Kërkuesit zbulojnë prejardhjen e tipareve të europianëve
Gjatësia është një nga tiparet karakteristike të njerëzve nga Europa Veriore, por duket se ata ia kanë borxh shtatlartësinë e tyre një grupi të lashtë nomadësh nga stepat e Azisë Qendrore.
Kërkuesit studiuan për herë të parë ADN-në e eshtrave të njeriut që nga Epoka e Gurit dhe arritën të gjejnë disa ndryshime gjenetike kyçe që formësuan europianët modernë.
Në veçanti, ata zbuluan se njerëzit nga Europa Veriore e kanë marrë gjatësinë nga popullatat në Epokën e Bronzit, ardhur në rajon nga stepat euroaziatike.
Europianët jugorë, nga ana tjetër, e kanë marrë shtatin e shkurtër nga gjahtarët neolitikë dhe më vonë nga fermerët e Epokës së Bakrit, që jetonin në Iberi.
Megjithatë, sytë blu që konsiderohen shpesh si një tipar dallues i europianoveriorëve, duket se kanë një origjinë më të lashtë me paraardhësit e lashtë gjuetarë.
Kërkimi ka ndihmuar gjithashtu në zbulimin e misterit se si bujqësia u zhvendos fillimisht në Europë rreth 8000 vite më parë. Ata zbuluan prova që mbështesin teoritë se fermerët e parë europianë, migruan nga Anadolli i lashtë, që sot i përket Turqisë.
Profesor David Reich, i specializuar në gjenetikë në Shkollën e Mjekësisë në Harvard, i cili ishte një nga autorët kryesorë të studimit tha: “Është një mister i madh se si popullatat e ditëve të sotme janë formësuar përgjatë historisë, si kanë lëvizur paraardhësit tanë dhe si janë zhvilluar dhe përshtatur popullatat për të na ndihmuar të mbijetojmë në mjediset ku ndodhemi aktualisht”.
“Tani që ADN-ja e lashtë është e disponueshme dhe në sasi të mjaftueshme për të testuar, ne kemi një instrument të ri dhe të jashtëzakonshëm për të studiuar këto pikëpyetje”.
Skuadra ndërkombëtare e kërkimit analizoi eshtrat e 230 njerëzve të lashtë që kanë jetuar nga 3000 deri në 8500 vite më parë në Europë, Siberi dhe Turqi.
Mes sekuencave gjenetike ishin 83 që nuk ishin analizuar më parë, përfshirë 26 që merreshin për herë të parë në studim dhe kishin origjinë nga Mesdheu.
Kushtet e ngrohta të këtij rajoni, zakonisht shkaktojnë degradimin e ADN-së më shpejt dhe është më e vështirë ta nxjerrësh atë nga eshtrat prehistorike.
Kërkuesit më pas krahasuan sekuencat gjenetike me njëra-tjetrën dhe me popullatat moderne, për të krijuar një panoramë se si ndryshimet gjenetike kanë ndodhur.
Profesor Reich tha se kjo gjë i lejoi ata të vëzhgojnë se si përzgjedhja natyrore u kishte dhënë formë popullatave europiane përgjatë mijëvjeçarit.
Rezultatet e tyre, publikuar në revistën Nature, tregojnë se si gjenet që përcaktojnë gjatësinë, u shfaqën në Europën Veriore rreth 5000 vite më parë.
Europianojugorët, megjithatë, duket se e kanë trashëguar trupin e shkurtër nga dy popullata të ndryshme.
Së pari, nga gjahtarët shëtitës që jetonin në Epokën e gurit në Iberi përpara mbërritjes së bujqësisë dhe më vonë, në Epokën e Bakrit nga fiset që u zhvendosën në atë zonë rreth 5000 vjet më parë.
Burrat nga Holanda janë mes më të gjatëve në botë, mesatarisht 1.9 metra, pasuar nga danezët, britanikët dhe suedezët.
Nga ana tjetër, Franca dhe Italia kanë disa nga burrat më shtatshkurtër në Europë.
Profesor Reich tha: “Europianoveriorët janë më të gjatë se europianët e jugut dhe kjo ka një shkak gjenetik”. “Mund të kuptohet duke parë njerëzit modernë sot, por nuk e dimë me saktësi se kur ka ndodhur, megjithatë ne e kemi ngushtuar kohën në disa mijëra vjet”.
Kërkuesit përdorën një teknikë të re për të nxjerrë ADN-në nga eshtrat e lashta, përfshirë nga kockat në formë piramidale që mbanin organet e tyre.
Ata zbuluan një seri ndryshimesh gjenetike që ndihmuan në krijimin e europianëve modernë, si aftësia për të tretur laktozën në moshë të rritur, e cila u shfaq rreth 4000 vite më parë.
Studiuesit zbuluan se gjenet përgjegjëse për ngjyrën e hapur të lëkurës, ishin më pak të pranishme tek europianët prehistorikë. Për shkak të fermerëve të hershëm në Anadoll që migruan në Europë gjatë Neolitit, europianët morën një ngjyrë lëkure më të hapur.
Sytë blu shfaqen si diçka që ka ardhur nga gjahtarët lëvizës nëpër Europë.