Kronika

Klosi, certifikata mirënjohje për vullnetarët: Larguam 320 fëmijë nga rruga

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve shpërndan certifikatat e mirënjohjes për 120 vullnetarë që u angazhuan në fushatën ndërgjegjësuese: “Asnjë fëmijë në rrugë për punë dhe lypje!”. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministri i MSR-së, Blendi Klosi vlerësoi kontributin që kanë dhënë këta të rinj, jo vetëm duke komunikuar direkt me fëmijët në situatë rruge dhe prindërit e tyre, por edhe në sensibilizimin e shoqërisë për të informuar dhe denoncuar çdo rast abuzimi.

Duke u ndalur te problematika me fëmijët në gjendje rruge, ministri Klosi vuri theksin pikërisht te nevoja për një zgjidhje afatgjatë dhe që bën të mundur integrimin e tyre në shoqëri nëpërmjet arsimimi dhe punësimit.  Më tej ai theksoi se ndryshimi duhet të fillojë nga secili anëtar i shoqërisë sonë, duke raportuar rastet e fëmijëve që shfrytëzohen, duke ndihmuar një familje të varfër në nevojë, që fëmijët dhe familjarët e tyre të mos përfundojnë në rrugë. Por ndërsa vlerësoi se ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm, ministri Klosi theksoi se institucionet shtetërore dhe e gjithë shoqëria nuk mund të mjaftohen me kaq. “Fokusi ynë është tek forcimi i një sistemi për mbrojtjen e fëmijëve që të jetë i aftë t’i përgjigjet çdo forme abuzimi apo shfrytëzimi të fëmijës”, – tha ministri Klosi.

Ai bëri të ditur se deri tani, në 4 bashkitë më të mëdha të vendit janë trajtuar mbi 320 fëmijë që janë ndihmuar nga njësitë e mbrojtjes së fëmijëve dhe qendrat që ofrojnë shërbime, ndërsa familjet e tyre janë ndihmuar me shërbime dhe mundësi për punësim. Po ashtu, 130 fëmijë në situatë rruge shkuan këtë vit në shkollë për herë të parë, ndërsa paralelisht, një numër i konsiderueshëm rastesh janë referuar në prokurori për ndjekje penale, pasi është konstatuar se fëmijët nuk janë gjetur në gjendje rruge të shtyrë nga varfëria, por të nxitur nga përfitimi ekonomik i të rriturve që i shfrytëzojnë.

“Kjo do të vazhdojë, pasi nuk do të tolerojmë abuzimin e fëmijëve. Pa dyshim, këto rezultate nuk mjaftojnë. Kemi ende shumë fëmijë në situata rruge dhe nuk do të jemi të kënaqur deri sa asnjë fëmijë të mos jetë në rrugë për punë dhe lypje”, – theksoi Klosi. Për t’ia arritur kësaj, ministri Klosi u shpreh se shteti nuk mund të jetë i vetëm. Ndaj ai vlerësoi si të një rëndësie thelbësore në këtë betejë edhe rolin e shoqërisë dhe atyre që në mënyrë vullnetare janë angazhuar në largimin e fëmijëve nga rruga.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button