Komedia “Detektori i gënjeshtrave”, tre mbrëmje në skenën e Metropolit
“Detektori i gënjeshtrave” shfaqet në skenën e teatrit Metropol këtë fundjavë. Një shfaqje me regji nga Valdrin Hasani, që vjen në skenë me interpretimin e tre aktorëve, duke u bërë dhe pjesë e aktiviteteve artistike këtë sezon në Tiranë. Po sikur një hipnotizues të të zbulonte çdo gënjeshtër që ke thënë ndonjëherë?
A do të kishe guximin të përballeshe me të vërtetën? Sidomos kur këto të vërteta zbulohen mes një çifti!? Këtë fundjavë- 19, 20 dhe 21 qershor, skena e teatrit Metropol kthehet në një arenë ku sekretet dalin në dritë, maskat bien. “Detektori i gënjeshtrave” vjen në skenë me aktorë në role Cubi Metkën, Kejdi Gishton dhe Erdit Asllanaj. “Një shfaqje që sjell personazhe të gjalla, plot humor, tension dhe surpriza, që do t’ju bëjnë të qeshni me lot, por edhe të reflektoni mbi të vërtetat që fshehim çdo ditë. Jo thjesht një komedi, por një pasqyrë therëse e marrëdhënieve në çift”, thuhet në materialin e shfaqjes në teatrin Metropol. “Detektori i gënjeshtrave” është një premierë teatrore, që erdhi në skenë për publikun me mbështetjen e Bashkisë Tiranë.
Premiera e komedisë satirike “Detektori i gënjeshtrave” u mbajt më herët këtë muaj në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë, ndërsa do të ngjitet në skenën e Teatrit Metropol në datat 19, 20 dhe 21 qershor, por në vijim pritet të shfaqet edhe në skenën e Teatrit Eksperimental. Në shfaqjen teatrore me regji nga Valdrin Hasani, skenografia është nga Kristo Çala.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.