Politika

Kodi i Etikës – OSBE kërkon konsensus, Paloka: Është tallës dhe i pazbatueshëm

Rauning – Kodi prek çdo deputet, prandaj, kuptohet, që ai duhet të miratohet nga të gjithë deputetët me konsensus

Edi Paloka – “Nuk është problemi i etikës, mos të shahen me njëri-tjetrin. Mund të mos shahen po mund të rrihen. Ky Kod i Etikës duket qesharak, duket një tallje. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e gjërave që janë krejtësisht fasadë”

Eduard Shalsi – “Ajo që bën ky kod është që përmbledh copëza të këtyre ligjeve, për t’i dhënë në dorë një mekanizëm apo instrument me të cilin parlamentarët, publiku të gjykojë mbi mënyrën e sjelljes në Parlament”

NGA BLEDAR HOTI

osbe_1Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning, kërkon miratimin me konsensus PS-PD të Kodit të Sjelljes së deputetëve të Kuvendit. Në momentin kur opozita ka bojkotuar Parlamentin për shkak të dhunës së ushtruar nga mazhoranca, OSBE-ja ka hartuar dokumentin që synon të zbusë dhe të edukojë parlamentarët sherrxhinj brenda PS-së dhe PD-së. Ambasadori Rauning shprehet për ‘AS TV’ se dokumentin e paraqitur nga OSBE-ja në Kuvendin e Shqipërisë e sheh të një rëndësie të veçantë, që kjo nismë të miratohet me konsensusin e të gjitha partive. “Kodi i Sjelljes është një çështje e rëndësishme për jetën parlamentare, për të rritur cilësinë e diskutimeve në Kuvendin e Shqipërisë. OSBE-ja është angazhuar prej vitit 2012. Është një fushë ku kemi mjaft ekspertizë dhe mjaft eksperiencë. Kodi u përgatit bashkë me Kuvendin dhe u prezantua para disa muajsh te kryetarët e grupeve parlamentare për t’u diskutuar. Jam i bindur që Kodi është një kontribut për të rritur edhe respektin dhe përgjegjshmërinë e deputetëve ndaj votuesit, ndaj qytetarëve. Kodi prek çdo deputet, prandaj, kuptohet, që ai duhet të miratohet nga të gjithë deputetët me konsensus”, deklaroi kreu i Prezencës.

Paloka e rrëzon

Dokumenti i Kodit Etik u është dorëzuar krerëve të grupeve parlamentare. Por nisma e OSBE-së për disiplinimin e deputetëve nuk ka gjetur mbështetjen e PD-së, e cila ka bojkotuar Kuvendin që prej 20 korrikut. Në një prononcim për mediat, kryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka, e cilëson nismën e OSBE-së si jashtë realitetit dhe i pazbatueshëm. “Është jashtë realitetit. Së pari, sepse shumë nga ato pikat të këtij Kodi Etike kanë ekzistuar dhe më parë dhe jo veshja, jo mënyra e komunikimit, telefoni etj., por Parlamenti shqiptar nuk e ka këtë problem. Nuk është  problemi i etikës, mos të shahen me njëri-tjetrin. Mund të mos shahen po mund të rrihen. Ky Kod i Etikës duket qesharak, duket një tallje. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e gjërave që janë krejtësisht fasadë, false për këtë Parlament. Këtu bëhet fjalë për ekzistencën e opozitës dhe nuk mund të diskutojmë se si do të vishemi, me kostum gri, blu apo të zi”, deklaroi kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka. Ndërsa nënkryetari i grupit të PS-së, Eduard Shalsi, e cilëson një dokument të tillë të vlefshëm, duke shprehur keqardhjen për refuzimin e nga ana e PD-së. “Ne kemi një ligj për konfliktin e interesit, kemi një ligj për deklarimin e pasurive, kemi një rregullore Parlamenti. Ajo që bën ky kod është që përmbledh copëza të këtyre ligjeve, për t’i dhënë në dorë një mekanizëm apo instrument me të cilët parlamentarët, publiku të gjykojë mbi mënyrën e sjelljes në Parlament”, tha Eduard Shalsi.

 

Sipas draftit të hartuar nga OSBE-ja, në bashkëpunim me Kuvendin, deputetëve do t’u ndalohet përdorimi i telefonisë celulare në  ambientet e sallës së Parlamentit. Ata duhet të jenë të veshur me kostume dhe në rast se do t’u japin dhurata për shkak të detyrës, duhet t’i refuzojnë, ose do të përdoren për qëllime të Kuvendit. Për fyerje dhe sharje mes ligjvënëseve, kodi i referohet rregullores ku parashikohet përjashtimi deri në 10 ditë dhe sanksione financiare. “Deputeti nuk duhet: a) të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend;

  1. b) të pengojë ose të cenojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit; c) të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore; d) të ndërmarrë veprime apo sulme personale ndaj ndonjë deputeti tjetër; dh) të bëjë thirrje për përdorim dhune në Kuvend. Në rast të shkeljes së pikës 1 të këtij neni, ndaj deputetit zbatohen masat disiplinore sipas procedurave të përcaktuara në pjesën e parë, Kreu IX të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në nenin 9 të Kodit Etik.

Related Articles

Comente

  1. Nuk e esht hera e pare qe pd refuzon jo vetem bashkepunimin dhe konsesusin, por me dashje dhe qellim keq, shpif, mashtron, saboton reformat qe aq shume i kerkon vendi yne, i rekomandojne institucjonet nderkombetare, japin konsulencen e tyre, por pd, saliut, lulit, palokes e kompani, ne vend te bashkepunimit zgjedhin sabotimin, bojkotin duke nxjer njemij e nje justifikime nga me absurdet. Destrkuriviteti i pd tashme nuke njeh kufi. Qellimi i final i tyre esht ta futin vendin ne kaos, ne trazira, deri dhe perdorim dhune, per marjen e pushtetit. Nuke pyesi as per rekomandimet e BE, SHBA, per reformat qe duhen mare e as per rekoandimet e OSBE, qe provukatori Paloka nuke njeh dhe injoron rekomandimet e OSABE.

  2. Zoti Paloka

    problemet qe ju vleresoni si te rendesishme per funksionimin e punes ne parlament, mendoj po ashtu se jane te tilla por jo aq te pa kapercyeshme sa te bllokohet jeta parlamentare ne Shqiperi.

    Per personat qe perdorin dhunen psiqike apo me keq dhunen fizike ne parlament duhet qe ne menyre rigorose pa asnje lloj hezitimi te zbatohet ligji njesoj si per te gjithe nenshtetasit e tjere te republikes shqiptare. Per mbajtesit e funksioneve shteterore duhet te dyfishohet denimi.
    Indiferentizmi ndaj ketyre rasteve s’eshte tolerance shoqerore por bashkepunim e bashkefajsi ne keto raste thjesht kriminale.

    Une mendoj se PD po ben nje pune te mire per riorganizimin e brendshem.
    Ju uroj nje kthim sa me te shpejte ne parlament. Aty eshte mejdani i lirise e demokracise, aty eshte vendi i opozites Shqipetare. Kete te drejte e njekohesisht detyre, nuk kane lindur akoma ata Burra qe t’ia minimizojne apo mohojne asaj. Puna per reformat ne drejtesi, administrate etj., eshte e pazevendesueshme aty duhet te gjendet firma e Profili i PD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button