MADRID – Zelensky diskuton me zyrtarët amerikanë raundin e ardhshëm të bisedimeve Ukrainë-Rusi
MADRID/KIEV, 5 nentor /ATSH-Ukrinform/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka diskutuar me zyrtarët amerikanë përgatitjet e raundit të ardhshëm të bisedimeve me Rusinë në Abu Dabi, gjatë vizitës së tij në Madrid.
Zelensky tha dje se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
“Bisedimet duhet të vijojnë për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt”, tha Zelensky, sipas zyrës së tij në Kiev.
Ai shtoi se Ukraina ishte e gatshme të ndërmerrte hapat e nevojshëm dhe se propozimet e saj ia kishte paraqitur tashmë palës amerikane.
“Paqja nuk ka alternativë dhe garancitë e sigurisë pas luftës, duhet të jenë vërtet të pakushtëzuara dhe të qëndrueshme. Po punojmë që kjo të bëhet realitet”, deklaroi Zelensky.
Takimi tripalësh, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërmjetësojnë mes Ukrainës dhe Rusisë, synon të rifillojë procesin diplomatik të ndërprerë në shkurt.
Bisedimet janë planifikuar të zhvillohen të martën dhe të mërkurën në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Megjithatë, pritshmëritë për një përparim të rëndësishëm mbeten të ulëta, pasi Moska deri më tani, nuk ka treguar gatishmëri për të hequr dorë nga synimi i saj për të nënshtruar Ukrainën.
Zelensky përshëndeti gjithashtu bisedimet e zhvilluara dje në Bruksel për rindërtimin e vendit të tij, të dëmtuar rëndë nga lufta.
Në takim morën pjesë Gjermania, Franca, Britania e Madhe, SHBA-ja, Bashkimi Evropian, NATO-ja, Banka Botërore dhe Ukraina.
“Garancitë e sigurisë për Ukrainën do të diskutohen në Bruksel të enjten”, tha Zelensky.
“Gjatë vizitës në Spanjë, vëmendja u përqendrua te bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, mbrojtja ajrore dhe siguria e civilëve”, shtoi presidenti ukrainas. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.