Këngëtarja Anastacia sjell nesër mesazhin e kurajos në Tiranë
Vetëm një ditë na ndan nga ardhja e këngëtares së famshme amerikane, Anastacia, e cila do të performojë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në një koncert live, në vijim të turit të saj “Resurrection”, të shtrirë thuajse në të gjithë Europën.
Një artiste e skenave live, një këngëtare e hiteve botërore, e cilësuar nga kritika si “zonja e vogël me zërin e madh” apo “këngëtarja e bardhë me zërin e zi”.
Është hera e parë që Shqipëria bëhet pjesë e turit ndërkombëtar promovues të një artisteje e për më tepër një artiste e përmasave të tilla. Sikurse tashmë është bërë e njohur edhe në faqen zyrtare të këngëtares, koncerti i saj në Tiranë do të jetë më 25 gusht, ora 20:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku Anastacia do të ndalet pas koncertit të Austrisë.
Është pikërisht Living Room Albania që pas më shumë se 45 koncerteve dhe eventeve të organizuara në Tiranë sjell edhe divën e popit, Anastacia.
Ashtu si edhe në qytetet më të mëdha të Europës, edhe në Tiranë, Anastacia ka përgatitur një sërë performancash koreografike për të shoqëruar këngët e albumit që do të prezantojë. Dikur ajo ka qenë një balerinë e suksesshme, gjë që i jep mundësinë të ofrojë në skenë një shfaqje të mrekullueshme baleti dhe energjie.
Nga ana tjetër, në Websajtin zyrtar të këngëtares, gjenden materialet e saj promocionale, të cilat nga sa kemi mësuar do të jenë në shitje në stendat në hyrje të stadiumit, ashtu si në të gjitha qytetet europiane, edhe në Tiranë.
Bëhet fjalë për bluzat me imazhin e këngëtares, varëset me germën A, veshjet e telefonit apo çantat. Sipas organizatorëve, qëllimi i eventeve të tilla nuk është thjesht dhe vetëm organizimi i tyre si të tilla, por përmes organizimit të këtij koncerti dhe të tjerëve që do të pasojnë, synohet që publiku shqiptar të edukohet me ritmin e koncerteve live, të cilat thuajse mungojnë. Nga ana tjetër, koncerte të përmasave të tilla shërbejnë edhe si një mënyrë socializimi për të gjithë të pranishmit, të cilët do të kenë mundësinë që nën tingujt e muzikës live, të shijojnë një birrë të ftohtë e të këndojnë bashkë me artisten hitet e saj e të ndajnë me miqtë e tyre shijet dhe përvojat muzikore.
Ky koncert, i cili është mbështetur nga vetë Kryeministri i vendit, Edi Rama, sjell edhe një mesazh të fuqishëm sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi drejtuar grave shqiptare, nisur nga historia personale e këngëtares, e cila pas një lufte gati 10-vjeçare kundër kancerit të gjirit, ka arritur të mposhtë çdo paragjykim lidhur me sëmundjen.
Anastacia u diagnostikua për herë të parë me kancer në vitin 2002 në moshën 34-vjeçare, ndërsa në tetor të vitit 2013 iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, që çoi në heqjen e të dy gjinjve.
Ka kaluar vetëm një vit, nga momenti kur ajo deklaroi se kishte dalë triumfuese në betejën e saj me vdekjen, ndaj dhe ajo sjell albumin “Resurrection”, (Ringjallje) dedikuar pikërisht jetës. Siç shkruan ajo vetë në faqen zyrtare: “Albumi është thjesht trullosës”.
Një udhëtim i vërtetë melodioz, prekës, emocional, por edhe ekzaltues. Është deklarata e një luftëtari, që i dërgon botës një mesazh kuraje. Mos u dorëzo, qëndro pozitiv, gjej forcën tënde të brendshme!”. Këngëtarja e njohur e ka publikuar ndalesën e saj në Shqipëri, në llogarinë e saj në Instagram.