Bota

Kina bën thirrje për vetëpërmbajtje. Luftanijet amerikane zhvillojnë stërvitje

Presidenti kinez, Xi Jinping ka bërë thirrje këtë të hënë për vetëpërmbajtje nga të gjitha palët, në një thirrje drejtuar Koresë së Veriut mes tensioneve ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, teksa Japonia ka zhvilluar stërvitje të përbashkët ushtarake me luftanijet amerikane që janë drejtuar për në ujërat koreane.

Grupi goditës u dërgua nga Trumpi për stërvitje në ujërat përreth gadishullit korean si një paralajmërim, mes frikës se Koreja e Veriut mund të zhvillojë një tjetër test bërthamor shumë shpejt, në një sfidë të hapur ndaj sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

E irrituar nga sjellja e grupit goditës amerikan, sfiduesja Kore e Veriut ka thënë të hënën se dërgimi i “USS Carl Vinson” ishte “një akt ekstremisht i rrezikshëm nga ata që planifikojnë një luftë bërthamore për të pushtuar Veriun”.

“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të nxitohen dhe të sillen në mënyrë të pakontrolluar, e duhet të konsiderojnë çdo pasojë katastrofike nga akti i pamend ushtarak provokues”, shkruhet në “Rodong Sinmun”, gazeta zyrtare e Partisë së Punëtorëve të vendit të izoluar komunist. “Ajo që vlen për agresorët janë viktimat dhe vdekjet”, lexohet më tej në gazetë.

Dy luftanije japoneze i janë bashkuar grupit goditës të Shteteve të Bashkuara për stërvitje në Paqësorin perëndimor, ndërsa Koreja e Jugut njoftoi këtë të hënë se është në bisedime për të zhvilluar gjithashtu stërvitje të përbashkët detare.

Uashingtoni dhe aleatët e tij druhen se Peniani mund të jetë duke përgatitur një tjetër test raketash bërthamore, apo edhe lëshimin e raketave të tjera balistike.

Kina i ka shtuar dozat e shqetësimit mbi këtë situatë, që ndoshta mund të dalë edhe jashtë kontrollit duke çuar në një luftë dhe rënien kaotike të fqinjit të saj të izoluar dhe të pllakosur nga varfëria. Xi Jinping tha se Trump dhe Kina kundërshtojnë me vendosmëri çdo veprim që do të ishte kundër rezolutave të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kineze.

“Kina shpreson se të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo veprim që do të përkeqësonte apo tensiononte edhe më tej situatën në gadishull”, citohet të ketë thënë Xi. “Çështja bërthamore mund të zgjidhet shpejt dhe pa vonesa, nëse të gjitha palët shkojnë në të njëjtin drejtim dhe Kina dëshiron të punojë me të gjithë, përfshi Shtetet e Bashkuara, për të siguruar mbizotërimin e paqes”, tha Xi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button