Komisioni i Jashtëm i PE miraton Rezolutën për Shqipërinë 2025, Hoxha: Konfirmim i progresit në rrugën drejt BE
Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Evropian ka miratuar sot tekstin e Rezolutës mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025, duke vlerësuar ecurinë e vendit në procesin e integrimit evropian.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi miratimin e raportit si një vlerësim të qartë dhe të padiskutueshëm për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha theksoi se rezoluta konfirmon përparimin e qëndrueshëm të vendit, angazhimin në reforma dhe faktin që Shqipëria renditet ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit.
“Një vlerësim i qartë dhe i padiskutueshëm i përparimit të qëndrueshëm dhe të angazhimit të palëkundur të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rezoluta përforcon gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian, duke ofruar një pasqyrë të plotë, objektive dhe të balancuar mbi ecurinë e procesit të negociatave, thellësinë e reformave të ndërmarra dhe përputhjen e qëndrueshme të politikës sonë të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe me rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ashtu si në dokumentet më të fundit të institucioneve evropiane, Shqipëria vlerësohet si një ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit. Theksohen përkushtimi ynë i qëndrueshëm, konsensusi i gjerë politik për integrimin evropian dhe mbështetja e fortë e qytetarëve për këtë proces. Hapja e të gjithë grup-kapitujve dhe ecuria e rregullt e procesit të #negociatave mbeten dëshmi konkrete e ritmit të reformave dhe e besueshmërisë së progresit të arritur”, thekson ai.
Ai nënvizoi se dokumenti mbështet ambicien për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe konfirmon rolin e Shqipërisë si një partner i besueshëm në politikën e jashtme të BE-së.
“Rezoluta identifikon natyrshëm edhe fusha dhe aspekte ku kërkohen përpjekje të mëtejshme, të cilat janë pjesë e vetë procesit të zhvillimit të vendit dhe procesit të negociatave. Shqipëria i sheh këto si pjesë të një dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me institucionet evropiane, që ndihmon në orientimin dhe konsolidimin e reformave gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet dhe angazhimet e ndërmarra”, shkruan ai.
Në përfundim, Ministri thekson se rezoluta konfirmon se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe se procesi i zgjerimit po jep rezultate konkrete, ndërsa vendi do të vijojë reformat me vendosmëri për të avancuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Në tërësi, kjo rezolutë konfirmon se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe se procesi i zgjerimit po prodhon rezultate konkrete. Qasja jonë mbetet e pandryshuar: të vijojmë me vendosmëri reformat, të adresojmë sfidat e mbetura dhe të ruajmë ritmin e lartë të progresit, duke sjellë rezultate të prekshme për qytetarët tanë dhe duke avancuar drejt qëllimit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian“, përfundon Ministri.
Në mbledhjen e Komisionit për Punët e Jashtme, eurodeputetët e miratuan dokumentin me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime. Në raportin e përgatitur nga Andreas Schieder vlerësohet progresi i vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe theksohet rëndësia e reformave të mëtejshme për të garantuar një proces të qëndrueshëm dhe të suksesshëm integrimi.
Megjithatë, Parlamenti Europian nënvizon se nevojiten reforma edhe më të thella dhe të qëndrueshme, të cilat janë thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike dhe për përmbushjen e standardeve të BE-së. Raporti vlerëson gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për integrimin europian, duke evidentuar konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë të qytetarëve për këtë proces.
Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se Shqipëria ka hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave brenda 13 muajsh, si dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në reformën në drejtësi, ku vlerësohet veçanërisht puna e SPAK-ut. Ndër çështjet kyçe mbetet përmirësimi i sistemit zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Po ashtu, raporti vlerëson rolin e Shqipërisë në politikën e jashtme të BE-së dhe kontributin për stabilitetin rajonal, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të zgjerimit.
Postimi i plotë i Ministrit
Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian, miratoi sot, me 58 vota pro, tekstin e Rezolutës mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025.Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e mirëpret këtë zhvillim të rëndësishëm, i cili përbën një vlerësim të qartë dhe të padiskutueshëm të përparimit të qëndrueshëm dhe të angazhimit të palëkundur të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rezoluta përforcon gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian, duke ofruar një pasqyrë të plotë, objektive dhe të balancuar mbi ecurinë e procesit të negociatave, thellësinë e reformave të ndërmarra dhe përputhjen e qëndrueshme të politikës sonë të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe me rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Ashtu si në dokumentet më të fundit të institucioneve evropiane, Shqipëria vlerësohet si një ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit. Theksohen përkushtimi ynë i qëndrueshëm, konsensusi i gjerë politik për integrimin evropian dhe mbështetja e fortë e qytetarëve për këtë proces. Hapja e të gjithë grup-kapitujve dhe ecuria e rregullt e procesit të #negociatave mbeten dëshmi konkrete e ritmit të reformave dhe e besueshmërisë së progresit të arritur.
Rezoluta vlerëson gjithashtu ambicien e #Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027, duke reflektuar një mirëkuptim të përbashkët se vendi ynë ka hyrë në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit. Rezoluta identifikon natyrshëm edhe fusha dhe aspekte ku kërkohen përpjekje të mëtejshme, të cilat janë pjesë e vetë procesit të zhvillimit të vendit dhe procesit të negociatave. Shqipëria i sheh këto si pjesë të një dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me institucionet evropiane, që ndihmon në orientimin dhe konsolidimin e reformave gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet dhe angazhimet e ndërmarra.
Një vlerësim i veçantë i jepet përafrimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke konfirmuar rolin tonë si një partner i besueshëm dhe kontribues aktiv në çështje strategjike evropiane dhe globale. Rezoluta njeh gjithashtu kontributin e Shqipërisë për stabilitetin rajonal dhe angazhimin në iniciativa të rëndësishme të BE-së, si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili do të përshpejtojë më tej konvergjencën ekonomike me Bashkimin Evropian.
Në tërësi, kjo rezolutë konfirmon se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe se procesi i zgjerimit po prodhon rezultate konkrete. Qasja jonë mbetet e pandryshuar: të vijojmë me vendosmëri reformat, të adresojmë sfidat e mbetura dhe të ruajmë ritmin e lartë të progresit, duke sjellë rezultate të prekshme për qytetarët tanë dhe duke avancuar drejt qëllimit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, si dhe për anëtarët e AFET dhe të gjithë eurodeputetët, për mbështetjen e vazhdueshme, angazhimin dhe kontributin e tyre në avancimin e reformave dhe në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.