10 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, momente nga vizita në Shqipëri përmes fotove të ATSH-së
Sot shënohet një nga datat më të rëndësishme për figurën e Nënë Terezës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, dita kur ajo u shpall shenjtore nga papa Françesku, duke u bërë Shën Tereza e Kalkutës.
Sot, 10 vite pas atij momenti historik, figura e Nënë Terezës vijon të mbetet një simbol botëror i dashurisë, mëshirës dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.
Më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, papa Françesku drejtoi Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ceremonia u zhvillua në kuadër të Jubileut të Mëshirës dhe mblodhi më shumë se 120 mijë besimtarë, mes tyre edhe shumë shqiptarë, duke reflektuar lidhjen e veçantë të komunitetit shqiptar me figurën e shenjtores.
Më 5 shtator 2016, Nënë Tereza fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore nga papa Françesku duke njohur dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.
Papa Françesku e shkroi emrin e Shën Terezës së Kalkutës, murgeshës shqiptare të bamirësisë, në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, i cili rregullon përkujtimet dhe kremtimet e vitit liturgjik. Ati i Shenjtë mori parasysh kërkesat e dëshirat e shumë ipeshkvinjve, meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve, që e kremtojnë shenjten më 5 shtator, dita e vdekjes së saj më 1997. Kjo mbetet edhe dita e përkujtimit liturgjik fakultativ, vendosur nga Papa.
Murgesha ‘u lumturua’ në tetor të vitit 2003 nga papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.
Në ligjin “Për festat zyrtare” në Shqipëri u zëvendësua festa zyrtare e datës 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj.
Ndërsa në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 5 shtatori përkon me Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, e shpallur si e tillë prej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në nder të Nënë Terezës.
E lindur më 26 gusht 1910, në Shkup, Nënë Tereza filloi misionin e saj në Kalkutë në vitin 1929. Pasi u largua nga Motrat e Loretos, në vitin 1950, themeloi Kongregatën e Misionareve të Dashurisë, e cila sot ka mbi gjashtë mijë murgesha aktive në 130 vende të botës, duke filluar nga më të varfrit dhe më të pazhvilluarit.
Në vitin 1979, murgeshës shqiptare iu dha Çmimi Nobel për Paqen dhe ajo kërkoi që shuma t’u dhurohej të varfërve.
Nënë Tereza vizitoi edhe Shqipërinë pas rënies së komunizmit, duke hapur shtëpitë e motrave të saj, që i shërbejnë edhe sot popullit, por sidomos i mësojnë, me shembullin e tyre, dhembshurinë e mëshirën me të cilën duhet të kujdeset për nevojtarët.
Vizita e Nënë Terezës në Shqipëri ruhet edhe në fotografitë e arkivit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, që dokumentojnë disa prej momenteve më të veçanta të takimeve të saj me shqiptarët.
Fotografitë sjellin në kujtesë vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri në vitin 1991, nga mbërritja e saj në aeroportin e Rinasit, te momentet e takimeve me fëmijët dhe besimtarët, si dhe pjesëmarrjen në ngjarje të rëndësishme fetare.
Në një prej momenteve të vizitës, Nënë Tereza shihet duke bekuar një fëmijë, ndërsa fotografi të tjera dokumentojnë pjesëmarrjen e saj në rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe meshën e zhvilluar në Kishën Katolike në Tiranë.
Nënë Tereza e ka vizituar Shqipërinë edhe në vitin 1989, në një prej vizitave të saj të para. Gjatë qëndrimit ajo u prit në aeroportin e Rinasit dhe vizitoi familje me të cilat kishte lidhje farefisnore, si dhe kopshte fëmijësh në Tiranë.
Një tjetër moment i rëndësishëm i dokumentuar në fotografi është vizita e papa Gjon Palit II në Shqipëri në vitin 1993, ku ndër personalitetet me të cilët u takua ishte edhe Nënë Tereza.
Në arkivin fotografik të ATSH-së ruhen gjithashtu momente nga veprimtaria e Nënë Terezës në Shqipëri, përfshirë hapjen e shtëpisë së bamirësisë në Tiranë, pjesë e misionit të saj për t’u shërbyer njerëzve në nevojë.
Fotografitë sjellin në vëmendje edhe momentet e përcjelljes së Nënë Terezës në aeroport, ku ajo u shoqërua nga autoritete të larta të vendit, mes tyre edhe kryeministri i kohës Fatos Nano.
Këto imazhe arkivore, të ruajtura ndër vite nga ATSH, janë dëshmi e një kapitulli të veçantë të historisë shqiptare dhe e lidhjes së Nënë Terezës me vendin e origjinës së saj. Ato fiksojnë në kohë takimet, përshëndetjet, bekimet dhe momentet e saj të rralla në Shqipëri, duke sjellë sot një dëshmi vizuale të figurës së shenjtores shqiptare.
Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.