Kolumbi, kapet sasi rekord kokaine
Policia kolumbiane sekuestroi sasinë më të madhe të drogës të gjetur ndonjëherë në vend, thuajse 8 ton kokainë. Droga ishte fshehur në një plantacion bananesh në qytetin bregdetar Turbo.
Presidenti i Kolumbisë, Juan manuel Santos përgëzoi policinë për punën e saj, duke konfirmuar se bëhej fjalë për ngarkesën më të madhe të drogës të kapur ndonjëherë në vend. Sipas policisë, droga i përkiste grupit kriminal të njohur me emrin Klan Usuga. Mësohet se 3 persona u arrestuan, ndërsa një i katërt është në arrati. Hetuesit thanë se 1,5 ton nga kokaina ishin ndarë në pako dhe ishin bërë gati për t’u transportuar jashtë vendit.
Autoritetet thanë se kjo është sasia më e madhe e drogës që kapet në territorin kolumbian, megjithëse janë kapur sasi më të mëdha në det. Klani Usuga akuzohet se veç trafikut të drogës, merret me zhvatje, miniera të jashtëligjshme, rrëmbime dhe vrasje. Sipas policisë kolumbiane, kjo bandë ka rreth 2 000 anëtarë. Gjatë 5 viteve të fundit, policia ka arrestuar më shumë se 6700 pjesëtarë të klanit.
Në fillim të muajit, qeveria kolumbiane tha se do të përdorë avionët ushatarakë për të bombarduar grupet kriminale që trafikojnë drogë. Strategjia e re e qeverisë ka 3 objektiva kryesorë: Klanin Usuga, Los Pelusos dhe Los Puntilleros.