Kërkime për naftë në tokë dhe det, qeveria hap garën e koncesioneve për 7 blloqe
Për tre blloqet e para hidrokarbure, ata me numër 4 dhe 5 si dhe bllokun e Dumresë, afati i dorëzimit të ofertave nga kompanitë private është 15 qershori i këtij viti. Dhjetë ditë më vonë përfundon afati i ofertave edhe për 4 zona të tjera, Joni 5 në det, atë të Rodonit, Panajasë dhe bllokut C.
Deri më tani, zonat hidrokarbure ishin nën administrimin e Albpetrol dhe ka qenë kjo kompani që i ka transferuar ato tek privatët përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proces të hapur dhe fituesi do të zgjidhet përmes kritereve të paracaktuara.
Pas përfundimit të procesit, marrëveshja me kompaninë e përzgjedhur fituese do të negociohet dhe nënshkruhet nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, qeveria shpreson të tërheqë kapital nga jashtë për të ndihmuar ekonominë, edhe pse industria e naftës gjendet në një moment të vështirë.
Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka goditur dukshëm investimet në këtë sektor, jo vetëm në kërkim, por edhe shfrytëzimin e burimeve ekzistuese. Disa nga kompanitë që shfrytëzojnë vendburimet e naftës në Shqipëri kanë njoftuar shkurtim të investimeve për të kompensuar rënien e të ardhurave. Por përtej konjukturës së rënduar globale, hidrokarburet mbeten një nga sektorët që vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të investimeve nga jashtë dhe që mbajnë peshën kryesore në eksportet kombëtare.