Politika

Këshilli për Integrimin dhe Kodi Zgjedhor, apeli tjetër i mazhorancës për opozitën

Edi Rama, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ministri i Ditmir Bushati dhe deputetja e PD Majlinda Bregu

Në kuadër të thirrjeve për ndërprerje të bojkotit parlamentar të opozitës, thirrje që erdhi edhe nga Komisioni Europian pas daljes së progres-raportit për vendin tonë, mazhoranca duket se do të ndjekë rrugën e durimit me partitë në opozitë, në mënyrë që të kthehen në Parlament. Përveç përfshirjes së propozimeve të demokratëve për rishikimin e Rregullores së Kuvendit që priten të shqyrtohen gjatë tre javëve në vijim, mazhoranca pritet që të bëjë edhe një herë thirrje për bashkëpunim të opozitës në kuadër të amendimeve që pritet të bëhen publike për bashkëpunim të ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Pikërisht rishikimi i Kodit Zgjedhor, pas miratimit të reformës administrativo-territoriale në Kuvend, do të kërkojë të ulë në tryezë ekspertët e opozitës dhe mazhorancës për të rënë dakord në nenet që do të ndryshohen. Në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, qeveria po përgatit ndryshimet, ku mendohet që të ndërhyhet në këtë ligj. Një paketë amendimesh, që do të bëhet publike brenda këtij muaji, i lidh këto ndryshime në Kod pikërisht me Reformën Territoriale, ku për shkak të ndarjes së re të bashkive dhe shkrirjes së komunave, ndryshojnë jo vetëm emërtimet, por dhe mënyrat e zgjedhjeve të këshillave bashkiakë. Sipas draftit të Ministrisë së Çështjeve Vendore pritet që të ndryshojë edhe ligji organik për pushtetin vendor, sipas të cilit do të ketë shtim të anëtarëve të këshillave bashkiakë, si dhe ndryshim të kompetencave të krerëve të bashkive. Por, nga ana e saj, opozita i ka bërë thirrje mazhorancës që të mos veprojë për miratimin e Kodit Zgjedhor, ashtu siç veproi me reformën administrativo-territoriale, në të kundërt do të shtohet kriza politike. Partitë në opozitë po bëjnë rreth katër muaj që nuk marrin pjesë në punimet në komisionet parlamentare.

Këshilli

Por, në të njëjtën kohë, shqetësim për mazhorancën mbetet edhe fakti që opozita nuk pranon që të shqyrtojë propozimin e saj në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Aktualisht, propozimi i qeverisë, konkretisht i Ministrisë së Integrimit, për ngritjen e këtij organi, i cili do të shërbejë për një skanim dhe plotësim të pesë prioriteteve të vendit tonë për integrimin në BE, ndodhet në Komisionin Parlamentar të Integrimit, dhe pret vetëm opinionin dhe rekomandimet e opozitës. Nga ana e saj, opozita e kushtëzon miratimin e propozimit të qeverisë me drejtimin e vetme të këtij organi dhe jo drejtimin e saj bashkë me mazhorancën. Thirrja për bashkëpunim dhe ndërprerje të bojkotit në kuadër të një imazhi pozitiv për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare për situatën politike në vend ka ardhur si nga PS-ja, por edhe nga LSI-ja, por ende asnjë hap konkret i mazhorancës për të bashkëpunuar në këtë drejtim qoftë edhe jashtë Parlamentit. Gjithsesi, edhe pse kërkesa e demokratëve për rishikimin e Rregullores së Kuvendit është futur në kalendarin trejavor të punimeve të Parlamentit, shumica nuk do ta shqyrtojë amendamentin pa u rikthyer opozita në Kuvend, pasi shpreson që ligjvënësit e djathtë të rikthehen së paku për të mbrojtur kauzën e tyre.

 Kodi

Mazhoranca pritet që të bëjë thirrje për bashkëpunim të opozitës në kuadër të amendimeve që pritet të bëhen publike për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Këshilli

Opozita nuk pranon që ta shqyrtojë propozimin e mazhorancës në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit

Opozita i ka bërë thirrje mazhorancës që të mos veprojë për miratimin e Kodit Zgjedhor ashtu siç veproi me reformën administrativo- territoriale

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button