Protestuesit shpallin kërkesat e tyre: “Koha e heshtjes ka mbaruar”
TIRANË – Protesta e pestë radhazi kundër projektit të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit mori një dimension të ri politik dhe qytetar mbrëmjen e së enjtes, kur organizatorët publikuan zyrtarisht një deklaratë me kërkesat që, sipas tyre, përfaqësojnë shqetësimet e qytetarëve për mënyrën se si janë administruar pronat publike dhe pasuritë kombëtare gjatë dekadave të fundit.
Para mijëra protestuesve të mbledhur në qendër të Tiranës, përfaqësues të lëvizjes lexuan një deklaratë ku theksuan se pas 35 vitesh tranzicion ka ardhur momenti për t’i dhënë fund, sipas tyre, një modeli qeverisjeje që ka dëmtuar pronën private, interesin publik dhe pasuritë kombëtare.
“Koha e heshtjes ka mbaruar. Koha për veprim ka ardhur. Shqipëria u përket qytetarëve të saj”, ishte mesazhi me të cilin u mbyll deklarata, e cila u prit me duartrokitje dhe thirrje mbështetëse nga pjesëmarrësit.
Në dokumentin e lexuar para turmës, protestuesit paraqitën pesë kërkesa kryesore, të cilat i cilësuan si të qarta dhe të panegociueshme.
Kërkesa e parë ishte dorëheqja e qeverisë. Më pas, protestuesit kërkuan shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, duke argumentuar se ky mekanizëm ka krijuar hapësira për trajtim të pabarabartë dhe për dhënien e pronave publike pa konkurrencë të plotë.
Një tjetër kërkesë ishte shfuqizimi i ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, e cila sipas protestuesve ka lehtësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme të tokës publike në dispozicion të projekteve private.
Po ashtu, në deklaratë u kërkua anulimi i ndryshimeve të bëra në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, si dhe anulimi i ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, të cilat protestuesit i konsiderojnë të dëmshme për mbrojtjen afatgjatë të pasurive natyrore dhe historike të vendit.
Gjatë leximit të deklaratës, organizatorët këmbëngulën se kërkesat nuk kanë karakter partiak. Sipas tyre, ato lidhen me respektimin e ligjit, mbrojtjen e pronës dhe garantimin e interesit publik.
“Ne nuk pranojmë negociata mbi të drejtat themelore të qytetarëve dhe mbi pasuritë që u përkasin të gjithë shqiptarëve”, u theksua në deklaratë.
Në fund të tubimit, protestuesit i bënë thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që t’i bashkohen lëvizjes qytetare, duke argumentuar se çështja e Zvërnecit ka tejkaluar kufijtë e një projekti të vetëm dhe është shndërruar në një debat më të gjerë mbi mënyrën e administrimit të territorit, pronës dhe pasurive publike në Shqipëri.
Ndërsa protesta vijoi me marshim dhe thirrje kundër qeverisë, organizatorët paralajmëruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se kërkesat e shpallura publikisht përbëjnë tashmë platformën e tyre zyrtare të veprimit.
Ja kerkesat:
DEKLARATË
Pas 35 vitesh tranzicion, ka ardhur momenti për t’i dhënë fund një modeli qeverisjeje që ka cenuar pronën private, pasuritë kombëtare dhe interesin publik.
Kjo protestë, e nisur si reagim ndaj cenimit të pronës dhe të pasurive kombëtare, paraqet këto kërkesa të qarta dhe të panegociueshme:
- Dorëheqjen e qeverisë.
- Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë.
- Shfuqizimin e Paketës së Maleve.
- Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
- Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Këto nuk janë kërkesa politike. Janë kërkesa për drejtësi, ligjshmëri dhe mbrojtjen e interesit kombëtar.
Ne nuk pranojmë negociata mbi të drejtat themelore të qytetarëve dhe mbi pasuritë që u përkasin të gjithë shqiptarëve.
Sot i bëjmë thirrje çdo shqiptari, brenda dhe jashtë vendit, të bashkohet në këtë përpjekje qytetare për t’i dhënë fund kësaj kaste politike të korruptuar.
Koha e heshtjes ka mbaruar. Koha për veprim ka ardhur. Shqipëria u përket qytetarëve të saj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.