Katër avionë janë angazhuar për shuarjen e zjarrit mbi fshatin Gaber
Një zjarr i madh është përhapur në zonën pyjore mbi fshatin Gaber, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë malor në shuarjen e tij janë angazhuar edhe mjete ajrore.
Sipas informacioneve nga Qendra për Menaxhim me Kriza, situata në drejtim të vendbanimeve të fshatit Gaber aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banorët.
Për shkak se vatra e zjarrit ndodhet në një zonë të paarritshme, ku ndërhyrja nga toka është e vështirësuar, në aksion janë përfshirë tre avionë “Air Tractor” të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe një avion i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Zjarri aktualisht po lëviz në drejtim të fshatit Vërzhale, ndaj situata po monitorohet me kujdes të shtuar, ndërsa ekipet kompetente vazhdojnë të qëndrojnë në terren.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, ndodhet gjithashtu në terren dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e situatës së bashku me ekipet.
QMK njofton se është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe shërbimet kompetente, me qëllim që zjarri të vihet sa më shpejt nën kontroll dhe të garantohet siguria e banorëve të zonës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.