“Kështu nuk shkojmë deri në fund të mandatit”, Meloni paralajmëron aleatët: Gati për zgjedhje të parakohshme në pranverë
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u ka kërkuar aleatëve të koalicionit t'u japin fund përplasjeve mes Legës dhe Forza Italia-s, duke lënë të hapur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në pranverë.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka paralajmëruar aleatët e koalicionit qeverisës se, nëse tensionet e brendshme vazhdojnë, është e gatshme të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme në pranverë, siç njofton Shqiptarja.com duke iu referuar mediave italiane.
Në një takim të zhvilluar të premten, Meloni citohet të ketë deklaruar se me këtë atmosferë nuk shkohet deri në fund të mandatit dhe se koalicioni ka mundësinë të shkojë në zgjedhje në pranverë dhe të dalë më i fortë prej tyre.
Paralajmërimi vjen pas një sërë përplasjesh mes partive të koalicionit, veçanërisht mes Legës së Matteo Salvinit dhe Forza Italia-s së Antonio Tajanit, për çështje si buxheti, emigracioni dhe reformat e drejtësisë. Tensionet u përshkallëzuan gjatë kësaj jave, pas mosmarrëveshjeve në Parlament mbi disa amendamente të buxhetit, ku aleatët votuan kundër njëri-tjetrit.
Burime pranë qeverisë thonë se Meloni është e zhgënjyer nga mungesa e kohezionit brenda shumicës dhe ka kërkuar që partitë aleate të tregojnë përgjegjësi, përndryshe do të marrë vendimin për shpërbërjen e qeverisë. Sipas analistëve, zgjedhjet e parakohshme mund të forcojnë partinë e saj, Fratelli d’Italia, e cila kryeson sondazhet me rreth 30 për qind të mbështetjes, por rrezikojnë të destabilizojnë vendin në një moment të ndjeshëm ekonomik.
Ndërkohë, Salvini dhe Tajani kanë reaguar me tone të përmbajtura, duke deklaruar se koalicioni do të vazhdojë, por kanë shmangur komentet direkte mbi deklaratat e Melonit. Nëse tensionet vazhdojnë, Italia mund të përballet me zgjedhje të parakohshme në pranverën e vitit 2027.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.