Komandanti amerikan, Scaparrotti: Vendet e Ballkanit shënjestër e Rusisë
Situata e sigurisë në Ballkan është shumë e brishtë dhe vendet e Ballkanit janë shënjestra kryesore e ndikimit keqdashës të Rusisë, u shpreh komandanti i forcave të SHBA-së për Europën, Curtis M. Scaparrotti, gjatë një dëshmie para komitetit për Forcat e Armatosura të Senatit amerikan, sipas Radios ”Europa e Lirë”.
Scaparrotti, i cili gjithashtu është komandant Suprem i Aleancës së NATO-s në Europë e cilësoi Ballkanin një rajon me rëndësi strategjike përderisa ka folur para senatorëve edhe për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve dhe arritjen e një zgjidhje afatgjate që është e zbatueshme për dyja vendet janë aktualisht në proces. Rusia e ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik’’, tha gjenerali Scaparrotti, duke nënvizuar faktin se Rusia e kundërshton njohjen e Kosovës si shtet sovran ndërkaq përmes ndihmës politike, ushtarake dhe ekonomike mundohet të ruajë ndikimin e saj në Serbi.
“Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), e cila përfshin mbi 3 500 trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vendet tjera, luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në këtë rajon” thekson Scaparrotti.
Ai ka folur edhe për gjendjen në Bosnje dhe Hercegovinë duke theksuar se vendi po vazhdon të punojë drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë, pavarësisht sfidave nga Republika Serbe e cila është e ndikuar nga Rusia.
Në dëshminë e tij para komitetit për Forca të Armatosura, gjenerali amerikan deklaroi se Rusia është konkurrent afatgjatë strategjik që i sheh Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën e NATO-s si kërcënim kryesor për ambicjet e saj gjeopolitike.
“Moska synon të shtrijë ndikimin në vendet periferike të saj, për të minuar solidaritetin e NATO-s dhe për të shkelur rregullat në të cilat bazohet rendi ndërkombëtar”, përfundon gjenerali amerikan Scaparrotti.