Kërkon prishjen e fejesës, vjehrri plagos me pistoletë dhëndrin e tij
Tiranë
I plagosuri Zijadin Xhoxhaj në gjendje të rëndë, arrestohet autori Nuredin Lika
Nga Silvana Muça
Vjehrri plagos me pistoletë dhëndrin e tij, Zijadin Xhoxhaj, 26 vjeç, pas një sherri të mbartur prej disa kohësh. Shkaku i plagosjes dyshohet se ka lidhje me vajzën e Nuredin Likës, ku ky i fundit nuk dëshiron që ajo të martohet me 26-vjeçarin, e sëmurë. Policia ka arrestuar një ditë më parë, autorin e dyshuar të plagosjes, Nuredin Likën, 46 vjeç dhe Hajri Xhoxhajn, vëllain e të dëmtuarit. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në banesën e autorit të plagosjes, e cila ndodhet në Paskuqan të Tiranës.
Ngjarja
Vajza e Nuredin Likës, ishte fejuar me Zijadin Xhoxhajn 26 vjeç. I dëmtuari prej disa vitesh jetonte në Angli dhe si pasojë e kësaj, vjehrri nuk ka pasur informacione të sakta për dhëndrin e tij. Dikush i ka thënë Likës që Xhoxhaj ka probleme të pashërueshme shëndetësore. Pas hulumtimeve, vjehrri ka kërkuar në telefon prishjen e fejesës, gjë që nuk është pranuar nga 26-vjeçari. Të dyja palët kanë debatuar në telefon me njëra-tjetrën. Debatet e shpeshta në distancë, ka bërë që Lika dhe Xhoxhaj të kërcënojnë njëri-tjetrin në distancë. Pas ardhjes në Shqipëri, Lika trembet nga veprimet që mund të ndërmerrte dhëndëri i tij dhe si pasojë e kësaj, i drejtohet policisë. Ai ka bërë kallëzim duke thënë se 26-vjeçari e ka kanosur me jetë dhe në të njëjtën kohë detyron që vajza e tij, të bashkëjetojë më Xhoxhajn, kundër dëshirës së saj. Në cilësinë e provës materiale, vjehrri i ka dhënë policisë disa mesazhe që ata kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin. “Nuk ma mban dot gocën”, ishte një nga tekstet e mesazheve, që Lika i ka dërguar dhëndrit të tij. Gjithashtu në telefonin e 46-vjeçarit thuhet se janë gjetur mesazhe kërcënuese. Ato u siguruan si prova materiale nga grupi hetimor, për të vijuar hetimet e mëtejshme. Sherri ka vijuar edhe pas denoncimit. Pas kallëzimit, shërbimet policore kanë shkuar në banesën e të riut dhe situata është normalizuar për momentin. Pavarësisht kësaj, ai nuk ka preferuar që të heqë dorë nga e fejuara e tij dhe ka vijuar dërgimin e sms-ve kërcënuese në drejtim të Nuredin Likës. Mesditën e djeshme, Zijadin Xhoxhaj së bashku me vëllain, Hajri Xhoxhaj, ka shkuar në banesën e vjehrrit, për të kërkuar që t’i jepte vajzën për martesë. Ata kanë lëvizur me një automjet dhe njëkohësisht kanë qenë të armatosur me kallashnikov. Teksa kanë hyrë në banesë, të dyja palët janë konflikuar ashpër. Dyshohet se i dëmtuari pas përleshjeve e fizike ka dalë nga banesa e Likës, për të marrë armën e llojit automatik. Ai ia ka drejtuar 46-vjeçarit, duke i thënë se do e vriste, nëse nuk e linte që të martohej me vajzën e tij. Prej frikës, Nuredin Lika ka nxjerrë një pistoletë që mbante në banesë dhe pa humbur kohë ka vepruar, duke e plagosur rëndë dhëndrin e tij.
Arrestimet
Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, thonë se 26-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore për jetën. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumave dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Plagët që ka marrë në trup janë shumë serioze, ndonëse mjekët po bëjnë të pamundurën që ta shpëtojnë. Ndërkaq në banesën e Nuredin Likës ka shkuar policia, e cila ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të plagosjes së rëndë. Ai akuzohet për veprën penale të plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Ndërkaq, në pranga ka rënë edhe vëllai i të dëmtuarit, Hajri Xhoxhaj. Grupi hetimor ka sekuestruar në vendngjarje, armën e krimit tip pistoletë, një automatik tip kallashnikov, një çifte pa leje dhe një sasi fishekësh pistolete. Kallashnikovi ishte në pronësi të vëllezërve Xhoxhaj. Në dëshminë e dhënë në polici, Hajriu thotë se nuk kanë pasur si qëllim që të vrasin Likën, por kanë tentuar që ta trembnin. Policia po vijon punën, për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave.
Denoncimi
Disa ditë më parë, 46-vjeçari kishte bërë denoncim në polici, pasi dhëndri e kanoste me jetë
Kërkesa
Xhoxhaj ka shkuar i armatosur në banesën e Likës së bashku me të vëllain, për të kërkuar dorën e vajzës