Kerry në Tiranë, kryeqyteti blindohet për 3 orë
Vizita triorëshe e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në Tiranë, ditën e dielë, pritet të shoqërohet me masa të forta sigurie. Që pas uljes së avionit të tij në Aeroportin e Rinasit rreth orës 9 të mëngjesit, ku do të pritet nga kreu i shtetit Bujar Nishani, disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit do të bllokohen deri në përfundimin e vizitës.
Policia e Tiranës mësohet se ka marrë masa shtesë të një niveli maksimal, për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan. Duke nisur që nga Qafë-Kashari, në vijim, pjesa e autostradës Tiranë-Durres, segmenti i Laprakës, Rruga e Durrësit dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të bllokohen plotësisht si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Po në keto akse nuk do te lejohet parkimi i makinave, ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se do të devijohet trafiku edhe për mjetet e transportit publik. Po ashtu të gjitha rrugët do të patrullohen në të dyja krahët nga qindra efektivë të Policisë së Tiranës dhe Gardës së Republikës.
Ashtu si në vizitat e zyrtarëve të lartë të kohëve të fundit, si kancelarja Merkel apo kryeministri serb Vuçiç, eskorta e sekretarit Kerry pritet të shoqërohet nga Rinasi drejt kryeqytetit nga nje helikopter i ushtrisë, i cili do të monitorojë situatën nga ajri.
Gjithsesi policia e Tiranës pritet të bëjë publike ditën e shtunë planin e detajuar të masave të sigurisë që sipas informacioneve, është i nivelit të vitit 2007, kur Shqipërinë e vizitoi presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush.
Sekretari i Shtetit do te takohet me kryeministrin Rama ne selinë e Qeverisë dhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha pak metra më tutje, në Hotel Rogner.