KIEV – Zelensky: Zgjedhje të reja nëse Trump siguron një armëpushim 60-ditor me Putinin
KIEV, 12 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i është përgjigjur me një kundërofertë, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërkoi largimin e tij nga detyra.
Ai deklaroi se do të ishte i gatshëm të zhvillonte zgjedhje të reja nëse Trump do të mund të siguronte një armëpushim të plotë 60-ditor me presidentin rus Vladimir Putin.
Në një intervistë për transmetuesin amerikan ABC, Zelensky tha se Ukrainës do t’i duhej kohë për të organizuar zgjedhje të reja, por se siguria e qytetarëve të tij gjatë çdo procesi votimi duhej të garantohej.
Mandati i tij i rregullt përfundoi më 20 maj 2024.
Megjithatë, nën ligjin ushtarak, mandati i presidentit është zgjatur në mënyrë të pacaktuar sipas kushtetutës, pasi zhvillimi i zgjedhjeve të reja nuk është i mundur gjatë kohës së luftës.
Zelensky ka theksuar gjithashtu vazhdimisht se edhe ukrainasit në zonat e vendit të pushtuara nga Rusia duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë lirisht në çdo zgjedhje.
“Këta njerëz thjesht nuk po gjejnë dot një mënyrë për ta ndalur Putinin”, tha ai.
”Prandaj, ishte më e lehtë të ushtrohej presion mbi të tjerët sesa të ndalej presidenti rus”, shtoi ai.
“Rusia nuk ndjen asnjë presion, thjesht dëshiron të vazhdojë”, tha Zelensky, duke shtuar se këtë javë Rusia kishte goditur 190 objekte energjetike në Ukrainë dhe kishte vrarë 153 civilë.
Ai rikonfirmoi se Ukraina ishte e gatshme për një pauzë në sulmet reciproke ndaj objekteve energjetike, duke thënë se nëse Rusia do t’i ndalonte sulmet ndaj furnizimit me energji të Ukrainës, edhe ajo do t’i ndalonte sulmet ndaj industrisë ruse të naftës./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.