Kapet me armë zjarri në motor, arrestohet 49-vjeçari në Tiranë
Policia e Tiranës ka arrestuar një 49-vjeçar, i cili u kap në flagrancë në Rrugën e Elbasanit, duke transportuar një armë zjarri me motomjet.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Eksponenti”, pas administrimit të informacioneve të siguruara gjatë punës operative.
Gjatë kontrollit të motomjetit me të cilin lëvizte 49-vjeçari, efektivët gjetën një pistoletë me municion, të cilën ai dyshohet se do ta trafikonte.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet edhe një jelek antiplumb. Policia bën me dije se 49-vjeçari kishte precedent të theksuar për krime kundër jetës dhe armëmbajtje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit me municion, jeleku antiplumb, motomjeti dhe telefoni celular i të arrestuarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.