Këshilli Kombëtar i Punës, Klosi: Shqipëria ka punë, por ka nevojë për profesionistë
Në ambjentet e kompanisë “DEKOLL” u mbajt sot mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Punës. Gjatë kësaj mbledhjeje u bë analiza për formalizimin e vendeve të punës, konsultimi i projektligjit për ndërmarrjet sociale dhe plani i veprimit të dokumentit politik për riintegrimin social.
Mbledhja u drejtua nga kreu i Këshillit, ministri i MSR-së, Blendi Klosi i cili vuri në dukje se komuniteti i biznesit ka nevojë për menaxherë shitjesh, menaxherë marketingu, dhe jo vetëm punonjës të fasonerisë por punonjës të kualifikuar.
“Tregu i punës ka jo vetëm nevojë për punetorë të fasonerisë por siç fola me përfaqësues të komitetit të biznesit, ka shumë nevojë dhe për menaxhere shitjesh, menaxherë marketingu etj. Shqipëria ka punë dhe ka nevojë për profesionistë. Kjo nuk është tashmë një bindje imja por eshte një bindje që kam marë nga takimet me shumë biznesmenë dhe jo nga shifrat që kam nga zyrat e punës. Është një bindje e cila vjen në një diskutim të gjerë me komunitetin e biznesit dhe komunitete të punëmarrësit. Ne kemi një zgjidhje. Zgjidhja është arsimi profesional. Por çfarë duhet të bëjmë ka shumë e shumë për të diskutuar”, sqaroi Klosi.
Ministri Klosi nënvizoi gjatë fjalës së tij, se të gjithë ata që nuk pranojnë të punojnë ndërkohë që i ofrohet punë nga zyrat e punës, hiqen nga skema e ndihmës ekonomike. “ Do të doja të bënim një debat të hapur. Sa mundësi kemi ne për të vazhuar luftën ndaj informalitetit, sa mundësi që së bashku të shikojmë rezultatet dhe të raportojnë ndaj luftës kudër informalitetit. Ata që nuk pranojnë të punojnë, nga mundësitë e ofruara nga zyrat e punës, hiqen nga skema e ndihmës ekonomike”, tha Klosi.