Sporti

Kili refuzon Kosovën, sherri i Serbisë

Incidenti i Beogradit në ndeshjen ndërmjet Serbisë e Shqipërisë i ka kushtuar edhe Kosovës, shkruan gazeta Zëri. Në fakt, Përfaqësueses kosovare i ka dështuar organizimi i një ndeshjeje miqësore, pikërisht sherri i atij incidenti, të shkaktuar nga huliganët serbë.

kili

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ishte shumë afër ta aranzhojë për në muajin nëntor një ndeshje miqësore me Kombëtaren e Kilit. Por, kjo e fundit ka refuzuar të luajë, atëherë kur pritej një “Po” prej saj.

Kilianët kanë thënë se nuk duan të luajnë, me qëllim që ndeshja e tyre ndaj Kosovës të mos marrë konaticion politik, në kohën kur në rajonin tonë ka ngritje të tensioneve shkaku i incidentit të ndodhur në Beograd.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” edhe vetë nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu. “Po, është e vërtetë. Kilianët kanë hezituar të luajnë shkaku i tensioneve që kanë dalë nga incidenti në Beograd dhe frikës së politizimit eventual të miqësores mes dy vendeve”, deklaroi për “Zërin” Haxhiu, i cili tregoi se për këtë rast është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.

Një arsye tjetër që Kili ka refuzuar të luajë ndaj Kosovës ka qenë edhe fakti se ky shtet ende nuk e ka njohur pavarësinë e vendit tonë, e shpallur më 17 shkurt 2008.

Kështu, ekipi i Albert Bunjakut e humbi një rast shumë të mirë që ta zhvillojë një miqësore të madhe ndaj një ekipi prestigjioz, raporton Zëri, pasi Kili i Alexis Sanchez, Arturo Vidal dhe disa yjeve tjerë, ishte pjesëmarrëse në Botërorin  e fundit. Madje, kjo skuadër e kishte eliminuar kampionen, Spanjën. Ndërsa, ishte eliminuar nëpërmjet penaltive nga Brazili, në luftën për t’u kualifikuar në çerekfinale. Kili aktualisht është i 13-ti në botë.

Ndërkohë, nënkryetari, Bekim Haxhiu, thotë se FFK-ja do të bëjë çmos që t’ia gjejë përfaqësueses së Kosovës një tjetër kundërshtar sa më të mirë, për ta zhvilluar një miqësore në muajin e ardhshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button