KLSH: Sigurimet Shoqërore, në 2013-tën difiçiti në të ardhura 622 milion lekë
Tiranë: Sipas raportit të mbajtur në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, nga z.Bujar Leskaj, kryetar Kontrollit të Lartë të Shtetot, ky institucion ka konstatuar sërisht se skema aktuale e sigurimeve shoqërore shfaq problematika si në procesin e realizimit të të ardhurave dhe në realizimin e shpenzimeve, të shoqëruara me rritje nga viti në vit të subvencionimeve buxhetore. Konstatohet një nivel kontributiv më i ulët, fakt që ka sjellë që plani vjetor fillestar i të ardhurave prej 48,918 milion lekë të realizohet vetëm 98.73 % duke krijuar një difiçit në të ardhura me 622 milion lekë.
Ndër faktorët kryesor të këtij mosrealizimi janë mosrealizimi i numrit të kontribuesve, numri i ulët i kontribuesve për një subjekt si dhe rritje e numrit të punonjësve me pagë minimale. Mjafton të përmendim një fakt të thjeshtë nga konstatimet tona, subjektet e pajisura me leje për shfrytëzim mineral rezultojnë të kenë prodhuar sasi të konsiderueshme në mijëra tonë mineral, por numri i punëtorëve në këto subjekte varion nga 2-4 punonjës.
Gjithashtu, konstatohet rritje e detyrimeve të papaguara ndaj skemës së sigurimeve vetëm për vitin 2013, me rreth 1,9 miliardë lekë, kjo ka sjellë që stoku i detyrimeve kontributive të papaguara nga subjektet juridik dhe fizikë në fund të vitit 2013 të arrijë në 10 miliardë lekë, detyrimeve që përfaqësojnë, kontribute, interesat dhe gjobat e papaguara, të pa mbledhura nga organet tatimore. Plani i të ardhurave të planifikuara për t’u mbledhur nga vetë ISSH është realizuar 100.1%, pavarësisht tendencës në rënie të numrit fizik të kontribuesve si të vetëpunësuar në bujqësi. Skemës së sigurimeve shoqërore në fshat i mungon një numër relativisht i lartë i personash, që vlerësohet të jetë 113,377 kontribues.
Nga auditimi i shpenzimeve për buxhetin e Sigurimeve Shoqërore, rezultoi se programi përfundimtar i shpenzimeve, i miratuar me ligjin për buxhetin e vitit 2013, nga 95,395 milionë lekë të programuara, është realizuar në shumën 95,596.6 milionë lekë, pra konstatohet një tejkalim prej + 201.6 milionë lekësh.
Konstatohet se defiçiti i degës së pensioneve po thellohet nga viti në vit dhe, bazuar në treguesit e buxhetit afatmesëm, parashikohet të thellohet edhe në tre vitet e ardhshme, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave konkrete dhe reformimin e thellë të Sistemit të Sigurimeve Shoqërore.
“Kemi rekomanduar, tha Leskaj, nje sere masash perpermiresimin e gjendjes, por theksojme se është e rëndësishme dhe domosdoshme miratimi i ndryshimeve ligjore për skemën e sigurimeve shoqërore (nismë tashmë realizuar pjeserisht), si dhe marrja e masave shtrënguese në detyrimin e subjekteve publike dhe private, për derdhjen e detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, te cilat së bashku do të përmirësojnë situatën për defiçitin e krijuar. Rekomandimet e KLSH, të lëna si në drejtim të përmirësimeve ligjore të akteve në fuqi, ashtu dhe për hartimin e marrëveshjeve ndërinstitucionale dhe masat organizative brenda ISSH, nëse zbatohen, mund të përmirësojnë skemën e Sigurimeve Shoqërore dhe ndalojnë “hemorragjinë” e defiçitit të pensioneve”.