Këshilla për ta mbajtur shtëpinë e freskët
Mënyra për ta lënë jashtë të nxehtin e madh pa përdorur kondicioner
Mbyllni dritaret dhe grilat për ta mbajtur freskun brenda shtëpisë.
Kur në shtëpi është shumë nxehtë, pothuajse të gjithë kanë tendencën që të hapin të gjitha dritaret! Ky veprim është një gabim i madh, pasi këtu qëndron edhe shkaku kryesor i rritjes së temperaturave mes mureve. Ndaj do të ishte mirë që ato të hapeshin vetëm gjatë orëve të natës (nëse siguria jua lejon) si dhe në mëngjes herët. Përpara se të shkoni në punë, ose jo më vonë nga ora 9:00 e mëngjesit, mbyllni perdet, grilat e jashtme ose të brendshme, si dhe dritaret! Në këtë mënyrë temperatura e brendshme e shtëpisë do të ruhet më së miri, ashtu siç ndodh edhe në dimër!
Lulet ndihmojnë në freskimin e shtëpisë
Nëse keni ballkon ose dritare të ekspozuara nga dielli për shumë orë të ditës, ju mund të provoni që të mbroheni nga rrezet e diellit me lule apo bimë të tjera. Kjo do t’ju japë efekt të sigurt freskie! Nëse keni mundësi, në ballkon mund të vendosni edhe një tendë, për ta lënë të hapur gjatë gjithë kohës kur ka diell.
Lagështira është mikja e vapës
Lagështira në shtëpi nuk bën kurrë mirë, as në verë! Edhe pse bërja e një dushi do t’ju japë një ndjesi freskie, në të vërtetë ai është një efekt i momentit. Rritja e lagështirës e shton edhe më shumë të nxehtin! Ndaj, bëni dush të freskët dhe jo në orët më të nxehta të ditës. Gjithashtu ju këshillojmë që rrobat të mos i ndeni brenda shtëpisë, ndërsa peshqirët e lagur mos i lini në banjë.
Mos e ndizni sobën e pjekjes dhe atë të gazit
Kur temperaturat janë të larta, ne nuk kemi nevojë të hamë pjata të nxehta. Përfitoni duke gatuar “në të ftohtë”, sidomos në mbrëmjet më të nxehta: sallata dhe perime krudo, karpaç, mish pa dhjamë ose sallame, djathëra, fruta. Për të shtruar një tavolinë të shijshme dhe të bukur nuk shërbejnë gjithmonë sobat! Nëse do të shmangni ndezjen e sobave (me gaz apo me energji elektrike) temperatura brenda shtëpisë do të jetë më e ulët se jashtë saj.
Fikni dritat dhe elektroshtëpiaket: strategji kundër vapës
Duket si një gjë e papërfillshme, por bashkimi me gjithë të tjerat mund të ketë ndikimin e vet për të luftuar të nxehtin: fikini dritat duke përfituar nga orët e gjata të diellit. Gjithashtu mos lini ndezur kompjuterin, laptop-in, DVD dhe karikuesin e telefonit gjatë kohës që nuk i përdorni. As televizorin mos e lini në standby. Mos përdorni tharësen…ajri i nxehtë do t’i thajë shumë shpejtë flokët tuaj! Elektroshtëpiaket rrisin temperaturat, ndaj mos i lini ato ndezur kur nuk ju duhet t’i përdorni. Në këtë mënyrë ju do të mbani të gjithë shtëpinë të freskët.
Perdet e bardha, antivapë
Përdorimi i perdeve të bardha, të cilat reflektojnë rrezet e diellit, ndihmon në mbajtjen freskët të shtëpisë. Po kështu edhe divanet mbulojini me mbulesa të bardha. Kjo në fakt është një lloj strategjie, e cila në të vërtetë nuk i ul temperaturat, por që jep ndjesinë e freskisë!
Ventilatori për të nxehtin më ekstrem
Nëse pas të gjitha këtyre sugjerimeve vijnë ditë shumë të nxehta, atëherë përdorni ventilatorin. Një ide për një “kondicioner të bërë nga ju” do të ishte kjo: përballë ventilatorit të ndezur vendosni një tas me ujë të ftohtë dhe me akull. Ajri i freskët do të shpërndahet në të gjithë shtëpinë!