Opinion

Katarsisi financiar grek, po i yni?

NGA FATOS COCOLI*

GREEKNjë lajm i bujshëm ka dalë pardje nga disa gazeta greke, për ish-kryeministra dhe ministra finance të Greqisë, që kanë kryer shmangie fiskale, evazion në nivele miliarda euro, nëpërmjet bankës zvicerane HSBC, e cila i ndihmonte klientët e saj t’i shmangeshin taksave në vendin e tyre. Gikas Hardhuvelis, ish- ministri grek i Financave në qeverinë e mëparshme Samaras, është një prej dhjetëra politikanëve që kanë çuar paratë në depozita të bankave të huaja(mes tyre dhe HSBC), në disa raste duke mos i deklaruar fare këto para. Prokuroria greke ka filluar hetimin për deklarimin e pasurive të tij në vitet e fundit. Në kuadër të luftës ndaj evazionit fiskal, qeveria e sotme greke po heton depozita të politikanëve grekë të tjerë në bankat e huaja, me vlerë mbi 10 miliardë euro. Tsipras dhe ministri i tij i Financave Varufakis mendojnë se edhe jashtë qarqeve politike greke, në vend ekziston një evazion fiskal tepër i madh, nga bizneset e vogla dhe të mesme, që përllogaritet mbi 30 miliardë euro.

Një propozim i Varufakis, që i dukej botës mbarë fanta-hetim, ishte të punësonte përkohësisht inspektorë tatimorë amatorë: Turistë, studentë dhe amvisa, të pajisur me kamera të fshehta dhe pajisje përgjimi, për të denoncuar shmangien e taksave dhe mashtrimet financiare. Po tek ne, në Shqipëri, sa është përpjekur kjo qeveri e sotme t’i përgjigjet pyetjes “A kemi politikanë apo sipërmarrës që kanë fshehur miliona euro jashtë vendit, në banka apo vende parajsa fiskale?”. Një parajsë e tillë ishte Qipro, por asnjë grup hetimi nga shteti ynë ende nuk ka vajtur atje, megjithëse ka gjurmë dhe tregues të tjerë që të çojnë në bankat qipriote, që nga skandali i shitjes së municionit të ushtrisë shqiptare, apo më larg në kohë, paratë e piramidave financiare të viteve 1995-1997, që kanë përfunduar atje. Kryesisht në Qipro është parajsa fiskale ku paratë që s’mund t’i tregonin në Shqipëri, ish-pushtetarë dhe pushtetarë i kanë vendosur në formën e kompanive fantazma. Aty është “Gjiri i Lalzit” financiar i tyre. Aty janë “vilat” e tyre luksoze, në formën e kompanive të ndërtimit apo të investimit dhe të depozitave bankare, gjoja në emër të biznesit të këtyre kompanive.

Skandali i bankës zvicerane HSBC mund të ketë edhe emra shqiptarësh. Por ende Ministria jonë e Financave nuk ka bërë kërkesë apo asnjë përçapje për të ditur diçka pranë kësaj banke. Mirëpo kështu lahen sot botërisht paratë e fituara me korrupsion pasiv e aktiv. Në Qipro veproi me sukses korrupsioni dhe evazioni financiar i pasunarëve shqiptarë, me “vilat”-kompani të tyre, derisa plasi kriza qipriote, kryesisht nga miliardat e eurove të depozituara nga pasanikët rusë. Në Qipro “zbarkuan” shumë ish-pushtetarë tanë të viteve të fundit, të yshtur nga sekserë të huaj, të dehur nga pushteti, duke menduar se këto “rregullime” do t’u zbuloheshin ndonjëherë. Më të kujdesshmit dërguan përfaqësues të mandatuar prej tyre. Gjurmët e këtij “zbarkimi” mund të gjenden qartë. Janë në emrat e themelimit të kompanive fantazmë, në transfertat bankare, në depozitat pranë bankave qipriote. I tronditur nga skandali me sistemin e vet bankar dhe nga zbulimi i pranisë së shumë oligarkëve dhe manjatëve rusë në parajsën e vet fiskale, ky shtet ishullor paraqitet sot mjaft i hapur për hetimet financiare dhe fiskale të shteteve të tjera evropiane e jo-evropiane. E bën këtë për të merituar mbështetjen miliarda eurosh që po i jep Bashkimi Evropian. Për më tepër që tani, pas krizës bankare në Qipro, bankat në këtë vend kanë ulur kufirin e sekretit bankar për depozituesit e tyre, nën presionin e Bashkimit Evropian dhe mekanizmave të tij të shpëtimit nga kriza, njëlloj sikurse ka bërë Zvicra, edhe pas skandalit me bankën HSBC, atë po përgatitet të bëjë dhe Luksemburgu.

Do të mjaftonte një hetim i thjeshtë në Qipro, një dërgesë qoftë dhe dy inspektorësh tatimorë shqiptarë dhe bankat aty mund të na japin detaje interesante për depozitat dhe biznese të shumë ish-pushtetarëve, pse jo, edhe pushtetarëve rozë të sotëm apo të dikurshëm, apo të familjarëve të tyre në Shqipëri. Opinioni ynë publik, qytetarët shqiptarë duhet ta dinë të vërtetën, se ku kanë vajtur me dhjetëra e dhjetëra milionë euro të taksapaguesve të këtij vendi, që zbarkonin ilegalisht në parajsat fiskale, apo fshiheshin për evazion fiskal dhe në bankat ndër më të mëdhatë e globit, sikurse është HSBC. Para që vendin e kanë këtu në Shqipëri, për të mbështetur rritjen e pensioneve apo të ndihmës sociale të qindra mijëra qytetarëve të këtij vendi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button