Kasacioni italian konfirmon rrugën drejt Francës për provën e enkriptuar SKY ECC
Nga Isuf Shehu – Avokat
Vendimi nr. 571/2026 i Gjykatës së Lartë të Kasacionit italiane, i shpallur më 9 Qershor 2026 dhe i depozituar i arsyetuar më 22 Korrik, shënon një moment qartësie në një terren ku konfuzioni ka qenë deri tani rregull. Seksioni i Gjashtë Penal i Kasacionit shpalli të papranueshëm rekursin e Prokurorisë së Catanzaros ndaj një vendimi të gjyqtarit të seancës paraprake(GUP) për lëshimin e një Urdhri Evropian Hetimi me karakter mbrojtës drejtuar autoriteteve gjyqësore franceze. Objektivi është t’ju mundësohej të pandehurve në procedimin “Ostro”, kundër grupit të pretenduar ‘ndranghetist “Cosca Gallace”, ushtrimi efektiv i mjetit të brendshëm juridik francez sipas nenit 694-41 të Kodit të Procedurës Penale, për të kontestuar autenticitetin, integritetin dhe gjurmueshmërinë e bisedave të deshifruara të aplikacionit SKY ECC, të transmetuara Italisë përmes bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. Ky mjet lejon që masat e marra në Francë në zbatim të një Urdhëri Evropian Hetimi të kontestohen, të kërkohet pavlefshmëria e tyre ose të sulmohen me mjete të tjera ankimi, në të njëjtat kushte sikur të ishin masë kombëtare.
Vendimi italian nuk qëndron i izoluar. Ai vjen brenda një fronti jurisprudencial gjithnjë e më unifikues. Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian, me vendimin M.N. në çështjen C-670/22 të datës 30 prill 2024, ndërtoi arkitekturën e ashtuquajturës mbrojtje e dyfishtë, ku shteti ekzekutues kontrollon mbledhjen e provës, ndërsa shteti lëshues i Urdhrit Europian të Hetimit kontrollon respektimin e të drejtave gjatë vlerësimit të saj. Pak muaj më vonë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, me vendimin A.L. dhe E.J. kundër Francës të 24 shtatorit 2024, e konfirmoi ekzistencën e mjetit të brendshëm francez dhe jua bëri të pandehurve kusht paraprak të pranueshmërisë. Vetë Gjykata Franceze e Kasacionit, me vendimin nr. 24-84.262 të 16 shtatorit 2025, ka pyetur formalisht Luksemburgun në çështjen C-625/25 Prudniez mbi efektshmërinë reale të këtyre mjeteve.
Trajektorja tashmë është Strasburgu. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut u ka komunikuar qeverive të Gjermanisë, Estonisë dhe Norvegjisë çështjet Silgir, Raal, Isha dhe Emmen, bashkë me një paketë pyetjesh mbi ligjshmërinë, integritetin dhe përdorimin si prova të enkriptuara të EncroChat, ANOM dhe SKY ECC në procesin penal. Pyetjet e formuluara nuk lënë vend për ekuivok. A ishte prova e enkriptuar vendimtare për dënimin? A ekzistuan garanci të mjaftueshme për të verifikuar integritetin dhe autenticitetin? A pati mbrojtja mundësi reale për ta kontestuar materialin? A krijoi pamundësia e shqyrtimit të zinxhirit të ruajtjes pabarazi procedurale? A arritën gjykatat vendase të vlerësonin besueshmërinë? A u transmetuan bazat e plota të të dhënave apo vetëm ekstrakte të përzgjedhura? Me këtë seri pyetjesh, Gjykata artikulon një dekalog të së drejtës për t’u mbrojtur në epokën dixhitale.
Fryma shkon përtej Europës. Në Shtetet e Bashkuara, në rastin United States kundër Gogic të Gjykatës Federale të Distriktit Lindor të Nju Jorkut me numër 22-CR-493, urdhri i tetorit 2025 përjashtoi pjesën dërrmuese të tabela Excel të gjeneruara nga SKY ECC për mungesë autentifikimi. Certifikata e autoritetit francez u vlerësua e paqartë, asnjë dëshmitar me njohuri të drejtëpërdrejtë të proceseve të deshifrimit nuk ishte i disponueshëm dhe anomalitë në tabela, si duplikime, gjurmë të përpunimit algoritmik dhe modifikime pas sekuestrimit, mbetën të pashpjeguara. Në Malin e Zi, që përfaqëson sistemin juridik më të afërt me tonin për nga kultura procedurale, Gjykata e Apelit e Podgoricës më 14 shkurt 2025 rrëzoi vendimin e parë të bazuar mbi SKY ECC në rastin Ilić dhe të tjerë, duke deklaruar se gjykata e shkallës së parë kishte dështuar të jepte arsyetim mbi ligjshmërinë, natyrën juridike dhe përputhshmërinë e materialit me parimet e sistemit juridik vendas.
Në këtë realitet dinamik jurisprudencial, që shkon nga Roma në Luksemburg, nga Strasburgu në Nju Jork dhe nga Haga në Podgoricë, gjykata shqiptare vazhdon të qëndrojë brenda një kapsule të izoluar. Prova dixhitale e akuzës trajtohet si e mirëqenë vetëm sepse ka mbërritur përmes kanaleve të ndihmës juridike ndërkombëtare. Por, argumenti sipas të cilit prova është e ligjshme sepse është transmetuar nga një shtet evropian si Franca nuk përmbush më asnjë standard bashkëkohor të procesit të rregullt ligjor. Ai nuk përmbush kërkesat e nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, siç e ka afirmuar Strasburgu. Nuk përmbush ato nenit 47 të Kartës së Nicës, siç e ka afirmuar Luksemburgu. Nuk përmbush as ato nenin 42 të Kushtetutës shqiptare, që garanton mbrojtjen efektive dhe barazinë e armëve.
Gjykatës shqiptare, i kërkohet të lexojë natyrën e provës dixhitale, të kuptojë se një tabelë Excel (spreadsheet) nuk është një dokument administrativ, por produkt i një zinxhiri teknik përgjimi, deshifrimi, interpretimi dhe përpunimi që ka nevojë të verifikohet. Asaj i kërkohet të njohë të drejtën e mbrojtjes për të sfiduar besueshmërinë, integritetin dhe gjurmueshmërinë e këtij zinxhiri, jo si privilegj procedural, por si kusht i domosdoshëm i një procesi që ofron mbrojtje efektive. Refuzimi për ta pranuar këtë evoluim është një zgjedhje me kosto si për Gjykatën por edhe për SPAK pasi vendimet rrezikojnë të mos qëndrojnë përballë shqyrtimit të Strasburgut dhe në tërësi na prezanton si një sistem drejtësie që dalëngadalë distancohet nga standardet ndaj të cilave ka ndërmarrë detyrime formale dhe thelbësore.
Rruga drejt Francës, ajo e një kërkese për ndihmë juridike me karakter mbrojtës e lëshuar nga gjykata,, me qëllim sfidimin e “kutisë së zezë teknike” në origjinën e saj, nuk është një kapriço avokatie. Është drejtimi procedural që sistemi europian ka orientuar. Studioja jonë e ka pohuar këtë dy vjet më parë, në një kohë kur në sallat gjyqësore shqiptare argumenti dukej ende utopik. Në bashkëpunim me partnerët tanë në France i jemi drejtuar Gjykatës së Apelit të Parisit, për të kontestuar atë çfarë Kasacioni i Italisë ka konfirmuar, kundërshtimin e ligjshmërisë se provave Sky ECC. Vendimi i Qershorit 2026 i Kasacionit italian, i mbështetur mbi acquis-in europian në formim, e vërteton këtë tashmë përtej dyshimit. Detyra që na mbetet ne avokatëve, është të mos e humbim edhe këtë stinë juridike duke pretenduar se s’po ndodh asgjë. Ndaj, gjykimi i zakonshëm, debati mbi provat, kërkesa për marrjen e provave kundërshtuese, kërkesa për dërgimin e letëporosive gjyqësore si dhe kundërshtimi i provave Sky ECC përpara gjykatave franceze nuk duhet të konsiderohet si një alternativë, por si një dosmosdoshmëri për garantimin e procesit të rregullt ligjor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.