ArteLibri

Kleo Lati: Vasilis Vasilikos foli gjuhën e përbotshme

“Librat nuk janë njerëz dhe përsëri janë gjallë”.

 

Kjo thënie e bukur, si njeri i letrave, që librat i dashuron dhe i vlerëson si ndër gjërat më të larta dhe më të bukura në jetë, më vjen shpesh ndërmend, por shumë më tepër këto ditë kur bota letrare jo vetëm greke, por edhe europiane dhe botërore, humbi fizikisht shkrimtarin e shquar Vasilis Vasilikos. Një shkrimtar i përmasave të mëdha, autor i rreth 100 veprave të spikatura letrare. Dy prej veprave të korpusit të tij letrar, romanet “Z – orgjia e pushtetit” dhe “Shtëpia në udhëkryq” pata fatin t’i përkthej nga greqishtja në shqip dhe që qarkualluan për lexuesit shqiptar në dy botime cilësore të Shtëpisë Botuese DITURIA

Kur përmendet emri i shkrimtarit të shquar Vasilis Vasilikos, jo vetëm lexuesit grekë por edhe ata të shumë vendeve të botës – veprat e tij janë përkthyer në rreth 40 gjuhë të ndryshme të planetit – me siguri do t’u kujtohet një ose disa nga veprat e tij që kanë patur rastin të lexojnë. Ashtu sikurse lexuesit shqiptarë kujtojnë botimin e parë në shqip të romanit të tij «Helioni» ose “Uji” i ishullit Kos», dhe më pas romanet  “Z – orgjia e pushtetit” dhe “Shtëpia në udhëkryq”.

Vasilikos është shkrimtari i dytë grek më i përkthyer në botë, pas Kazanxaqis. Dhe meqë fjala erdhi tek këta dy emra të shquar të letërsisë greke, ja edhe një fakt tjetër domethënës: Ndërmjet një mijë librave që gazeta e njohur angleze “The Guardian”  u rekomandonte lexuesve se duhen lexuar patjetër, (“1000 novels everyone must read”, 21/1/2009), përfshihen vetëm dy libra nga letërsia greke: “Jeta e Aleksis Zorba” të Kazanxaqis dhe romani “Z” i Vasilikos.

Në shtatë dekada krijimtari të suksesëshme ky autor shkroi rreth 100 vepra thuajse të të gjitha gjinive. Por Vasilikos, edhe në bisedat e paharruara dhe interesante që kam patur me të, nuk i mëshonte shumë numrit të veprave të tij. Me siguri ka patur parasysh atë që bashkëatdhetari i tij, poeti i shquar nobelist Elitis, thoshte se “letërsia është e vetmja hapësirë ku fuqia e numrit nuk ka vlerë”, dhe se “arti është e vetmja gjë me vlerë në kohërat tona të çvleftësimit sasior të vlerave”.

Librin e tij të parë Vasilikos e shkroi kur ishte vetëm 20 vjeç, “Rrëfimi i Jasnonit”, duke imponuar kritikën letrare greke të shkruante me respekt,  admirim dhe vlerësim të lartë për të qysh në hapat e tij të para në rrugën e vështirë por të magjishme të letërsisë. Ende pa mbushur 30 vjeç, në vitin 1961 ai botoi trilogjinë “Gjethja”“Burimi” dhe “Agonia”, që sipas kritikës greke të gjithëpranuar shënon një pikë kulmore në prozën e pasluftës të letërsisë greke. Pak vite më vonë ky shkrimtar shënon një kulm tjetër letrar, me botimin e romanit të famshëm “Z”. Një libër-simbol në periudhën e viteve të diktaturës së kolonelëve në Greqi, një roman-stacion në letërsinë greke. Ndihem krenar që këtë kryevepër të tij e kam sjellë në gjuhën e bukur dhe të ëmbël shqipe, me të cilën kanë “folur” kryevepra të letërsisë botërore që nga antikiteti dhe deri në ditët tona.

Me Vasilis Vasilikos pata kënaqësinë e veçantë të takohesha dy herë në Tiranë – ku erdhi për të qenë i pranishëm në promovimin e romanit të tij “Z-orgjia e pushtetit” -, si dhe disa herë të tjera në Athinë, në studion e shtëpisë së tij apo në kafenenë e tij të preferuar jo shumë larg shtëpisë ku banonte në Faliro. Janë të shumta, të dashura dhe të vyera bisedat me të, sikurse edhe letërkëmbimet. Po veçoj vetëm dy prej këtyre mbresave të bukura.

Herën e parë, përpara se të shkoja për ta takuar në Hotel Tirana Internacional, në telefon më kishte shprehur dëshirën që ta shetisja nëpër Tiranë, në ato vende që ruanin historinë e qytetit. Për këtë vendosa që të mos merrnim një taksi, por ta shetisja mikun e rrallë dhe shkrimtarin e shquar me makinën time. Si stacion të  parë të shetitjes nëpër Tiranë zgjodha godinën e bukur të ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Para godinës e ndala makinën dhe i thashë:

-Kjo ka qenë, të paktën për mua, ndërtesa më e bukur e Tiranës.

-E bukur është edhe tani – tha Vasilikos, ndërkohë që e vështronte me një lloj admirimi godinën.

-Tani jo aq e bukur sa dikur – i thashë dhe më pas shtova: – Dikur ka qenë godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këtu ishin dhe redaksitë e gazetës “Drita” dhe revistës “Nëntori”. Tani nuk është më e tillë, ndaj nuk është dhe aq e bukur, si dikur.

Shkrimtari i shquar nënqeshi hidhur.

-Ke të drejtë. Ka qenë shtëpia e shkrimtarëve, ndaj ka patur tjetër bukuri – tha ai.

-Në Tiranë ka edhe të tjera bukuri të plagosura apo të vrara përgjithmonë – thashë, duke vijuar shetitjen nëpër Tiranë…

Biseda e dytë me Vasilikos, shumë e dashur dhe e zgjedhur jo vetëm për mua por edhe për të, ishte rreth shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare. Që nisi duke i kujtuar shkrimtarit grek një letër që ai i kishte dërguar Kadaresë më 20 Korrik 1977 dhe që u botua në gazetën greke “Ta Nea”. Por si rashë në gjurmë të kësaj letre? Kur isha në Athinë pata rastin të shoh një libër mbi krijimtarinë 60-vjecare të Vasilikos, me titull “Rreth letërsisë dhe gjenive të tjerë”, botim i “Gutenberg”. Aty, mes faqeve të këtij libri, që përbën një pasqyrim të universit krijues të Vasilikos, ishte edhe letra që ai i kishte drejtuar Kadaresë mbi katër dekada më parë dhe që ishte botuar në një nga gazetat më të mëdha greke. Një letër e një shkrimtari të shquar të një vendi drejtuar një shkrimtari të shquar të një vendi tjetër është, natyrisht, diçka sa e bukur, aq edhe e zakonshme në jetën letrare. Por ka edhe raste që letra të tilla kanë një vlerë tej të zakonshmes, pikërisht prej rrethanave jo të zakonshme në të cilat ato janë shkruar. Dhe kjo sa për letërshkruesin, aq edhe për letërmarrësin.

Në rastin, për të cilin po bëj fjalë, kemi të bëjmë me një rrethanë dhe realitet jo të zakonshëm të letërmarrësit. Edhe pse letërmarrësi është një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Shkrimtar i nivelit botëror. Mjafton të përmendet emri i tij dhe ky pohim vjen vetiu prej miliona lexuesve në dhjetra vende të botës, që e njohin veprën e tij. Letërmarrësi është gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare.

Po letërshkruesi? Ai është Vasilis Vasilikos, shkrimtari i shquar grek. Mjafton të përmendet emri i tij dhe – ashtu si në rastin e Kadaresë – për talentin e tij flasin jo vetëm në Greqi, nga është letërshkruesi, por edhe në dhjetra vendet të botës, ku janë përkthyer dhjetra vepra të tij të shquara.

Shkrimtari grek, në kohën që vendos dhe i drejtohet shkrimtarit shqiptar, kishte tre vjet që, bashkë me popullin e tij, shijonte erën e demokracisë, të vendosur në vendin tonë fqinj pas një periudhe të zezë shtatëvjeçare të juntës ushtarake të periudhës 1967-1974. Junta ushtarake e dëboi nga Greqia këtë shkrimtar të talentuar, ashtu sic bëri me plot emra të shquar të letërsisë, arteve dhe fushave të tjera. Ai jetoi e punoi në Itali, Francë dhe Nju Jork. Dhe pikërisht kur vendi i tij kishte pak kohë që kishte dalë prej izolimit dhe diktaturës ushtarake, vendos dhe i shkruan një letër fqinjit të tij Ballkanas, shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare, i cili jetonte në një vend të izoluar nga bota demokratike perëndimore, ku regjimi diktatorial kishte më shumë se tre dekada që ishte vendosur. Por që askush, as këtej dhe as andej kufirit, nuk e dinte dhe as që mund ta parashikonte dot se deri kur do të vazhdonte ky izolim.

Por ja që shkrimtari i shquar grek e fton shkrimtarin e shquar shqiptar që të takohen, të njihen nga afër, të fillojnë mes tyre dialogun. Dhe kjo “mes tyre” aspak në kuptimin personal mes dy njerëzve, por qartazi me simbolikën e dialogut, komunikimit, shkëmbimit të mendimeve dhe të ideve mes njerëzve të dy popujve që janë kaq afër sa, sic Vasilikos i shkruan Kadaresë, «nga Korfuzi, ishulli, e shikoj kaq afër atdheun tënd të bukur, Shqipërinë, aq sa sikur të shtrij dorën, imagjinoj se do ta arrij»… Por  njëkohësisht edhe kaq larg. Dhe kjo “kaq afër dhe kaq larg njëherësh”, shkrimtarit Vasilikos i kujton atë që thuhet për të dashuruarit: «Ishin kaq afër shtëpitë e tyre, aq sa ishin larg vetë ata të dy!».

Sytë e Vasilikos ndriçoheshin gjithnjë nga një dritë e ngrohtë sa herë flitej për diçka që atij i pëlqente veçanërisht. Kështu i ndodhi gjatë bisedës me kujtimin e kësaj letre drejtuar Kadaresë. Edhe me gjithçka folëm për letërsinë e shkrimtarit tonë të shquar apo të shkrimtarëve të tjerë të shquar grekë.

-Kur lexova në frëngjisht romanin e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kuptova se bëhet fjalë për një shkrimtar të madh. Isha në Paris në atë kohë. Kisha dëshirë ta takoja nga afër. Ishte e pamundur. Ishin kohë të tjera atëherë. Këtu në vendin tuaj, se te ne ishte rrëzuar junta dhe kishte ardhur një qeveri demokratike. Atëhere vendosa t’i shkruaj Kadaresë një letër të hapur, që u botua në një gazetë greke… – më tregoi Vasilikos.

Në atë letër Vasilikos i shkruan Kadaresë: «Po të drejtohem ty, pra, sepse është koha që t’i tejkalojmë politikanët tanë… dhe të vijmë në dialog, ne, si njerëz të kulturës dhe të artit». Dhe, në fakt, letërsia dhe arti, sipas mënyrës dhe fuqisë së tyre të pakrahasueshme, e çajnë izolimin, ashtu sikurse shkrimtarët dhe artistët, me fuqinë e talentit dhe të vizionit të tyre, i kapërcejnë politikanët. Izolimin komunist Kadare e kishte “çarë” me veprat e tij të shquara, të përkthyera në Perëndim. Vepra për të cilat kolegu i tij grek Vasilikos shprehet me admirim dhe vlerësim të lartë. «Romani yt i mrekullueshëm “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”… ka dicka nga fryma e Gogolit dhe nga fuqia e Malaparte», i shkruan Kadaresë në letrën e tij Vasilikos.

Ky shkrimtar i shquar grek ka marrë vlerësime dhe çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Ikja e tij fizike cilësohet si një humbje e madhe për letërsinë. Ndër vlerësimet e larta që i bënë dhe vazhdojnë t’i bëjnë edhe këto ditë veprës së tij shkrimtarë, kritikë dhe personalitete të shquara të letrave dhe të kulturës, po veçoj atë të një personaliteti grek: “Vasilis Vasilikos foli gjuhën e përbotshme – që është arritja më e madhe për një shkrimtar”.

Shkrimtari dhe miku i tij Kristos Homenidis shkruajti: “Nga të gjithë shkrimtarët që kam takuar personalisht, Vasilis Vasilikos ishte më karizmatiku në shoqëri, më magjepsësi në rrëfimet e tij, më kozmopoliti, më zemërbuti, më bujari. Ndoshta sepse ishte më i talentuari… Letrat e tij i mbaj si medalje. Edhe si puthje”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button