KKSH-ja REAGON LIDHUR ME EMËRIMIN E DREJTORËVE TË SHKOLLAVE NË TË CILAT MËSIMI ZHVILLOHET NË GJUHËN SHQIPE NË MALIN E ZI
Foto: Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve
Në redaksinë e TV BOIN ka mbërritur reagimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi lidhur me emërimin e drejtorëve të shkollave në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, të cilin keni mundësi ta lexoni në tërësi:
Të nderuar qytetarë,
Duke u nisur nga zhvillimet e fundit lidhur me emërimin e drejtorëve të shkollave në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Malin e Zi, si dhe duke vlerësuar se arsimimi në gjuhën amtare përbën një nga themelet e ruajtjes dhe zhvillimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, si organ përfaqësues dhe mbrojtës i të drejtave kombëtare, po i përcjell me vëmendje të posaçme zhvillimet e fundit dhe vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit lidhur me emërimin e drejtorëve të shkollave në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, të mbajtur më 06.06.2026, e cila u thirr pikërisht për të dhënë mendimin lidhur me kandidatët për drejtorë të shkollave në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, Këshilli Kombëtar ka dhënë mendimet e tij, të cilat, në përputhje me procedurën, ia kemi përcjellë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.
Lidhur me këtë, e vërteta është se, si në të kaluarën, ashtu edhe tani, mendimi i Këshillit Kombëtar sa i përket zgjedhjes së drejtorëve të shkollave në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Malin e Zi, nuk është marrë dhe nuk merret parasysh nga Ministria, por kërkohet vetëm si një procedurë formale, për të respektuar dispozitat ligjore. Ndërkohë, drejtuesit e shkollave emërohen nga Ministria sipas kritereve dhe preferencave të përcaktuara prej saj.
Në një situatë të tillë, kërkimi i mendimit të Këshillit Kombëtar vetëm si formalitet është absurd dhe i pakuptimtë.
Zbatimi i dispozitave ligjore
Një çështje tjetër shumë e rëndësishme, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Malin e Zi, janë dispozitat ligjore në fuqi, të cilat, sipas vlerësimit tonë, janë anashkaluar.
Konkretisht, neni 18 i Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave, ndër të tjera, përcakton:
Paragrafi 1
“Puna edukative dhe arsimore në institucionin arsimor ose në një paralele të veçantë të shkollave, në të cilën mësimi zhvillohet në gjuhën e popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera kombëtare, kryhet nga mësimdhënësit që i përkasin popullit përkatës pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare, të cilët kanë njohuri aktive të gjuhës së popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera, përkatësisht nga mësimdhënësit që nuk i përkasin popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera të pakicave kombëtare përkatëse, por që kanë njohuri aktive të gjuhës dhe shkrimit të këtyre popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera.”
Paragrafi 2
“Drejtori i institucionit arsimor, të themeluar nga shteti i Malit të Zi ose nga komuna, në të cilin mësimi zhvillohet në gjuhën e popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera pakicë, i cili i plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, zgjidhet në përputhje me ligjin.”
Paragrafi 3
“Organi kompetent i administratës shtetërore është i detyruar që, para zgjedhjes së personit të përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni, të marrë mendimin e Këshillit të popullit përkatës pakicë dhe të komuniteteve të tjera kombëtare.”
Përkatësisht, edhe neni 101 i Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin përcakton se mësimdhënësit në institucionet ose në njësitë e veçanta me mësim në gjuhën e popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera kombëtare, krahas kushteve të tjera të përcaktuara me ligj, duhet të kenë njohuri aktive të gjuhës dhe shkrimit të asaj pakice, si dhe të gjuhës malazeze.
Gjithashtu, në paragrafin 4 të të njëjtit nen përcaktohet:
„Verifikimin e njohjes së gjuhës nga paragrafi 3 i këtij neni e kryen komisioni të cilin e themelon institucioni përkatës i arsimit të lartë, në përputhje me programin e posaçëm të miratuar nga Këshilli Kombëtar.“
Edhe pse dispozita e nenit 101 të Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin i referohet drejtpërdrejt personelit mësimor, konsiderojmë se ajo është me rëndësi për këtë procedurë, pasi përcakton mënyrën e verifikimit të njohjes aktive të gjuhës së popujve pakicë. Ndërkaq, neni 18 i Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave përcakton se drejtori i institucionit arsimor ku mësimi zhvillohet në gjuhën e popullit pakicë duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara për personelin mësimor.
Rasti i Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin
Në rastin konkret të zgjedhjes së drejtorit të Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, në dokumentacionin dërguar KKSH-së nga Ministria e Arsimit, nuk është dërguar dokument apo dëshmi që lidhen me njohjen aktive të gjuhës shqipe.
Në veçanti, nuk kemi gjetur dokumentacion që vërteton se kandidatja e emëruar nga Ministria ka njohuri të gjuhës shqipe në nivelin B2, siç është pohuar në një deklaratë për media nga vetë Ministria, apo dokumentacion që sqaron mënyrën se si është përcaktuar përmbushja e këtij kushti.
Duke pasur parasysh sa më sipër, Këshilli Kombëtar kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit që të na informojë për sa vijon:
- A posedon kandidatja për drejtoreshë dëshmi për njohjen aktive të gjuhës shqipe?
- A i është nënshtruar kandidatja verifikimit të njohjes së gjuhës, të parashikuar në nenin 101, paragrafi 4, të Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin, apo posedon ndonjë dëshmi tjetër përkatëse për përmbushjen e këtij kushti?
- Në çfarë mënyre është përcaktuar njohja e gjuhës shqipe?
- Ju lutemi të na dorëzoni kopje të dëshmisë, vërtetimit, certifikatës ose aktit tjetër mbi bazën e të cilit është përcaktuar se kandidatja e plotëson kushtin e njohjes aktive të gjuhës shqipe, në përputhje me nenin 18 të Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave.
- A konsideron Ministria se standardi i njohjes aktive të gjuhës së pakicës, i përcaktuar në nenin 101 të Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin, zbatohet gjatë përcaktimit të përmbushjes së kushteve të përcaktuara në nenin 18 të Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave?
Gjithashtu, duke pasur parasysh dispozitën e nenit 101, paragrafi 4, të Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin, kërkojmë që të na dorëzohen:
- Programi i posaçëm i përcaktuar në nenin 101, paragrafi 4, të Ligjit;
- Informacioni lidhur me institucionet e arsimit të lartë të autorizuara për kryerjen e procedurës së verifikimit, përfshirë informacionin se cili është kuadri profesional i angazhuar për kryerjen e testimit dhe mbi cilat standarde bazohet ky testim;
- Të dhënat se në çfarë mënyre, në praktikë, kryhet verifikimi i njohjes aktive të gjuhës shqipe për nevojat e punës në institucionet në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe;
- Informacionin nëse programi i sipërpërmendur është zbatuar deri më tani dhe, nëse po, në cilat raste.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi konsideron se respektimi i dispozitave ligjore, transparenca e procedurave dhe përfshirja reale e institucioneve përfaqësuese të komunitetit shqiptar janë të domosdoshme për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në fushën e arsimit.
Për këtë arsye, presim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit përgjigje të qarta dhe konkrete për çështjet e ngritura më sipër, si dhe respektimin e plotë të dispozitave ligjore që garantojnë të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare dhe përfaqësimin institucional të komunitetit shqiptar.
Me respekt,
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi
Zyra për Komunikim me Publikun




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.