Kina kremton 70 vjet të sundimit komunist
Për 70 vjetorin e Republikës Popullore, Kina ka ekspozuar më shumë armë se kurrë më parë. Në Hong Kong festimet zyrtare janë më të vogla. Aktivistët duan të “vajtojnë”. Ka pasur shpërthime të para të dhunës.
Partia Komuniste e Kinës ka filluar festimet e 70 vjetorit të saj në pushtet, me një paradë që demonstron në radhë të parë rritjen ekonomike të vendit dhe armët më të reja. Festimet kryesore të së martës bëhen në përvjetorin e shpalljes më 1 tetor 1949, të themelimin të Republikës Popullore të Kinës nga udhëheqësi i atëhershëm Mao Ce Dun, pas një lufte civile prej dy dekadash.
“Nuk ka forcë që mund të trondisë themelet e këtij kombi të madh,” tha Presidenti Xi Jinping të martën herët, duke qëndruar përkrah liderëve të partisë në Sheshin Tiananmen, në vendin ku në vitin 1989 u krye një masakër prej disa ditësh ndaj demonstruesve pro-demokracisë . “Asnjë forcë nuk mund të ndalë popullin kinez dhe kombin kinez nga marshimi përpara “.
Republika Popullore e Kinës e festoi 70 vjetorin e saj me ekspozimin më të madh të armëve në historinë e vendit. Në fillim, u shkrehën 70 të shtëna përshëndetëse. Në paradën ushtarake në Sheshin Tiananmen në Pekin morën pjesë 15.000 ushtarë, më shumë se 160 avionë dhe 580 tanke dhe sisteme armësh, duke përfshirë raketa balistike ndërkontinentale të gatshme për mbushje bërthamore.
Armët më të avancuara në paradë
Ushtria ekspozoi armët më të avancuara në paradën e së martës, duke përfshirë shfaqjen e parë publike të një rakete bërthamore të krijuar për të shmangur sistemet e mbrojtjes amerikane. Mijëra ushtarë marshuan me hap rreshtor, ndërsa në qiell fluturonin avionë luftarakë.
Sipas ekspertëve, udhëheqja komuniste dëshiron të tregojë fuqinë e saj ushtarake, pretendimin e saj për pushtet dhe vullnetin për ndikim në botë me shfaqjen e trupave. Pajisjet e paraqitura ishin “plotësisht të prodhuara vetë”, tha gjeneralmajori Cai Zhijun, zëvendësdrejtor i Shtabit të Përgjithshëm. Ato synohet të bëjnë të qartë “aftësinë e pavarur të inovacionit” të industrisë kineze të mbrojtjes.
Në një limuzinë të zezë të tipit “Flamuri i Kuq” Xi Jinping kaloi në revistë si Komandant i Përgjithshëm trupat në Rrugën e Paqes së Përjetshme. Xi Jinping bëri thirrje për unitet dhe u premtoi rreth 1.4 miliardë kinezëve “edhe më shumë mirëqënie”.
Duke pasur parasysh protestat pesëmujore në Hong Kong, Xi Jinpingu bëri thirrje për “stabilitet afatgjatë” në Zonën Administrative Speciale Kineze. Ai konfirmoi parimin e “një vendi, dy sisteme”, mbi bazën e të cilit qeveriset në mënyrë autonome ish-kolonia britanike. Sidoqoftë, në lidhje me Tajvaninai theksoi gjithashtu parimin e “ribashkimit paqësor”. Pekini e sheh ishullin demokratik si pjesë të Republikës Popullore. “Lufta për një ribashkim të plotë të atdheut duhet të vazhdojë.”
Masat më të rrepta të sigurisë
Në Hong Kong, megjithë ndalimin e një demonstrate të madhe, dhjetëra mijëra vetë dolën përsëri dolën në rrugë për demokraci dhe për të drejtat e njeriut. Shumë ishin veshur me rroba të zeza. Aktivistët donin të mbanin “ditë zie”. Shumë njerëz hodhën në ajër kartëmonedha false, të cilat zakonisht hidhen në ajër në ceremonitë e varrimit. Gjithashtu gjatë marshimit fillimisht paqësor u këndua edhe himni i lëvizjes protestuese.
Larg marshimit të madh, në disa vende pati sërish shpërthime dhune. Policët përdorën gaz lotsjellës, demonstruesit hodhën, ndër të tjera, gurë mbi forcat e sigurisë. Sipas një informacioni të gazetës së Hong Kong-ut “South China Morning Post” në lagjen Tsuen Wan, një burrë u qëllua nga policia me municion luftarak. Një foto në faqen e internetit të gazetës tregon se për një burrë të mbuluar në gjak kujdesen shërbimet e urgjencës.
Nga frika e trazirave, janë mbyllur rrugë dhe disa stacione të metrosë. 6000 policë janë mobilizuar. Ata kryen kontrolle të shumta sigurie në rrugë dhe në transportin publik. Disa qendra të mëdha tregtare njoftuan se do të qëndrojnë të mbyllura. Disa hotele i këshilluan mysafirët e tyre të mos dalin nga ndërtesat.