Kemal Kilicdaroglu, kundërkandidat i Erdoganit në zgjedhjet presidenciale turke
Lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu, është zgjedhur që të jetë kundërkandidati i presidentit aktual turk, Recep Tayyip Erdogan, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj. Koalicioni opozitar, i përbërë nga gjashtë parti, e zgjodhi atë më 6 mars si kandidat për president. Kilicdaroglu, 74 vjeç, ekonomist, është kryetar i partisë së dytë më të madhe në shtet. Ai shpreson që ta largojë Erdoganin nga posti i presidentit pas më shumë se dy dekadash në pushtet.
“Tryeza jonë është tryezë e paqes. Qëllimi ynë i vetëm është që ta çojmë shtetin në ditët e prosperitetit, paqes dhe gëzimit”, tha Kilicdaroglu, kryetar i Partisë Popullore Republikane (CHP), gjatë një fjalimi në Ankara.
“Do ta qeverisim Turqinë në bazë të konsultimeve dhe konsensusit”, theksoi ai. Sondazhet sugjerojnë se garat për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të jenë të ngushta, me bllokun opozitar që është pak në epërsi sesa aleanca qeverisëse.
Blloku opozitar është zotuar se do të heqë dorë nga shumë politika ekonomike të Erdoganit, ato që kanë të bëjnë me të drejtat civile dhe politikat e jashtme.
Shumë po i vlerësojnë zgjedhjet e reja turke si zgjedhjet më të rëndësishme në historinë 100-vjeçare të kësaj republike.
Ish-nëpunës civil, Kilicdaroglu mund të përfitojë nga kriza ekonomike shumëvjeçare dhe inflacioni në rritje, por po ashtu edhe nga tërmetet shkatërruese të muajit të kaluar, që lanë të vdekur më shumë se 46.000 persona në Turqi dhe nxitën kritika ndaj qeverisjes së vendit.
Opozita vendosi për emrin e kundërkandidatit të Erdoganit, pas bisedimeve intensive ditëve të fundit. Partia e krahut të djathtë IYI, të premten, pas 72 orësh bisedime, kundërshtoi kandidatin e opozitës. Por, gjatë takimit të së hënës kjo parti arriti kompromis, pasi Ekrem Imamoglu dhe Mansur Yavas, kryetar të Stambollit, respektivisht të Ankarasë, që vijnë nga CHP, më vonë do të emëroheshin zëvendëspresidentë. Kilicdaroglu, në fjalimin e tij, po ashtu tha se liderët e pesë partive opozitare do të shërbejnë në postin e zëvendëspresidentit, nëse opozita fiton zgjedhjet.
Erdogan ka përjetuar rënie të mbështetjes popullore, edhe para tërmeteve shkatërruese, pasi vendi po përballet me kosto të lartë të jetesës dhe inflacioni ka arritur deri në 85 për qind. Megjithatë, javën e kaluar, sondazhet thanë se partia e tij, AKP ka arritur të rifitojë shumicën e mbështetjes. Erdogan asnjëherë nuk është përballur me zgjedhje të vështira, që kur partia e tij fitoi pushtetin më 2002.
Kemal Kılıçdaroğlu ka lindur me 17 dhjetor 1948 është një ekonomist turk, politikan socialdemokrat. Ai është lider i Partise Popullore Republikane (CHP) dhe ka qenë lider i opozites kryesore ne Turqi që nga viti 2010. Ai u zgjodh nënkryetar i Internacionales Socialiste më 31 gusht 2012. Ai shërbeu si deputet për Stambollin nga viti 2002 deri në 2015 dhe si deputet për Izmirin që nga 7 qershor 2015.