Këshilli Opozitar: Bëhu edhe ti opozitë e së keqes
Teksa afrohet dita e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të parashikuara për më 24 prill të këtij viti, vazhdojnë edhe aktivitetet për forcimin e bllokut opozitar politik të shqiptarëve të Maqedonisë.
Në vazhdën e këtyre aktiviteteve janë edhe tribunat që i organizon Këshilli Opozitar me temën “Bëhu edhe ti opozitë e së keqes”. Në një komunikatë për mediat, ky Këshill paralajmëron se do vazhdojë të nxisë debatin mes shqiptarëve të Maqedonisë, me qëllim që të artikulohet zëri i tyre opozitar.
“Përveç se në të gjitha vendbanimet shqiptare në Maqedoni, këto tribuna do të organizohen edhe në diasporë, ku do të dëgjohet edhe zëri i mërgimtarëve shqiptarë, zëri i atyre që flijuan dhe investuan aq shumë për vendlindjen, por atdheu nuk ua ktheu thuajse me asgjë, përveç se me brengën për të ardhmen e shqiptarisë dhe të atdheut të tyre”, thuhet në komunikatën për shtyp të Këshillit Opozitar.
Ky Këshill informon se qëllim parësor ka kultivimin e vetëdijes politike se shqiptarët e Maqedonisë mund dhe duhet të bashkëveprojnë edhe kur mendojnë ndryshe, ngaqë vetëm kështu do mund t’i realizojnë aspiratat e tyre politike.