Kinë-Gjermani, perspektiva të gjera bashkëpunimi në sektorin e automjeteve
Në ekspozitën e këtij viti, gjigantët globalë të makinave publikuan modelet më të reja të automjeteve elektrike. Ndër të tjera morën pjesë edhe 79 kompani kineze të automjeteve, numri më i madh për sa u përket kompanive të huaja. Kompania kineze “FAW” paraqiti produktin e parë të modelit “S”: makinën sportive hibride “S9”, dhe SUV-in elektrik inteligjent “E115”, ndërsa “GreatWall” publikoi SUV-in elektrik inteligjent të modelit të vogël, “WEY-S”.
Kompania kineze e energjisë së re “CATL”, që ka ndërtuar fabrikën e baterive të litiumit në Gjermani, ka paraqitur platformën më të re të baterive në këtë ekspozitë. Përgjegjësi për rajonin e Evropës i kësaj kompanie Matthias Zentgraf u shpreh se në këtë ekspozitë është paraqitur prirja e tanishme e zhvillimit të industrisë së makinave: automjetet elektrike. Ai tha se Kina është tregu më i madh i makinave elektrike për një kohë të gjatë, prandaj ekzistojnë potenciale të mëdha bashkëpunimi në këtë fushë mes Gjermanisë dhe Kinës.
Wang Hao, një drejtues i kompanisë kineze “BAIC MOTOR”, është i mendimit se komunikimi i thellë dhe bashkëpunimi i gjerë mes ndërmarrjeve kineze dhe atyre gjermane do të nxitin zhvillimin e vazhdueshëm të kësaj industrie:
“Gjermania është djepi i industrisë globale të makinave. Ne i kushtojmë vëmendje të madhe Gjermanisë dhe dëshirojmë të bashkëpunojmë me kompanitë gjermane, që të mësojmë më shumë prej tyre për teknologjitë, materialet e modelet e reja dhe që t’i shfrytëzojmë sa më shpejt ato në industrinë kineze të automjeteve. Në të njëjtën kohë, ky bashkëpunim mund të na sjellë përfitime të ndërsjella. Kompanitë gjermane, veçanërisht ato të vogla e në zhvillim të shpejtë, mund të hyjnë në tregun kinez. Duke përkrahur investimet e kompanive gjermane në Kinë, ne nxitim njëkohësisht bashkëpunimin e industrisë së automjeteve të të dy vendeve. Në të njëjtën kohë, kompanitë gjermane mund të mësojnë mbi modelet e reja inovative dhe arritjet e shfrytëzimit të internetit në tregun kinez, si platformat e rezervimit të automjeteve etj. Përveç kësaj, tregu kinez i automjeteve ka perspektivë të gjerë dhe një forcë të madhe konsumi. Ndërmarrjet gjermane të automjeteve s’mund të mungojnë në këtë treg.”
Anëtari i bordit të drejtorëve të grupit “Audi”, Alexander Seitz, ka të njëjtin opinion. Ai mendon se ndryshimi i shpejtë i industrisë së automjeteve dhe pasiguria e faktorëve të teknologjisë mund t’u sjellin kompanive të automjeteve sfida të mëdha dhe raste të shumta. Sipas Seitz-it, duhet të hartohet një strategji e qartë në këtë periudhë të shndërrimit dhe tregu kinez është shumë i rëndësishëm për këtë shndërrim:
“Sot Kina është pa dyshim qendra e industrisë së makinave. Gjallëria dhe energjia e saj në periudhën e shndërrimit janë të pakrahasueshme me ato të rajoneve të tjera, duke përfshirë Evropën. Prandaj, ai që mund ta kuptojë më mirë tregun kinez dhe ta frymëzojë këtë treg, do të jetë udhëheqës në këtë botë të re. Kina është tregu më i rëndësishëm për rritjen e ‘Audit’. Ne do të vazhdojmë shtimin e investimeve në Kinë, duke përmirësuar aftësinë kërkimore në Kinë dhe duke përgatitur më shumë talente në fushën e krijimit të risive, të cilët mund të na ofrojnë projektet e ardhshme të zgjidhjes në Kinë.”