🌤️
Tiranë 21°C · Kryesisht kthjellët 26 April 2026
S&P 500 7,165 ▲0.8%
DOW 49,231 ▼0.16%
NASDAQ 24,837 ▲1.63%
NAFTA 94.40 ▼1.51%
ARI 4,741 ▲0.36%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1709 EUR/GBP 0.8671 EUR/CHF 0.9199 EUR/ALL 95.5084 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4369 EUR/TRY 52.7311 EUR/JPY 186.75 EUR/CAD 1.6012 EUR/USD 1.1709 EUR/GBP 0.8671 EUR/CHF 0.9199 EUR/ALL 95.5084 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4369 EUR/TRY 52.7311 EUR/JPY 186.75 EUR/CAD 1.6012
₿ CRYPTO
BTC $78,113 ▲ +0.59% ETH $2,347 ▲ +1.34% XRP $1.4275 ▼ -0.1% SOL $86.4600 ▲ +0.02%
S&P 500 7,165 ▲0.8 % DOW 49,231 ▼0.16 % NASDAQ 24,837 ▲1.63 % NAFTA 94.40 ▼1.51 % ARI 4,741 ▲0.36 % S&P 500 7,165 ▲0.8 % DOW 49,231 ▼0.16 % NASDAQ 24,837 ▲1.63 % NAFTA 94.40 ▼1.51 % ARI 4,741 ▲0.36 %
EUR/USD 1.1709 EUR/GBP 0.8671 EUR/CHF 0.9199 EUR/ALL 95.5084 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4369 EUR/TRY 52.7311 EUR/JPY 186.75 EUR/CAD 1.6012 EUR/USD 1.1709 EUR/GBP 0.8671 EUR/CHF 0.9199 EUR/ALL 95.5084 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4369 EUR/TRY 52.7311 EUR/JPY 186.75 EUR/CAD 1.6012
26 Apr 2026
Breaking
Opinion

Këmbëngulja e Berishës si strategji e dështimit

Nga ARDI STEFA

Ka një kufi mes këmbënguljes dhe kokëfortësisë që kthehet në vetëshkatërrim. Kur e njëjta formulë provohet pa pushim dhe rezultati mbetet po ai, nuk kemi më të bëjmë me strategji politike, por me një rreth vicioz që ushqen vetëm iluzionin e ndryshimit. Këmbëngulja e Berishës nuk është më as ambicie politike, as bindje ideologjike. Është një formë e pastër refuzimi për të pranuar realitetin, dhe, si çdo refuzim i tillë, po kthehet në barrë publike.

Këmbëngulja e Berishës për të qenë gjithçka dhe për të mos lënë asgjë jashtë vetes nuk është më thjesht një çështje e brendshme partie. Nuk është më çështje e demokratëve. Ata i ka marrë në qafë prej kohësh, duke i kthyer në një turmë që brohoret për një të shkuar që nuk kthehet. Problemi sot është më i madh: ai po mban peng gjithë spektrin politik, duke i hequr vendit dhe shqiptarëve oksigjenin e vetëm që i ka mbetur: alternativën e zgjedhjes.

Dhe kur alternativa zhduket, pushteti shndërrohet në arrogancë të institucionalizuar. Rama nuk ka më nevojë të bindë askënd, as të përmirësohet, as të japë llogari. Pse duhet? Përballë ka një kundërshtar që sillet si relike politike, që përsërit të njëjtat slogane, bën të njëjtat beteja personale, këndon të njëjtin refren të konsumuar. Dhe Rama luan shah me dikë që bën gjithmonë të njëjtën lëvizje.

Ndaj tallet. Kur kundërshtari yt është i parashikueshëm, i konsumuar dhe i mbyllur në vetvete, pushteti nuk ka më frikë. Dhe kur pushteti nuk ka frikë, nuk e merr mundimin të korrigjohet, nuk ka as kufij të përmirësohet e të heqë arrogancën.

Kjo është pika ku opozita nuk është më problem i vetes, por fatkeqësi publike. Sepse duke u mbërthyer pas një individi që refuzon të largohet edhe kur ka mbaruar gjithçka ka pasur për të dhënë, ajo po u thotë shqiptarëve: “Zgjidhni mes këtij dhe asgjësë nga ne!” Dhe shumica militante, për mungesë të një opsioni tjetër, zgjedh “këtë”, jo nga bindja, por nga dëshpërimi. Të tjerët largohen të neveritur. Këtu opozita kthehet në qesharake.

Ndërsa populli zgjedh të refuzojë “opozitën”!

Ndërkohë, Berisha vazhdon. Flet, akuzon, premton, rikthehet…, akuzon Ramën për të ndenjur vetë, sikur koha të ketë ngrirë diku në vitet e tij më të mira. Por problemi është se koha nuk ndalon. Ajo ecën dhe lë pas ata që nuk dinë të dalin nga skena. Dhe Berisha vazhdon këtu e 60 vjet t’u ngatërrohet nëpër këmbë shqiptarëve, që në 1968 kur tanket sovjetike hynë në Çekosllovaki; 22 vite si komunist, 36 vite si “demokrat”.

Aktualisht me sjelljen e saj opozita e Berishës, sado të drejtë të ketë, nuk është më një alternativë, por një alibi. Një alibi që i jep pushtetit justifikimin perfekt për çdo gabim, çdo arrogancë, çdo korrupsion. Sepse përballë nuk ka një projekt të ri, por një rikthim të së shkuarës.

Sot, këmbëngulja e Berishës nuk është më thjesht një zgjedhje personale. Është një akt që prodhon pasoja kolektive. Sepse duke mos u larguar, ai nuk po mban vetëm veten në lojë, po mban jashtë çdo mundësi tjetër.

Dhe kështu, Shqipëria mbetet e bllokuar mes një pushteti që nuk ndjen presion dhe një opozite që nuk prodhon shpresë, në një duel ku njëri nuk ka rival, dhe tjetri nuk ka më arsye të jetë rival. Një vend i tërë i detyruar të zgjedhë jo më të mirën, (cilado qoftë ajo), por të vetmen gjë që i lihet përpara. Dhe kjo nuk është më politikë.

Konkluzioni? Këmbëngulja në përsëritje që nuk prodhon ndryshim, nuk është virtyt. Është pengmarrje. Dhe kjo pengmarrje sot ka një kosto që e paguajnë të gjithë shqiptarët.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.