Zvërneci/Albana Koçiu: Investimet krijojë vende pune dhe rrisin ekonominë
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, përmes një postimi në Facebook thekson nevojën për të përqafuar investimet e huaja si mundësi reale për transformim ekonomik, në vend që t’i shohim si kërcënim.
Në postimin e saj, Koçiu u shpreh se vendet fqinje e kanë treguar potencialin e turizmit si motor zhvillimi.
“Shpesh vizitojmë vendet fqinje dhe habitemi me cilësinë e shërbimit, fuqinë e industrisë së turizmit dhe transformimin ekonomik të tyre përmes turizmit. Turqia është njëri prej këtyre shembujve më domethënës. Ky model është sot i pranishëm në çdo vend të Mesdheut: në Mal të Zi, Kroaci apo Greqi, e në çdo vend tjetër që e ka turizmin motorin e zhvillimit ekonomik”, shkruan ajo.
Ajo kritikoi ata që, sipas saj, kërkojnë që Shqipëria të heqë dorë nga kjo garë pikërisht në momentin kur ka mundësi reale për të konkuruar dhe fituar.
“Disa, brenda e jashtë kufijve, kërkojnë që Shqipëria ta braktisë këtë garë pikërisht në momentin kur kemi mundësinë reale të konkurrojmë denjësisht dhe, pse jo, ta fitojmë atë”, theksoi zëvendëskryeministrja.
Koçiu foli edhe për paradoksin që ekziston në debat: kërkesa për standarde të larta turizmi njëkohësisht me një mentalitet që sheh investimin e huaj si “pushtim”.
“Është një paradoks i trishtueshëm që vazhdonisht kërkojmë standarde në turizëm dhe përfitime ekonomike prej tij, por njëkohësisht mbajmë fort një mentalitet që e sheh investimin e huaj si pushtim”, thekson ajo.
Koçiu thotë se zhvillimi i qëndrueshëm nuk është abuzim me territorin.
“Zhvillimi i vërtetë është aftësia për të harmonizuar natyrën me infrastrukturën moderne, për të gjeneruar mirëqenie pa kompromentuar të ardhmen. Është aftësia për të transformuar potencialin e fjetur në motorë të fuqishëm ekonomikë që i shërbejnë çdo shqiptari”, shpjegon Koçiu.
Investimin në Zvërnec, i vlerësuar në rreth 4 miliardë euro, Koçiu e përshkroi atë si një mundësi që do të krijojë vende pune, do të rrisë ekonominë, do të përmirësojë standardet e turizmit dhe do të stimulojë investime të tjera zinxhir në të gjithë vendin.
“Investimi prej 4 miliardë € në Zvërnec nuk është një projekt i mbyllur apo i izoluar, por një mundësi që do të krijojë vende pune, do të rrisë ekonominë, do të përmirësojë standardet e turizmit dhe do të stimulojë investime të tjera zinxhir në të gjithë vendin. Ky është efekti shumëfishues për të cilin Shqipëria ka nevojë, në mënyrë që të dalë nga cikli i turizmit kaotik, pa strategji dhe pa plan”, nënvizoi ajo.
Ajo nënvizoi se ky projekt nuk i përket vetëm një qeverie, partie apo grupi investitorësh, por është “gara e Shqipërisë drejt kurorëzimit si kampione e padiskutueshme e turizmit në Mesdhe”, ndërsa shtoi se “kjo është një garë për të ardhmen e fëmijëve dhe brezave që do të vijnë”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.