KOMENT – Puna gjithnjë e më digjitale rrit teknostresin te zyrtarët
MILANO, 5 shtator /ATSH-ANSA/ – Përdorimi gjithnjë e më intensiv i teknologjisë në vendin e punës po ndikon në mirëqenien e punonjësve duke shtuar rastet e asaj që njihet si teKnostres.
Të dhënat vijnë nga një studim i Eurispes mbi përdorimin e teknologjive digjitale dhe ndikimin e tyre në shëndetin mendor, sipas të cilit 48,2% e të anketuarve në Itali deklarojnë se puna e tyre kërkon përdorim të vazhdueshëm dhe intensiv të pajisjeve dhe aplikacioneve digjitale.
Teknologjia po zgjeron gjithashtu kufijtë e orarit të punës.
Sipas studimit, 77,3% e të anketuarve kontrollojnë të paktën ndonjëherë email-et ose mesazhet profesionale jashtë orarit të punës, ndërsa 43,5% e bëjnë këtë shpesh ose gjithmonë.
Edhe koha e pushimit po preket nga komunikimet profesionale.
75,2% thonë se u përgjigjen mesazheve të punës gjatë kohës së lirë, ndërsa 68,1% vazhdojnë t’u përgjigjen edhe gjatë pushimeve.
Për 34,7% të tyre, kjo ndodh shpesh ose gjithmonë.
Një tjetër tregues është presioni për të reaguar menjëherë.
71,1% e të anketuarve janë ndier të paktën ndonjëherë të detyruar të përgjigjen menjëherë ndaj komunikimeve të punës, ndërsa 72,9% kanë pasur vështirësi të shkëputen mendërisht nga puna.
Sipas Eurispes, mbingarkesa nuk lidhet vetëm me kohën e kaluar para pajisjeve, por edhe me kompleksitetin e mjedisit digjital.
37,6% ndihen të rënduar nga numri i mjeteve dhe platformave që duhet të përdorin, 36,7% kanë vështirësi të ndjekin përditësimet dhe programet e reja, ndërsa 35% thonë se email-et, njoftimet dhe telefonatat dëmtojnë përqendrimin.
Në të njëjtën kohë, 39,3% e të anketuarve deklarojnë se ndihen të lodhur mendërisht nga përdorimi i vazhdueshëm i teknologjive.
Megjithatë, 59,6% besojnë se arrijnë të ndajnë kohën e punës nga ajo personale, ndërsa 22,2% e konsiderojnë të tepërt kohën e konsumuar nga video-konferencat.
Pasojat shfaqen edhe në formën e simptomave fizike dhe psikologjike.
Gjatë gjashtë muajve para anketimit, 68,6% e të intervistuarve kanë përjetuar të paktën ndonjëherë simptoma stresi ose lodhjeje të lidhura me teknologjitë profesionale, si dhimbje koke, lodhje të syve, ankth apo shqetësime të tjera.
Për 33,8% këto simptoma janë shfaqur shpesh ose gjithmonë.
Të dhënat nënvizojnë kështu nevojën për një përdorim më të ekuilibruar të teknologjisë në ambientin profesional, veçanërisht për të garantuar një ndarje më të qartë mes kohës së punës dhe jetës private./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.