Opinion

Koha që kërkon të djathtën reale

Sokol HYSENAJ

Pluralizmi politik në Shqipëri erdhi si rezultat i kushteve politike, ekonomike e sociale që po kalonte e gjithë Evropa Lindore, por edhe të kushteve të brendshme të kalbëzimit të sistemit, që nuk kishte më forcë të qëndronte në këmbë.

Krijimi i Partisë Demokratike në atë situatë, ishte i diktuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, në nxitim e rrëmujë e sipër, si një parti e spektrit të djathtë. Pra po krijoheshin parti të djathta e të majta, pa bazë sociale dhe shoqërore e në mungesë të plotë të shtresave ekonomike të shoqërisë, për të cilat as që bëhej fjalë në atë kohë. Por edhe në krye të kësaj partie të djathtë dolën apo u vendosën persona që nuk vinin nga një e djathtë tradicionale shqiptare, që të kishin vizion e program politiko- ekonomik të djathtë.

Ardhja në pushtet, me një populizëm të majtë të varferuar e të ndrydhur, për një periudhë të gjatë dhe elemente të dënuarish e të pakënaqurish, karreristësh e llojë- llojë njerëzish me qëllime përfitime nga moment i krijuar, bënë që brenda saj të mungonte demokracia dhe liria e mendimit. Për gjithçka vendosej vetëm nga kreu i saj.

Ndoshta, sot të gjitha partitë shqiptare vuajnë nga kjo sëmundje e njëshomanisë, ku drejtuesit e tyre i përdorin partitë si pronë private dhe i drejtojnë ato me frymën patriarkale shqiptare, tipike si familja e plakut Mere Fizi dhe kryesitë e partive përdoren si tespijet e tij lidhur në fijen e perit, që, kur i mbushej mendja plakut Mere, këpuste fijen dhe i flakte kokrrat e tespijeve, për të mos përmendur se bënte, dhe ca shkallëzime tek shkopi i tij, të cilat Dritëroi ynë i ka përshkruar aq bukur. Pra si nga forma, përmbajtja dhe përbërja e kësaj partie, ishte një ndërthurje e huazimeve të orientalizmit me elemente puniste, duke bërtitur poshtë komunizmi, por duke zbatuar ligjin 7501.

Dhe po të analizoshë gjithë periudhën e pluralizmit shqiptar, dhe sidomos qëndrimet e kësaj partie gjatë kësaj kohe, si në pushtet apo në opozitë, asnjëherë nuk ka qënë e pozicionuar djathtas dhe me një qëndrim koherent si parti politike e djathtë, pa përmendur këtu se edhe ato parti tradicionale të djathta në Shqipëri, nuk i fuqizoi, por i dobësoi dhe i ktheu në anemike.

Aktualisht edhe sot, pas 26 vitesh pluralizëm, Shqipërisë i mungon e djathta e vërtetë, me bindje politike dhe filozofike të djathta, e cila të ketë shtresën e saj sociale dhe shoqërore për të cilat të ndërtoj programet dhe strategjitë e saj për të ardhur në pushtet.

Ballafaqimet, duelet apo përplasjet politike në Shqipëri, nuk janë për programe dhe vizione të ndryshme si të djathta apo të majta, por thjeshtë për të marrë apo të mbajtur pushtetin, e për ta shfrytëzuar në mënyrën më të paskrupullt dhe të pa ngopur, për pasurim të lartë dhe të shpejtë të një grushti njerëzish, të cilët sot luftojnë me të gjitha mjetet e mënyrat për të ruajtur pandëshkueshmërinë, nëpërmjet drejtësisë së korruptuar, që ka ndërtuar vetë politika ndër vite për të mbrojtur interest e saj.

E gjitha kjo është përplasje interesash dhe një marrosje nga frika e zbatimit të reformës në drejtësi, sesa përplasje politike nga kahje të ndryshme,sepse është përplasje brenda llojit e mos besim brenda saj.

Pas humbjes së thellë të zgjedhjeve në vitin 2013 në Partinë Demokratike filloi një proces analitik për gjendjen e saj e të shkaqeve të humbjes, por që u ndërpre shpejt dhe nuk pati asnjë analizë për humbjen e zgjedhjeve dhe as dolën ndonjëherë përgjegjësitë për këtë humbje, e as u përcaktuan rrugët dhe ndryshimet që duheshin bërë, për të rifituar besimin e popullit, duke i parashtruar alternativa dhe programe të përshtatshme.

Partia Demokratike dhe kryesia e saj besuan drejtimin e partisë nga i njëjti timonier, por me duar të reja. Kurse demokracia e brendshme dhe liria e shprehjes kishin kohë që kishin humbur dhe mbetën të harruara.

Lidershipi i ri me një begraund formimi dhe kulturë perëndimore, pritej që t`i jepte kësaj partie gjallëri, drejtim dhe vizion të ri me prirje demokratike evropiane perëndimore, gjë që nuk ndodhi. Dhe sot për vendime tepër të rendësishme, për jetën dhe historikun e kësaj partie, dhe për fatet e ekzistencës së saj dhe të ardhmes së vendit, nuk merren vendime në forumet drejtuese të saj, por vendosen nga një rreth i ngushtë e kalohet në bojkot të parlamentit, vendosje çadre në mes të bulevardit, bojkot të zgjedhjeve dhe së fundi mosbindje civile!

Këto vendime ekstreme vënë në pikëpyetje historinë e vazhdimësisë të jetës së partisë dhe krijojnë gjendje të rrezikshme për jetën normale të popullit dhe vendit, janë jodemokratike dhe në kundështim me aspiratën shqiptare dhe të vetë kësaj partie, që në krijimin e saj për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.

Kur të gjithë prisnin, se ndërhyrja e ndërkombëtarëve, do të bindte drejtuesit e PD-së për të lënë bojkotin dhe çadrën dhe për t`u kthyer në parlament, për të votuar vazhdimësinë e reformës me zhbllokimin e vetingut nuk u morrën parasysh, megjithë lëshimet dhe hapësirat e mëdha që iu krijuan nga krahu tjetër.

Ata nuk pranuan sepse nuk ishin problem zgjedhjet për ta, por ishte frika nga zbatimi i reformës në drejtësi, e cila do të këpuste hallkat korruptive të lidhjeve midis drejtesisë dhe politikës në tërë këto vite. Me këtë qëndrim u zbulua krejtësisht qëllimi real i bojkotit të opozitës, që është një marrëzi për të shpëtuar veten e për të zhytur partinë e vendin në buzën e një gremine të rrëzikshme, duke pretenduar se do të dalin vetë të fituar. Në këtë mënyrë përpjekjet e miqve tanë, partnerëve më të rëndësishëm në tërë këto vite, shkuan kot, sepse opozita bojkotuese se kishte mëndjen tek zgjedhjet që aludonte se do ti vidheshin, por te pengimi me çdo kusht i zbatimit të vetingut, prandaj ishte e gjithë kjo çorbë e saj, e stisur si rruga e vetme nga frika, për ta përmbysur reformën dhe për ta futur vendin në këtë kolaps.

Asnjë parti politike e djathtë në Evropë e më gjerë, nuk shpall bojkot e të mbyllet në çadër tre muaj para zgjedhjeve, nuk bllokon rrugët e të ndalojë qarkulllimin e njerëzve, nuk bënë thirrje për mosbindje civile e luftë popullit të saj, duke shkelur kushtetutën që ka aprovuar vetë ku thuhet se pushteti merret nëpërmjet votës, dhe jo me dhunë e revolucione.

E djathta ka parime themelore të saj pronën, lirinë, familjen dhe institucionet, por për mbrojtjen dhe konsolidimin e tyre, kjo parti nuk është shquar gjatë gjithë këtyre viteve dhe të ketë bërë ndonjë diferencë nga partitë e tjera, për të mos thënë se ka bërë më pak ose ka bërë të kundrën e saj, kur ka qënë në pushtet.

Qeveria, megjithë kusuret e saj, u tregua e gatshme dhe bëri lëshime të shumta që PD të kthehej në parlament, lëshime të cilat Partia Demokratike nuk do t`i bënte kurrë, jo se ka qënë më e fortë si parti në elektorat, por ka qënë më e ashpër, më brutale, e ka vënë veten mbi ligjin.

Ajo sot i ka bërë dy humbje të mëdha vetes, ka humbur besimin dhe mbështetjen e partnerëve strategjikë si; BE dhe SHBA, besimin e partive popullore evropiane me mos pranimin e rekomandimeve të tyre, duke bojkotuar reformën dhe parlamentin, dhe së dyti ka zvetnuar mbështetjen e saj tek elektorati, që priste PD-në të kthehej shpejt në pushtet.

Ultimatumet e saj për të përmbysur me dhunë qeverinë e zgjedhur me votën e popullit e mbështesin jo siç pretendohet populli, por ekstremist të korruptuar e përfitues të rrëmujave.

Zgjedhjet lokale në Kavajë do të shihen prej saj, si provë e rrugës së ashpër të mos bindjes civile dhe mbi këtë rezultat do të pregatiti “ armatat” e tjera të kusureve të Shqipërisë për 18 qershorin.

Opozita mund të jetë kërcënuese, destruktive, ditën e zgjedhjeve dhe më pas duke ndërrmarë dhe akte të dhunëshme, të bllokojë qëndrat e votimit, të prishi normalitetin e zgjedhjeve me synimin final të destabilizojë krejt vendin. PD mund të synojë trazira dhe përleshje, mundësishtë të ketë dhe ndonjë viktimë për ta përdorur si “pishtar të lirisë”, por nuk besojë se do të arrijë 2 prillin në Shkodër, apo 21 janarin në Tiranë. Mund të përgatiten dhe të instruktohen edhe grupe militantësh, në funksion të këtij qëllimi për trazira, ose mund të krijohen probleme të qeverisjes të pushtetit vendor, në ato bashki ku ka fituar PD-ja.

Por sot nuk janë kushtet e atëhershme dhe është zor që të sakrifikojnë njerëzit për cilindo kryetar apo ish-kryetar partie, të cilët janë bërë milionierë e sillen si sheik e sultan, kur janë nëpër zyra dhe bëhen “popullor” kur kanë hallet e tyre. Njerëzit janë të tejngopur me zhargonin e tyre të përditshëm, gjoja u qajnë hallet, që nuk u janë qarë kurrë.

Qeveria ka përgjegjsinë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe për këtë do ta gjykojë e nesërmja. Ajo do të ndodhet ndërmjet ruajtjes së qetësisë dhe normalitetit dhe ndëshkimit të trazirave, dhunës dhe destabilitetit. Në këto kushte asaj i duhet të tregohet e maturuar, të mos lejojë rrëzikimin e jetës së njerëzve, por edhe duke ndëshkuar dhunën pa rënë në kurthet e opozitës, dhe as të mbyllë sytë e të bëjë lëshime, duke nxjerrë mësime nga përvojat e dështimet e veta dhe të të tjerëve.

Si përfundim mendojë se ky bojkotim i zgjedhjeve do të jetë më tepër fatal për PD-në, ndaj ajo duhet të gjejë forca ta ndali, qoftë dhe në minutën e fundit, kurse vendit do t`i krijoheshin vonesa të pajustifikuara nga kjo marrëzi e klasës sonë politike, për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën demokratike.

Ajo që sot duket paradoksale, e kokëlavitur dhe me pikëpyetje të shumta, ndoshta e nesërmja do ta davarisi dhe brenda PD-së do të gjenden forca e rregullatorë të tjerë, për ndryshimin e kësaj situate e gjithçka të futet në shinat e normalitetit, dhe populli të votoi i lirë forcat politike që dëshiron. Partia Demokratike, dhe asnjë parti tjetër nuk do të dëshironte ta ndalte Shqipërinë, në stacionin e fundit drejt Evropës, dhe ta kthejë pas, sepse do të merrte mbi vete një përgjegjësi tepër të rendë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button