Bota

Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia zhvillojnë video-takim rreth koronavirusit

Kina propozon bashkëpunim trepalësh për të parandaluar pandeminë dhe për të shkëmbyer përvojat e saj në takimin e ministrave të jashtëm.

Ministrat e Jashtëm të Kinës, Koresë së Jugut dhe Japonisë mbajtën një video-konferencë për të diskutuar çështje që lidhen me koronavirusin dhe bashkëpunimin e mundshëm për të luftuar sëmundjen vdekjeprurëse.

Me iniciativën e ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi, në takim morën pjesë homologët e tij Kang Kyung-wha nga Koreja e Jugut dhe Toshimitsu Motegi nga Japonia, raportoi të premten agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Xinhua.

Duke pranuar ndihmën e shtrirë nga Seuli dhe Tokio menjëherë pas shpërthimit të sëmundjes, i njohur si COVID-19, ministri kinez Wang tha se të tre vendet shprehën vendosmërinë e tyre “të bashkojnë forcat për të kapërcyer vështirësitë përballë sfidave të mëdha dhe gatishmërisë së tyre pozitive për të punuar së bashku për të luftuar epideminë”.

“Megjithëse jemi me milje larg, ne jemi nën të njëjtin qiell”, tha Wang.

Pala kineze ka mbajtur qëndrimin që të tre vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin dhe këtë periudhë të vështirësive ta kalojnë së bashku.

Wang shtoi se Kina mezi pret të ndajë përvojën e saj të COVID-19 me Korenë e Jugut dhe Japoninë, ndërsa synon të arrijë një konsensus të vlefshëm për bashkëpunimin.

Sipas Universitetit John Hopkins, nga virusi janë prekur 81.251 njerëz dhe 3,253 njerëz kanë vdekur për shkak të pandemisë në Kinë. Koreja e Jugut ka raportuar 94 vdekje, me 8652 persona të prekur nga virusi. Japonia ka raportuar 33 vdekje dhe 943 persona të prekur deri më tani.

Koronavirusi i ri, i cili për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, është përhapur në të paktën 160 vende dhe territore, duke marrë jetën e mbi 10 mijë personave në mbarë botën, ndërkohë raportet e rasteve të konfirmuara tejkalojnë shifrën 244.602.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button