Komisioni Hetimor per Zgjedhjet: – Mazhoranca dhe Opozite rikthehen ne piken zero
Mbledhja e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës për të arritur një konsensus për amendimet për ngritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve të kaluara rezultoi pa sukses, përkundrazi palët janë ndarë edhe më tej.
Përfaqësuesi socialist në takimin me dy ekspertët e mazhorancës, Fatmir Xhafa tha se opozita bëri leshimin e saj përsa i përket pikës së parë që lidhet me objektin e hetimi, por sipas tij, mazhoranca ndryshe nga deklartatat e saj dhe nga sa ishte rënë dakort me parë refuzoi dhënien e shumicës në vendimmarrje opozitës.
“Për fat të keq nuk arritëm në një zgjidhje pozitive thjesht se mazhoranca nuk ra dakort. Ne pranuam me vullnetin e mirë që të modifikonim pikën e parë që kishte të bënte me objektin. Pika e dytë që kishte të bënte me shumicën në vendimmarrje, në vend që të ruanim atë çfarë ishte arritur bëmë një hap prapa. Mazhoranca insiston, përkundër asaj që ka shprehur në një zgjidhje që është e diskutueshme dhe jo shumë e besueshme për normalitetin dhe ecurinë e punës në komision. Në të gjitha deklartat politike ka patur dy opsione, na janë bërë dy propozime, i pari me tërheqjen e dy anëtarëve në momentin e votimit dhe tjetri për të pasur shumicën numerike mazhoranca dhe kryetari të kishte të drejtën e 3 votave. Pranuam alternativën e dytë. Sot ka një tërheqje nga oferta që bëhet nga përfaqësuesit e mazhorancës, cështja tjetër që diskutuam dhe nuk arritëm zgjidhje ka të bëjë me pikën 3. Kemi shtuar se materialet zgjedhore janë pjesë e hetimit të këtij komisioni parlamentar. KQZ zbaton hapjen e kutive dhe dërgimin në arkivë dhe disponimin e komisionit hetimor mbi materialet zgjedhore me burim arkiv”, tha Xhafa.
Deputeti socialist tha se tashmë palët janë rikthyer në pikën 0 dhe se sipas tij mungon vullneti i mazhorancës për ngritjen e komisionit, pavarësisht përpjekjeve dhe lëshimeve të opozitës.
“Jemi në pikën zero, mungon vullneti për ta ngritur këtë komision hetimor, pavarësisht përpjekjeve tona për ta ngritur këtë atë. Përtej demagogjisë e cfarë është thënë e stërthënë në negociatat e deklarimet publike, një gjë është e qartë, ky komision hetimor nuk duhet të ngrihet, këto janë pengesa për të mos e ngritur këtë komision”, shtoi Xhafa.
Më tej zoti Xhafa thjeshtoi propozimin e opozitës. Ai tha se propozimi socialist përmban propozimin me 3 pika të Parlementit Europian të datës 8 korrik.
“Kërkojmë një vendim me 3 pika, 1) hetim me materialet zgjedhore, 2) drejtimin e komisionit e ka opozita që ia njeh ligji dhe 3) shumicën në vendimmarrje e ka opozita. Nëse biem dakort në këto 3 pika e votojmë, në të kundërt cdo përpjekje tjetër është mungesë vullneti për të mos e ngritur këtë komision hetimor”, shtoi deputeti socialist.
Pas fjalës së deputetit Xhafa replikoi kryeministri Berisha. Ai tha se kompromisi është i mundshëm dhe se mazhoranca garanton shumicën faktike të komisionit për opozitën, por jo shumicën në vendimmarrje.
“Kompromisi është i mundshëm. Pranuam të shkruajmë në vendim se mazhoranca garanton shumicën faktike të komisionit. Mendoj kjo që ofruam ne është zgjidhja absolutisht më e drejtë më e ndershme. Ju kërkoni të bëni një hetim për të përmirësuar kodin duke shkelur kodin. Nuk kemi pse marrim atributet e institucioneve të tjera”, tha Berisha.
Me shkeljen e kodit kryeministri u referohej afateve ligjore të arkivimit të materialeve zgjedhore, pikë kjo e parashikuar në nenin 178 pika 4. Kjo pikë e këtij neni u citua në sallën e parlamentit nga deputeti socialist, Fatmir Xhafa.
“Neni 178 pika 4 thotë që dokumentet origjinale të dërguara nga KZAZ i dërgohen KQZ-së, e cila brenda 24 muajsh nga data e zgjedhjeve i dërgon në arkivën e shtetit, domethënë jemi brenda afatit”, tha Xhafa.
Ndërkohë, kreu i grupi parlamentar socialist, Gramoz Ruçi akuzoi drejpërdrejt kryeministrin Berisha se nuk po refuzon kërkesat e opozitës, por kërkesën e Departamentit të Shtetit, Parlamentit Europian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Më pas replikoi kreu i mazhorancës, Sali Berisha. Berisha shprehu gatishmërinë e ngritjes së komisionit dhe nisjes së hetimit nëse tri pikave të opozitës u shtohet pika e katërt e propozuar nga mazhoranca.
“Urdhëroni ta votojmë duke u shtuar tri pikave tuaja se hetimi do të bëhet në përputhje me kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese e të kolegjit zgjedhor”, tha kryeministri Berisha.