Këshilla e profesorit: Mos i dërgoni fëmijët tuaj në Harvard!
Flamuri i Harvardit me lajtmotivin “Veritas”, gjendet mes flakëve. Nën flamurin që digjet të universitetit elitar më të vjetër e më të pasur të SHBA, lexohen këto fjalë shokuese: “Mos i dërgoni fëmijët tuaj më tek “Ivy League” dhe: “Kolegjet më të mira të kombit, i shndërrojnë fëmijët tanë në zombi”.
Ilustrime dhe tituj bombastikë të artikullit, që u shfaqën në fillim të verës në revistën “The New Republic”, kontribuuan që ta bënin atë më të lexuarin në mbarë historinë mbi 100-vjeçare të revistës – në rrjet ndërkohë, nuk bën më dallime nëse sheh klikime, apo leksione.
Shifrat janë në fakt shumë impresionuese e vijnë nga bota e arsimit të lartë: në Facebook, kapaku i librit të William Deresiewicz’ nën titullin “Excellent Sheep. The Miseducation of the American Elite and the Way to a Meaningful Life” (ose në shqip: Delja e shkëlqyer: Çedukimi i elitës amerikane dhe rruga për një jetë me kuptim) ka shënuar 190.000 rekomandime, ndërsa 8000 vetë, përmbajtjen e tij e kanë përcjellë nëpërmjet Twitter-it.
E tashmë libri ka dalë, duke denoncuar le të themi çedukimin që përcjellin sipas tij, universitetet elitare amerikane, e që njëkohësisht kërkon të tregojë një rrugë “drejt një jete që merr kuptim”. Autori, i cili edhe vetë kishte dhënë mësime anglishteje nga 1998 deri në 2008 në Universitetin e Jejllit (Yale), ndodhet tashmë në një tur promovimi për librin e tij. Stacionet e tij janë: para së gjithash, ndërtesat e kapacitetet akademike, për të cilat në fakt ushtrohet dhe kritika e tij.
Procedura të tepruara përzgjedhjeje
“Ivy League”, ky është edhe emërtimi për atë grup prej tetë universitetesh elitare në SHBA, të cilët përveç Harvardit, përfshijnë në renditje edhe të tilla si ai i Yale (Jejllit), Columbia-s dhe Princeton-it. Të gjitha ndodhen në brigjet lindore të SHBA. Rreth një e treta e të gjithë 44 presidentëve amerikanë, kanë ndjekur dikur studimet në njërin nga këto kolegje (universitete), një e katërta e të gjithë senatorëve dhe më shumë se gjysma e anëtarëve të Gjykatës së Lartë amerikane, po ashtu. Në renditjen për vitin 2014, ato janë zhvendosur megjithatë të gjitha poshtë vendit të 16.
“Ivy League”, siç njihet ky grupim universitetesh elitare, është një sinonim edhe për praktika e procedura shumë strikte, që mund të tingëllojë qesharake: në vitin 2013, Harvardi për shembull, u lejoi hyrjen në të vetëm 6% të të gjithë aplikantëve, të cilët do të donin të studionin në të, ndërsa Princeton, Columbia dhe Yale, kapën kuota që mezi arrin deri në 7%. Para së gjithash, janë kushtet e pranimit ato më të çuditshmet që nuk mund t’i gjesh askund, duke e kthyer çdo gjë në absurditet, sipas Deresiewicz, i cili edhe vetë ka qenë dikur një anëtar komisionesh pranimi në Universitetin e Yale.
Dhe çdo gjë duket si në komedinë romantike “Admission”, të Paul Weitz’ dhe shihet se: thuajse akoma fëmijë, aplikantët janë kryesisht nga shkolla e kolegje të shtrenjta, që përgatiten për pranim në një kolegj apo universitet të rangut të lartë.
Por edhe kur ata nuk kanë ndjekur asnjërën prej këtyre shkollave, studentët e mëvonshëm të universiteteve të ashtuquajturave “Ivy League”, shënjohen para së gjithash nga nota të shkëlqyera dhe një sasi e paparë e të ashtuquajturave aktivitete “ekstrakurrikulare”, të cilat kryhen përtej atyre shkolloreve, si: pjesëmarrje në grupe teatrale, orkestra, skuadra sportive, angazhim social. Kush dëshmon më pak se shtatë, apo tetë prej tyre, skualifikohet qysh në fazën e parë, shkruan Deresiewicz. Dhe kjo nuk mjafton tërësisht për t’u shpallur “fitues”.
Kështu, jo vetëm që duhet të kesh luajtur e të jesh angazhuar me grupe teatrale, jo vetëm që duhet të kesh botuar në gazetën e shkollës, kolegjit apo gjimnazit, por duhet të kesh qenë edhe kryeredaktor i saj.
Një degë industriale e veçantë
Ankesa e kritika e Deresiewicz drejtohet sigurisht shumë më pak ndaj studentëve, të cilët për shkak të lidhjes së tyre me – tashmë shpesh – alumnëve ( ish-studentëve) që japin shuma të mëdha, parapëlqehen shumë për t’u pranuar, duke kapur shpesh kuotën e 30 përqindëshit në vit. Kjo vihet shpesh nën kritikë për të gjithë pjesëtarët e ligës “Ivy”, duke pretenduar kësisoj nepotizëm në vend të inteligjencës, e para në vend të talentit.
Që nxënësit shtyhen qysh të vegjël për t’u bërë më vonë pjesë e njërit prej këtyre universiteteve, është pikërisht edhe ajo çka e shqetëson profesorin, autor të librit në fjalë. Sepse, kjo kushton shumë para. Për shembull, pagesa e taksave të larta, që bien mbi ta, ndërkohë që ekzistojnë edhe plot shkolla shumë të mira publike. Për kurset, që janë specializuar për të perfeksionuar përshtatjen sipas rezultateve të testit të pjekurisë, kjo është thuajse një degë e pavarur e mirëfilltë industriale – natyrisht private, si shumë të tjera në sektorin e sotëm arsimor. Meritokracia, “mbretërimi” i më të zotëve, na shfaqet këtu pra si një afirmim i raporteve mbizotëruese aktuale të pasurisë.
Është një dialektikë e principit të rendimentit, të cilën Deresiewicz e vështron këtu me kujdes: nëse më parë, ndërtesa e sisteme edukative të veçanta, ishin një domen vetëm i elitave të caktuara, duke ia nisur nga fundi i viteve ‘50, ato tashmë u hapën dyert edhe të tjerëve. Meqenëse kjo ndodhi thuajse në të njëjtën kohë me shokun që erdhi nga lëshimi i “Sputnikut”, që ia bëri të qartë Perëndimit se gara e shkencës me Bashkimin Sovjetik, nuk ishte fituar kurrsesi, ai është i destinuar të mbetet kështu një kapitull i veçantë në historinë e Amerikës.
“Gara e armatimit” të aplikimeve
Demokratizimi i arsimit të lartë që pasoi pas këtyre ngjarjeve, sipas Deresiewicz, ishte vetëm diçka që nuk e shmangu problemin e vërtetë. Qysh në vitin 1968, kuota e pranimeve në universitetet e mëdha shkonte deri në 20 për qind. “Gara e armatimeve të aplikimeve” mes të talentuarve, tashmë kishte nisur. Për Deresiewicz, është e qartë se kjo nuk mund të ndodhte pa lënë gjurmë te brezat e ardhshëm. Presioni i vazhdueshëm për të dhënë rezultat, mungesa e mundësive për t’u dhënë pas një objekti të caktuar studimesh, si dhe besimi se ajo çka është kuantifikuese – si numri i pikëve në test, numri i aktiviteteve jashtëshkollore dhe të ardhurat –, tekefundit janë ato që bëjnë shumatoren e vlerave njerëzore, e prej tyre po sëmuret – sipas autorit – edhe elita e vendit.
Tufa e “deleve të shkëlqyera” – nga mesi i të cilave, vetëm disa prej tyre do mund të kalojnë nëpër portën e ngushtë të Harvardit, Pensilvanisë apo Cornellit – në kolegje, ecën me një logjikë edhe më instrumentale. Kjo do të thotë se pyetjet e mëdha, që në fakt kolegji mund të ndihmonte të merrnin përgjigje, nuk shtrohen fare për diskutim këtu. Dhe studentët janë atje, ku stafi mësimor e akademik në radhë të parë, rekrutohet për shkak të aftësive të veta shkencore, jo për shkak të kompetencave pedagogjike, siç ndodh faktikisht nëpër disa universitete me traditë kërkimore.
Këshillat e Deresiewicz janë për ata, të cilët nuk duan të kthehen në “zombi”, e që nuk duan të shkojnë të vizitohen te mjeku, e të pyesin nëse me të mund të bëhet një bisedë e mirë për letërsinë. Thjesht dilni një vit nga kolegji apo shkollat e mesme, për ta pasur të qartë se çfarë do njeriu me të vërtetë nga jeta? Sigurisht se kjo duhet arritur. Duke mos dashur të merrni në çdo kurs nga një Njësh (ose dhjetë sipas sistemit shqiptar)? Edhe ky është një vendim, i mirë, nëse nuk ke nevojë t’u ruhesh pasojave. A.P.
Marrë me shkurtime nga “Die Welt”