Komisioneri Hahn takime në Tiranë, vlerëson ecurinë e reformave
Komisioneri Europian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn ndodhet në Shqipëri për raundin e Peste të Dialogut të Nivelit të Lartë, BE-Shqipëri.
Në kuadër të këtij Dialogu, Komisioneri Hahn ka nisur sot takimet e tij në Shqipëri, ku fillimisht është takuar në Sallën e Hartave me Kryeministrin Edi Rama.
Më pas Komisioneri Hahn ka zhvilluar takim me Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, për të vijuar mëtej me takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
Ministri Bushati e njohu Komisionerin Hahn mbi ecurinë e reformave dhe të përpjekjeve të Qeverisë për të përmbushur në kohë kriteret e parashikuara në udhërrëfyesin për pesë prioritetet kyç.
Ai vuri në dukje rëndësinë që ka marrja e një date për hapjen e negociatave sa i përket ecurisë së reformave, motivimit të administratës dhe mbështetjes publike.
Në takim u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe përgatitjeve për Konferencën e Vjenës, të planifikuar për t’u mbajtur në gusht të këtij viti si dhe rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta me interes për gjithë rajonin.
Komisioneri Hahn vlerësoi ecurinë e deritanishme të reformave dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si dhe shprehu mbështetje të plotë për Shqipërinë në procesin e integrimit, duke nënvizuar se shpejtësia e këtij procesi varet nga zbatimi dhe qëndrueshmëria e reformave të ndërmarra.
Pas takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri- BE, komisioneri Hahn do të zhvillojë ën orën 15:00 takim me Presidentin Bujar Nishani dhe më pas do të zhvillojë një takim me kryetarin e PD, Lulzim Basha.
Ditën e djeshme Komisioneri Hahn vizitoi disa qendra kulturore në Tiranë, një projekt të finacuar nga BE.