një çmim. Nëse sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nuk ndodh gjë sot, e para gjë që do të bëjmë, do të marrim nismën që parlamentit ti kthejmë ligjin dhe të vijojmë negociatat”.
Përfaqësuesi i sindikatave nuk bëri të ditur nëse do të ketë grevë tjetër apo jo.
“Mund të ketë protestë tjetër, por nuk e di, se nuk bëhet protesta me mendim personal.”.
Kurse pyetjes se përse e ka vonuar Këshilli Bashkiak vendosjen e çmimit, përfaqësia e sindikatave tha: ‘Nuk ka asnjë të dhënë!”.
Pas grevës treorëshe të zhvilluar ditën e djeshme, sindikata duket e vendosur të vijojë me grevën njëditore. Kreu i sindikatës së punonjësve të transportit, Zija Hasani ka deklaruar se asnjë linjë urbane në kryeqytet të mos qarkullojë në Tiranë, duke paralizuar këtë shërbim, për arsye se 400 punonjës të këtij shërbimi nuk kanë marrë pagat prej disa muajsh. Bllokimi i transportit publik gjatë gjithë ditës së enjte ka ngjallur pakënaqësi te qytetarët, pasi sipas tyre, kërkesat e shoqatës së transportit nuk janë të justifikuara, në një kohë që dhe çmimi i karburantit është ulur.
Shumë prej pasagjerëve të pyetur kanë thënë se rritja e çmimit edhe me 10 lekë është kosto shumë e madhe për buxhetet e familjeve të tyre.
Sindikata në grevë
Punonjësit e transportit, rreth 400 shoferë dhe faturino në linjat urbane të kryeqytetit, nuk kanë marrë pagat e tre muajve të fundit. Për këtë arsye sindikata, pas grevës treorëshe paraditen e djeshme, sot ka vendosur që të bojkotojë punën për 24 orë, duke mos e ofruar këtë shërbim në Tiranë. Sipas kreut të sindi-katës, Zija Hasani, nëse nuk miratohet çmimi i ri i biletës, ata do ta përshkallëzojnë grevën. “Ne grevën 24-orëshe e bëjmë jo vetëm për pagat e punonjësve, por edhe për të kërkuar rritjen e çmimit. Çmimi nuk mund të jetë 30 lekë, duhet të miratohet një tarifë e re. Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, do të bllokojmë punën pa afat”, – tha kreu i sindikatës së punonjësve të transportit urban, Hasani. Ndërsa nga ana tjetër, Shoqata e Transportit Urban Qytetas ka deklaruar se po negociojnë për pezullimin e grevës 24-orëshe, por Sindikata e Punonjësve të Shoqërive të Transportit Urban shpalli grevë njëditore sot, më 12 shkurt, duke mosofruar shërbim të transportit urban.
Qytetarët
“Jemi katër vetë në familje që udhëtojmë me transport publik çdo ditë; edhe 10 lekë të rritet bileta na rëndon, jo më 50 lekë apo 70 lekë që kërkon shoqata. Jemi të irrituar edhe ne me sjelljet e tyre, se ecin ngadalë, tejmbushen, shpeshherë vonohemi për në punë dhe zbresim dhe i bëjmë në këmbë një apo dy stacionet e fundit. Nëse rritet çmimi, edhe ne si qytetarë do dalim në protestë”, – tha një pa-sagjer. Pasagjerët e pyetur kanë deklaruar se, nëse do ketë rritje të çmimit të biletës, edhe ata do të nisin protestat. “Operatorët e linjave urbane vetëm kërkojnë rritje çmimi, por cilësi nuk duan të japin. Jam student dhe asnjëherë nuk e kam marrë abonenë mujore me çmimin real 600 lekë, por gjithmonë më shtrenjtë, 800-900 lekë, dhe ka pasur muaj edhe 1.000 lekë. Punonjësit e tyre i vjedhin, sepse edhe biletat në shumë raste nuk na i japin. Nëse duan të vënë rregull, të vendosin bileta elektronike si i ka gjithë bota. Pezullimi i shërbimit për një ditë është i padrejtë për ne si përdorues të transportit publik”, -shprehet një tjetër pasagjer. Ndërkohë që, ka pasagjerë të tjerë që ironizojnë grevën e punonjësve, pasi sipas tyre, punonjësit të mjaftohen me kërkimin e rrogës dhe jo të kërkojnë rritje çmimi. “Më duket absurde që punonjësit, në vend që të kërkojnë rrogat që nuk kanë marrë, kër-kojnë rritje çmimi të biletës. Ta kërkojnë pronarët e tyre rritjen e çmimit, se është qesharake kur e kërkojnë këta”, – shprehet një tjetër pasagjer.