Këto ishin lidhjet e Dino Asanajt me Azem Sylën!
Me anë të fuqisë, ryshfetit e kërcënimeve, grupi kishte arritur që t’i merrte dokumentet origjinale të tokave në Gjykatë dhe institucione tjera relevante dhe në vend të tyre t’i fuste dokumentet false. Lidhjet e grupit me të ndjerin Dino Asanaj janë te forta.
Roli i Dino Asanajt në veprimtarinë e dyshuar kriminale të “grupit të Azem Sylës” del të jetë vendimtar.
Hetimet dhe përgjimet e telekomunikimit tregojnë për kontaktet e shpeshta që ai kishte me këtë grup. Roli i Asanaj, i vdekur në qershor 2012, vlerësohet nga Prokuroria si një prej hallkave kryesore të zhvatjes së dhjetëra hektarëve tokë të shtetit dhe përfitimin e miliona eurove prej kësaj veprimtarie kriminale.
Asanaj është thënë zyrtarisht se ka kryer vetëvrasje duke therur vetën 12 herë me thikë, në kohën kur ky grup ishte nën llupën e Prokurorisë.
Me anë të fuqisë, ryshfetit e kërcënimeve, grupi kishte arritur që t’i merrte dokumentet origjinale të tokave në Gjykatë dhe institucione tjera relevante dhe në vend të tyre t’i fuste dokumentet false.
Në vazhdim të publikimit të fakteve për veprimtarinë e këtij grupi, Insajderi sjell detaje të këtyre komunikimeve, takimeve e bisedave.
“Bisedat e përgjuara janë burim domethënës i provave në këtë rast. Ato janë dëshmi të konfirmuara dhe në mënyrë të qartë tregojnë hierarkinë, rolet, detyrat dhe strukturën e grupit të organizuar kriminal”, thotë prokurori në kërkesën për paraburgim për Azem Sylën.
“Bisedat relevante ishin përgjuar në vitin 2010 kur të pandehurit Azem Zyla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Driton Hajdari dhe të tjerët ishin duke u hetuar për… vrasje të rëndë dhe vrasje të rëndë në tentativë”.
Disa biseda nxjerrin në pah rolin e Arton Vilës, shoferit të Azem Sylës dhe marrëdhënien në mes tij, “pjesëtarëve të tjerë të grupit dhe udhëheqësin Azem Syla (Daja).
Sipas rezultateve hetimore, Arton Vila ka vepruar si një lloj sekretari i Azem Sylës. Për këtë arsye, shpesh anëtarët e tjerë të grupit të organizuar kriminal, të cilët ishin të pozicionuar në nivel më të ulët, duhej të kontaktonin me Arton Vilën në mënyrë që të kishin komunikim të drejtpërdrejt me Azem Sylën.
Disa biseda tregojnë se edhe bashkëpunëtorët e ngushtë si Shpresim Uka, duhej të shkonin përmes Arton Vilës në mënyrë që të takonin Azem Sylën.
Prokuroria nxjerr në pah angazhimin për blerjen e parcelave të tokës në Veternik.
“Disa anëtarë të grupit janë marrë personalisht me këtë çështje… si Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Arton Vila dhe Ramadan Uka”.
Hetimi zbulon rolin edhe të një anëtari të ri të grupit. Avdurrahman Brajshori, ishte vartës i Fahredin Gashit dhe ai do të ishte i përfshirë në një skemë të pastrimit të parave përmes gruas së tij, Nyrene Brajshori.
“Një punonjës i AKP-së, Bekim Qerkini, i ofroi grupit informacionet e kërkuara”, thotë Prokuroria.
Në disa biseda e mesazhe telefonike në mes të Fahredin Gashit dhe Avdurrahman Brajshorit të zhvilluara më 24 maj 2010, e përmendin në mënyrë esplicite Bekim Qerkinin, zyrtar në AKP.
Avdurrahman Brajshori ndërkohë flet direkt me Bekim Qerkinin dhe përmend ngastrat e tokës, madhësinë e tyre dhe lokacionin, dhe mundohen të përmbledhin historikun e pronësisë. Fahredin Gashi, del se është figura kryesore për këtë rast trokash.
Kjo konfirmohet në një bisedë në mes të tij dhe Avdurrahman Brajshorit më 2 qershor 2010.
“E thirra edhe më herët Danin… ai është kthyer dje nga kufiri dhe janë takuar dhe ai i tha atij se do të takohen më vonë…, ai i tha se ai ka biseduar më vonë me ‘të’ dhe me ndërmjetësuesin… Unë kërkova nga ai që të bisedojë me kushëririn e tij pasi ai është personi që vendos…, unë kërkova që ai të takohet me kushëririn e tij dhe të arrij marrëveshje me të…, unë i thash i thash që së pari ai duhet të takohet me kushëririn e tij pasi ai është personi i cili vendos”
Fahredin Gashi vazhdon: “Unë bisedova ma herët me Shbanin i cili tha se nëse nuk kryhet sot ai do të shkojë t’i marrë serbët dhe t’i sjellë ata që të bëjnë ankesë në gjykatë, prokurori, AKM, AKP, EULEX dhe gjithkund!”.
Më tej, Fahredin Gashi qartësoi se problem është me AKP dhe bordin e saj të drejtorëve. Thotë se është duke biseduar për rastin Vujoviq: “Ata thonë se bordi është takuar të premten e kaluar dhe ata kanë marrë vendim.
Avdurrahman Brajshori: Bordi fare nuk është takuar.
Fahredin Gashi: “Ata po thonë së bordi është takuar dhe se kanë marrë një vendim… Dyshoj edhe pse “hajni” ishte duke thënë se ai personalisht mori pjesë në 2-3 takime më ndërmjetësit dhe me avokatin. Haxhi Millaku shkoi te Oda e Veçantë dhe dërgoi dokumentet, kështu që unë i besoj këtyre fjalëve. Por, po duket se edhe fjalët e tij janë rrena. 1870 është e regjistruar në emrin e tij, por jo 1877. Ata thonë se ky rast është i falsifikuar, kështu që ata e kanë ndërprerë atë”.
Në një bisedë tjetër me rëndësi të datës 3 qershor 2010 në mes të Fahredin Gashit dhe Shaban Sylës, Syla i referohet Lubisha Vujoviqit që konfirmon se ai është një bashkëpunëtor i grupit.
Shaban Syla: Hej, do të sjellë djalin e serbes në mëngjes dhe e di se çka do të bëjë tani. I kam thirr serbët në mëngjes në ora 8, ishin këtu”.
Përfshirja e Ramadan Ukës, sipas Prokurorisë, është gjithashtu e qartë pasi anëtarët tjerë të grupit shpesh përmendin atë dhe ai nganjëherë personalisht flet në telefon sikurse në bisedën e 3 qershorit 2010 ku ai dhe Fahredin Gashi bisedojnë për rastin në mënyrë eksplicite.
Fahredin Gashi: Unë bisedova me të (Shaban Sylën), ai doli nga errësira duke mos ditur se çka ishte duke ndodhur. Ai e dinte se duhet të kryhej nën emrin e Vujoviqit.
Ramadan Uka: Po si mundet që kjo edhe ajo vërtetë gjithashtu? Unë i kam pas letrat në komunikim me Dino Asanajn.
Fahredin Gashi: Unë nuk e di se çka ke pasur. Ngastra 1870, dy hektarë dhe 27 ari, qendra rajonale e AKP-së në Prishtinë e ka verifikuar atë. Rasti numër 00501 dhe është dërguar në zyrën kryesore në mënyrë që të miratohet nga komisioni më 14. Ne mund vetëm të ulemi dhe shikojmë.
“Dino Asanaj i cili është tani i ndjerë ishte ish-kryesuesi i Bordit të Drejtorëve në AKP dhe ishte qartazi i lidhur me grupin kriminal”, thotë Prokuroria.
Biseda tjera shumë të rëndësishme janë zhvilluar më 7 qershor 2010 në mes të Fahredin Gashit dhe Ramadan Ukës si dhe në mes të Fahredin Gashit e Shaban Sylës.
Ramadan Uka dhe Shaban Syla sqarojnë çështjen me “Elez Leka, emër që përmendet disa herë në biseda të shumta, i cili është i lidhur me pretendimin se ishte paraqitur nga trashëgimtarët e Apostol Pantiqit në Gjykatën Komunale më 10 shtator 2008.”
Ramadan Uka dhe Shaban Syla përmendin emrat e paditësve dhe shpjegojnë se si dokumentet në pronësi të grupit të tyre kanë me sa duket më shumë kredibilitet, ndërsa ato në pronësi të familjes Pantiq duken të falsifikuara.
Ramadan Uka: Të gjithë kundërshtarët që kanë dokumente janë letra për të fshirë prapanicë. I kam ata në dorë… Tonat janë në rregull të gjitha sepse janë të vërtetuara në Gjykatë.
Shaban Syla: Dragoslav Bobiq, Dragan Careviq, Zorica Dusic, Dushanka Erlan, Mirosllavka Vuqiq, Mulanka Jaciq, Zoran Mihajloviq, Marina Nikoliq, Dobrila Pantiq, Milena Pantiq, Miodrag Pantiq, Zikica Pantiq, Zorica Pantiq, Radmilla Pantiq… i kam në dorë të gjitha vendimet.
Një bisedë tjetër mes Fahredin Gashit dhe Shaban Sylës konfirmon një gjë të tillë.
Fahredin Gashi: A është vendimi i vulosur nga Gjykata?
Shaban Syla: Ka vula në të, por nuk ekziston në Gjykatë.
Fahredin Gashi: A e ke verifikuar nëse ekziston në Gjykatë?
Shaban Syla: Natyrisht njeri, gjykata u përgjigj negativisht, kafshë. I kam të gjitha letrat në dorë. Unë i kam siguruar të gjitha dokumentet. Por tani na duhet para se ne të jemi të bllokuar me këto. Hej Faruk, duhet të takohemi. Lëshoje telefonin. Ma nuk flas në telefon.
Gjykata Komunale në atë kohë drejtohej nga Nuhi Ukës. Në këtë gjykatë sipas Prokurorisë, kundërshtarët e grupit për çështje pronësore nuk mund të fitonin asnjë rast.
“Shaban Syla i referohet faktin se Gjykata, natyrisht u përgjigj duke miratuar vendimin… sepse Nuhi Uka ua kishte aprovuar këtë”, thuhet në dosje.
Gjatë përgjimeve, ata flasin se duheshin më shumë para për të paguar ryshfete.
Në një bisedë tjetër të datës 7 qershor 2010, Fahredin Gashi thotë se për shkak të zëvendësimit të dosjes origjinale të rastit në gjykatë me atë të falsifikuarin, e nxirrte familjen Pantiq, si falsifikatore.
Për më tepër, Gashi përmend rolin e Hajrullah Berishës, ish-zyrtar i UNMIK-ut që ishte pjesë e grupit.
“Unë sapo kam biseduar me Danin dhe Shabanin. Shabani i solli serbët dhe ai shkoi me serbët dhe mori vendimin dhe pastaj shkuan në gjykatë me të. Shabani me atë Hajrullahun, kur dreqi është ai. Kur ata shkuan në Gjykatë, ajo nuk ekziston fare… Natyrisht gjithçka është në rregull, sinqerisht. Kopja nuk ekziston në Gjykatë. As origjinali, as asgjë. Që do të thotë se kjo është si këto që ata janë duke bërë dhe ata e kanë bërë. Kjo është ajo që ai më tha të paktën, unë hala nuk e kam parë. Kjo është ajo se si ata më lexojnë mua përmes telefonit. Bile edhe Dani ishte shumë entuziast. Këto vendime që ata i kanë, (serbët v.j.) mund të përdoren vetëm për të fshirë prapanicën”, thotë Gashi në telefon.
Në një bisedë tjetër të 7 qershorit 2010, Fahredin Gashi flet me një person të paidentifikuar, por me respekt të lartë.
Gashi shpjegon mekanizmin e pastrimit të parave: “Sikur kishim mujte me i transferu në emrin tonë. Shpresimi e transferoi në emrin e tij, Ramadan Uka edhe ai e ka bërë atë dhe shumë njerëz të cilët janë banorët të kësaj ane, kanë transferuar në emër të tyre. Ne mund të transferojmë në emrin tonë pa asnjë problem…, ne mund të transferojmë në emër të njëri prej nesh dhe pastaj e ndajmë atë si dëshirojmë ne. Problemi nuk është për të ndarë, por për të dalë dhe për të ndarë. Së pari duhet të transferohet nën emrin e njërit dhe më pas e ndajmë atë sepse ka punë për të bërë, për të ndarë atë më parë dhe pastaj ta transferojmë në emrin e secilit person ndaras”.
“Për sa i përket operacioneve të pastrimit të parave një tjetër bisedë e 16 qershorit 2010 tregon se si anëtarët e grupit kriminal, përkatësisht Shpresim Uka dhe Fahredin Gashi kanë në posedim dhe kontroll të parcelave të tokës të cilat formalisht janë transferuar në emër të një personi tjetër”, saktëson Prokuroria.
Fahredin Gashi flet me një person të quajtur Ymeri.
Ymeri: Keni disa toka sipër shkollës “Milenium”, pak më tutje nga “Përparimi”, kush është personi zyrtar i kësaj toke?
Fahredin Gashi: Unë ia kam dhënë këtë tokë Shpresimit dhe Sherifit si kompensim për tokën që e kam marrë pranë teje dhe tani është nën emrin e Besim Govorit pasi Shpresimi dhe Sherifiki me autorizimin tim e kanë dhënë në mënyrë që ai të ketë mbulesë për një kredi”.
Prokuroria thotë se provat e marra përmes urdhrit për përgjim që është duke vazhduar, bëjë të qartë se pjesëtarët e grupit të organizuar kriminal vazhdojnë të jenë në kontakt me njëri-tjetrin.
Prokurori përmend një rast kur Fahredin Gashi ishte në QKUK, Shaban Syla kishte përdorur numrin fiks të spitalit të Dubravës për të kontaktuar me Gashin nëpërmjet familjes së tij. Gjatë bisedave të përgjuara në lidhje me biznesin e tokës, Hajrullah Berisha është përmendur shpesh, duke treguar se akoma është duke punuar me grupin, në botën e jashtme.
Grupi është munduar që nëpërmjet lidhjeve që edhe Shpresim Uka të transferohej në Burgun e Dubravës, ku janë duke vuajtur dënimin, Shaban Syla, Fahredin Gashi e Driton Hajdari.
“Së fundi përgjimi në vazhdim ka treguar se janë në vazhdimësi tentativat për të siguruar lirimin e përkohshëm për Shaban Sylën e Fahredin Gashin nga Burgu i Dubravës”, thotë Prokurori.
“Ky lirim i parakohshëm do të mundësonte vazhdimin e tyre të biznesit me lehtësi më të madhe. Bisedat e përgjuara tregojnë se pjesëtarët e grupit të organizuar kriminal e dinë se diçka është duke ndodhur. Ka gjasa se e dinë se janë nën hetime”.